Elbasani do të votojë masivisht

Nga Luçiano BOÇI

Ajo që i ka dalluar brezat përpara nesh, ajo që i ka bërë ata të admirueshëm dhe njëherësh e ka bërë përvojën e tyre të trashëgueshme, është serioziteti.

Ata kanë qenë një brez që nuk janë tallur me veten, nuk kanë përqeshur të tjerët, nuk e kanë përbuzur botën. Për asnjë çast! Të parët tanë kanë qenë njerëz të denjë.

Nëse ata sot do të ishin të pranishëm – më së paku – ata do të votonin!

Eshtë e paimagjinueshme që dikush i pyetur “çfarë kemi bërë” apo “çfarë do të bëjmë” – të guxonte të përgjigjej duke vallëzuar si zbutësi i arushës Mira në cirk.

Eshtë e paimagjinueshme që dikush t’i qeveriste ata me tallava. Është e vërtetë që dikush i ka qeverisur ata me terror, me mizorinë e një sistemi çnjerëzor. Por kurrë me përtallje!

Sepse të parët tanë kanë qenë njerëz seriozë. Çdo gjë e tyre meritonte vëmendje, kujdes, përqëndrim, respekt. Ata e dinin çfarë synonin, çfarë mund të synonin, çfarë mund të arrinin.

Sikur ata të ishin sot pjesë e mjedisit tonë – e sigurt është që ata do të votonin!

Unë besoj se guximi i dikujt për të na trajtuar si kafshë të zbutura në cirkun e politikës tallava – meriton vetëm një përgjigje: të votojmë masivisht!

Guximi i dikujt për të na trajtuar si mbeturina njerëzore, si krijesa të dehura, si qënie me identitet endacak meriton vetëm një përgjigje: Votën masive!

Le t’i tregojmë atij që guxon – se ne jemi bijtë e atyre etërve seriozë, atyre burrave e grave të rralla që ishin e janë hijerëndë në fjalë e të drejtë në gjykim, të butë në shpirt, por të pathyeshëm në virtyt.

Le t’u tregojmë atyre që nuk na njohin se ne vlejmë shumë më tepër sesa vota sot apo politika e ditës! Elbasani është i përjetshëm.

Nuk qeveriset Elbasani me tallava! Ne do të votojmë masivisht për ta thënë këtë me zë të lartë!

About Redaksia

Check Also

Patriot shqiptar?!

Nga Redin HAFIZI Në Shqipëri edhe patriotizmi ka ndryshuar thelbin dhe është kthyer nga ndjenjë …

Leave a Reply