Nga Ardi STEFA
Personalisht nuk e kam problem me tonet e larta në një fushatë elektorale.
As me gazetarinë që mobilizohet, “militarizohet” dhe mban një pozicion e qëndrim.
As me influencuesit dhe opinionbërësit
I preferoj këto shumë më tepër se një logjikë përshtatshmërie, ku të gjitha e të gjithë flasin sikur të jemi mirë e punët të na shkojnë vaj.
Përkundrazi, në rast se në një shoqëri ka vija ndarëse dhe kundërshti, ato duhet të reflektohen në skenën politike.
Por kam problem me logjikën e llogjeve të kafenesë.
E konstatoj në mënyrën se si disa sillen e flasin për opozitën.
Sikur të mos kenë kaluar 10 vjet që kur ajo ka ikur nga pushteti dhe kaloi në opozitë, sikur të mos jetë as edhe tani një parti, që në thlb pretendon të jetë forcë qeverisëse dhe alternativë.
D.m.th. në vitin 2023 të dëgjosh të njëjtën retorikë e budallallëqe si në vitin 1996 apo 1997; të dëgjosh në vitin 2023 të njëjtat akuza për liderët politikë të opozitës, në një kohë që ke 10 vjet pushtetin dhe do të vendosje drejtësinë, në rast se do të kishte apo dëshirohej drejtësia, dëshmon se sa të pazotët jemi që të bëjmë një debat normal politik.
Se sa të pazotët jemi që të bëjmë një debat normal politik e dëshmon edhe fakti që pozita fushatën e saj e ndërton me sharje, fyerje e tallava; me deklarata defiçente që në vend të parë është Lideri Global, pastaj janë dhjetë mijë vende bosh e pastaj vjen populli; si fyerjet e intimidimet e Liderit Global për kandidatët e opozitës, në një kohë që të tijët historikisht i ka pasur me rekorde kriminale.
Aktualisht beteja elektorale bëhet në terma polarizues, paçka se nuk duket në pamje të parë. Këtë e tregojnë konfrontimet e ashpra, retorika me zë të lartë, mënyra se si një pjesë e brutalitetit verbal të mediave sociale bartet në debatin politik.
Ndërkohë, që shkalla e konfrontimit programor është veçanërisht e ulët.
Dhe nuk e them këtë vetëm në kuptimin që teknikat moderne të komunikimit politik theksojnë imazhin dhe emocionin në vend të diskutimit shterrues të propozimeve të politikave, duke bërë që votuesit të sillen si “konsumatorë”.
Por ata që e bëjnë një gjë të tillë, pra influencuesit dhe “opinionbërësit e blerë nga qeveria”, mendojnë se me këtë mënyrë “ndikojnë” në opinionin publik, ndërkohë që në realitet me mënyrën se si përdorin karikaturat politike, thjesht bëjnë të humbasë çdo lloj besimi tek ta.
Ka akoma edhe më keq, ata e “mësojnë” opinionin publik me nocionin se përballje politike do të thotë shkëmbim fyerjesh, ekzagjerimesh dhe pamundësish.
Por ky agravim i vazhdueshëm politik, në fund të fundit, i bën njerëzit të mendojnë se gjithçka është një teatër, ku askush nuk thotë në të vërtetë atë që mendon.
D.m.th do të na ftojnë të votojmë të bindur për gënjeshtarin më të talentuar, që më pas të habitemi që na gënjeu
Dhe sigurisht, në këtë mënyrë, një diskutim apo debat i vërtetë e programativ asnjëherë nuk bëhet.
D.m.th, në një kohë kur vendi ndodhet në mes të një sërë sfidash të paprecedentë, në thelb në një faqeje të re historike, nuk po diskutohet seriozisht për të ardhmen, për strategjinë e kërkuar, për propozimet e ndryshme të partive politike, për konvergjencat dhe mospërputhjet reale.
Dhe, nëse për qeverinë, të gjitha këto janë sidoqoftë referenca të vetëkuptueshme ideologjike dhe strategjike, fakti është që ajo investon në zgjedhje ku do të shprehen vijat e thella ndarëse, që sot përshkojnë shoqërinë, por në të njëjtën kohë do të mbizotërojë investimi në logjikën e pritshmërive të reduktuara, në mungesën e një horizonti strategjik që mund të akomodojë alternativa.
Veçse pakënaqësia pa horizont është vetëm një kusht tjetër i krizës politike, që mund të çojë vetëm në tragjedi historike.