Manipulimi me Video, ja si i kontrollonte “Rilindja” votuesit

Nga Lapsi.al

Përgjatë gjithë ditës së diel, si një nga format e shumta të manipulimit të votuesve u vu re edhe një sistem kapilar i patronazhistëve të PS-së që ushtronin presion dhe kontrollonin votuesit të cilëve u patën marrë më parë premtimin se do u jepnin votën.

Pra të gjithë ata që kanë këmbyer hedhjen e fletës së tyre për PS-në në këmbim të një legalizim, punësimi të përkohshëm, shpërblimi që prisnin nga shteti apo bashkia, janë mbikëqyrur në mënyrën më të rreptë. Këtë e konfirmuan vëzhguesit ndërkombëtarë në konferencën e tyre për shtyp të mbajtur të hënën.

‘Vëzhguesit e MNVZ-së vërejtën tregues që votuesit nxiteshin ose detyroheshin të votonin për një parti të caktuar, jashtë ambienteve të 3 përqind të qendrave të votimit të vëzhguara. Ndërsa në 11 përqind prej tyre, njerëz të ndryshëm nga anëtarët e KQV-së mbanin shënim zgjedhësit që kishin votuar.

Në 6 përqind të qendrave të votimit të vëzhguara, persona të ndryshëm nga anëtarët e KQV-së, kryesisht vëzhgues dhe aktivistë partish, ndërhynë ose udhëhoqën procesin e votimit’ u tha në raportin paraprak të OSBE ODHIR.

Pra sikurse shihet edhe nga konfirmimi i vëzhguesve ndërkombëtarë, ky fenomen ka qenë masivisht i përhapur. I ilustruar ai shihet në një video model që gazetari i Euronevs, Renaldo Salianji pasqyroi në ekran nga eksperienca e tij në Bradashesh në afërsi të Elbasanit.

Ajo që ndodh është pak a shumë kjo.

Një vëzhgues i PS mban shënim emrat dhe numrin rendor në lista të atyre që janë paraqitur apo edhe të tjerëve që nuk e bëjnë këtë. Pasi numri del në pajisjen e identifikimit elektronik ai hedh në një letër, për dy funksione.

Ose që të konfirmojë që ai që e ka premtuar votën e ka kryer detyrimin ose në të kundërt për ti thënë atyre që janë jashtë se ai që ka thënë se do të votojë për PS-në nuk është paraqitur ende.

Nga ky moment tre katër makina që janë jashtë, nën udhëzimin e patronazhistit që ka kontaktet gjejnë njeriun që ua ka prrmtuar votën por nuk ka vajtur ende ta hedhë atë.

Kur gazetari e pyet vëzhguesin socialist se përse po mban shënime, ai me një naivitet të shtirë i thotë se po mban statistika për të para se sa vetë kanë votuar. Kur gazetari shkon tek pajisja elektronike që të vërtetojë se kjo punë bëhet përmes teknologjisë, rilindasi bën të paditurin duke thënë se nuk e dinte që këtë punë e bënë edhe makineria.

Natyrisht kjo është vetëm maja e ajsbergut e një skeme manipulimi që ka funksionuar në mënyrë kapilare. Por kjo video demostron nga njëra anë se si ka punuar makineria e patronazhistëve, që siç e kemi parë në listat e rrjedhura dy vite më parë kanë të skanuara edhe hallet e kërkesat që ka çdo votues, për të nxitur njerëzit të votojnë në këmbim të benefiteve shtetërore.

Nga ana tjetër ajo ilustron atë që tha gjatë konferencës së shtypit kryevëzhguesja Audrey Glover: ‘E theksova dhe më parë në lidhje me personat që detyroheshin të votonin për një forcë të caktuar. Autoritetet, disa herë tentonin të ndihmonin që kjo të ndodhte. Pati disa raste të tilla. Ndaj këto manipulime dhe kërcënimet që u bëhen njerëzve për të votuar për një forcë të caktuar, duhet të ndalohen’.

 

About Redaksia

Check Also

Absurdi me 2 TEC-et lundruese në Vlorë! Qeraja 3-fish më e lartë se blerja

Dy termocentralet lundruese që janë vendosur në zonën e Triportit në Vlorë, jo vetëm që …

Leave a Reply