Vëzhguesit ndërkombëtarë deklarojnë se zgjedhësit votuan të frikësuar dhe votat u blenë.
Ata publikuan raportin paraprak mbi zgjedhjet vendore të 14 majit, ku theksuan se mbeteshin shqetësuese keqpërdorimi i burimeve shtetërore për fushatë, si dhe pretendimet për blerje votash dhe presione mbi votuesit dhe administratën.
Gjatë një konference shtypi në Tirnë, vëzhguesit ndërkombëtarë deklaruan se zgjedhjet vendore në Shqipëri ishin të mirorganizuara, konkurruese, dhe me pjesëmarrje të partive politike kryesore, por theksuan se procesi u karakterizua nga polarizimi i vazhdueshëm mes partive kryesore politike si dhe nga ndarjet e thella në mes opozitës.
Në përfundimet paraprake, Misioni ndërkombëtar i Vëzhgimit të Zgjedhjeve deklaroi se kandidatët mundën të zhvillonin fushatën lirisht, por çështjet me rëndësi për komunitetet vendore u përmendën pak në fushatë.
“Rastet e keqpërdorimit të burimeve shtetërore në nivel qendror dhe vendor, pretendimet për presione mbi punonjësit e sektorit publik dhe votuesit, si dhe pretendimet për blerje votash ishin shqetësuese”, tha ambasadore Audrey Glover, drejtuesja e misionit vëzhgues për zgjedhjet i ODHIR-it, Zyrës për Institucione Demokratike dhe të Drejta Njerëzore i OSBE-së.
Vëzhguesit ndërkombëtarë theksuan në raportin paraprak se autoritetet shfrytëzuan burimet shtetërore për të bërë fushatë, aq sa shpesh, nuk kishte ndonjë dallim të qartë ndërmjet veprimtarive shtetërore dhe atyre të fushatës.
Ata vërejtën se në disa raste, mbështetja e ardhshme e qeverisë për komunat ishte e kushtëzuar me rezultatin zgjedhor.
Misioni vëzhgues i ODIHR-it takoi burime vendase, që i pohuan pretendime për frikësim të votuesve dhe blerje votash.
Vëzhguesit pohuan se deklarimi i burimeve financiare të garuesve pas zgjedhjeve e pakëson transparencën e procesit.
Ata vërejtën se shumë prej rekomandimeve të paraqitura nga ODIHR-i në vitin 2020 ende nuk janë zbatuar, dhe se disa kufizime për të drejtat e votës mbeten në kundërshtim me standardet ndërkombëtare.
Liritë themelore të tubimit dhe të shprehjes u respektuan, por, sipas tyre, fushata u përqëndrua rreth partive të mëdha dhe drejtuesve të tyre kryesorë dhe ajo përfshinte retorikë dhe stil konfrontues, në dëm të një fushate në shërbim të kandidatëve dhe çështjeve vendore, në dëm të demokracisë vendore.
“Dita e zgjedhjeve në përgjithësi ishte paqësore, por u ndikua negativisht nga raste të shumta të ndërhyrjeve partiake në proces si dhe nga problemet teknike dhe procedurale, votimi i gjerë në grup dhe problemet me fshehtësinë e votës”, theksoi ambasadorja Glover.
Nga ana tjetër, vëzhguesit vërejtën se nuk janë respektuar kuotat e përfaqësimit gjinor, sepse vetëm 15 nga 144 kandidatët për kryetar bashkie ishin gra.
Ata shprehën rezerva edhe për veprimtarinë e medias gjatë fushatës, e cila sipas tyre, ka një pronësi të përqëndruar dhe kontrollohet nga interesa të ndërthurura të biznesit dhe politikës.
Nga monitorimi i vëzhguesve të ODIHR-it doli se mbulimi mediatik i fushatës u përqendrua te drejtuesit e partive kryesore dhe kandidatët për bashkinë e kryeqytetit, por me një vëmendje të kufizuar ndaj çështjeve të rëndësishme vendore.
“Rregullat për mbulimin e fushatës favorizojnë fuqishëm partitë kryesore dhe përdorimi i shpeshtë nga media i lëndës së prodhuar nga partitë në programet e lajmeve minoi mbulimin gjithëpërfshirës dhe objektiv të fushatës”, thuhet në raportin e vëzhguesve ndërkombëtarë.
Ndërsa pjesëmarrja e qytetarëve në votime u raportua mbi 36 për qind nga një listë, ku gjenden edhe ata qytetarë që jetojnë jashtë vendit.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), vlerësuan vëzhguesit ndërkombëtarë, e organizoi punën e vet në mënyrë transparente dhe efikase, por qëndrueshmëria e komisioneve më të ulëta u ndikua negativisht nga zëvendësimet e shpeshta të anëtarëve prej partive politike”, thuhet në raportin paraprak të vëzhguesve ndërkombëtarë.
Delegacionet e vëzhguesve ndërkombëtarë sollën në Shqipëri afro 250 vëzhgues afatgjatë dhe afatshkurtër.
Ata ndjekin rregullisht ecrinë e zgjedhjeve të përgjithshme të Shqipërisë, por po ashtu vëzhgojnë nga afër edhe zgjedhjet për pushtetin vendor gjatë 3 dekdave të fundit, pas daljes së vendit nga diktatura komuniste.