Një përgjigje e detyruar për personat që gëzohen nga situata e Opozitës

Nga Andi MUSTAFAJ

Kam dy ditë që ndjek me vëmendje hartën e vendit tim teksa njolloset në mënyrë progresive dhe të gjithanshme nga ngjyra mavi e Rilindjes. Kam dy ditë që ndjek gjithashtu një numër të madh personash, miq e të panjohur, teksa gëzohen e festojnë në rrjetet sociale për humbjen e opozitës së bashkuar.

Nuk dua të trajtoj këtu çështjen e manipulimeve të këtyre zgjedhjeve. E kam trajtuar dhe do vazhdoj ta trajtoj në shkrime dhe ndërhyrje të tjera. Dua thjesht t’ju përgjigjem me emocionin tim pozitiv emocionit të tyre negativ.

Nëse do të ishte ngjyra e Partisë sime që do njolloste në atë mënyrë Shqipërinë do ngrija zërin dhe do shqetësohesha shumë. Nuk do te gëzohesha asnjëherë për një përqendrim kaq të madh të pushteteve në duart e një njeriu dhe nëse një gjë e tillë do ndodhte do prisja një drejtues të urtë që të gjente mekanizmat për ta rregulluar.

Njerëzit kanë krijuar institucionet siç i njohim që ti mbrojnë nga vetja, që ti lirojnë nga prangat që i vendosin njëri tjetrit. I kanë krijuar që ato të luajnë një rol përtej trupit të tyre fizik, në dobi të interesit të numrit më të madh dhe për të mbështetur ëndrrat e tyre të përbashkëta.

Ujk për veten, njeriu krijoi mite qe ti udhëzoj. U deshën shekuj që kjo të ndodh. Shekuj gabime, shekuj nënshtrime, shekuj zhgënjime. Të verbër ndaj peshës së historisë ne i marrim të mirëqena, duke harruar se historia që harrohet është e destinuar që të përsëritet.

Prishja e ekuilibrave që mundësojnë funksionimi i institucioneve demokratike të një vendi duhet të jetë një lajm i cili duhet të shqetësoj deri ne shpirt çdo qytetar shqiptar, që jeton në Shqipëri ose jo.

Fatkeqësisht propaganda e Rilindjes bën çdo gjë që vëmendja të çohet tjetër kund. Jo te kapja tërësisht jo logjike dhe prishja e balancave jetësore por tek kryqëzata kundër një personi, Sali Berisha. Në këtë mënyrë tentojnë në të njëjtën kohë të delegjitimojnë çdo gjë që demokratet dhe opozita shqiptare kanë ndërtuar prej me shumë se një viti.

Ndaj ndjej përgjegjësin që përmbi zhurmën shurdhuese që po na mbërthen për të na hutuar të kujtoj disa fakte dhe disa vlera të rëndësishme që as vjedhja dhe as humbja e këtyre zgjedhjeve nuk ndryshon. Vetëm pastaj, të pa parazituar nga mendime të jashtme mund të tentojmë një vlerësim të situatës së zgjedhjeve dhe të opozitës së bashkuar.

  1. Mbrojtja e Zotit Sali Berisha kur u përjashtua nga Partia Demokratike ishte veprimi i duhur për të gjithë personat parimor sepse asnjë njëri nuk mund të dënohet pa prova;
  2. Lëvizja e Foltores ishte ngjarja më interesante politike e 10 viteve të fundit. Çfarëdo të thuhet, ishte vërshimi i njerëzve të lirë në to që mundësoi suksesin e saj dhe u arrit rrëzimi politik i një Kryetari në detyrë nga baza, gjë e jashtëzakonshme në politikë;
  3. Ndryshimi i ekuilibrave në Partinë Demokratike e bënte të pashmangshme mbajtjen e zgjedhjeve të reja për kryetarin e saj. U takon njerëzve te vendosin dhe kjo ju është mohuar nëpërmjet marifeteve juridike të një grupi të vogël njerëzish;
  4. Mos ndalimi i kandidimit të Zotit Lulzim Basha apo kujtdo tjetër për Kryetar të PD ishte veprimi i duhur. Askush nuk duhet të përjashtohet nga e drejta e kandidimit;
  5. Primaret mundësuan që si asnjëherë më parë, që çdokush të mund të kandidonte të qenë kandidat për kryetar bashkie. Ishte gjeja e duhur për të vazhduar mbi parimet dhe dinamiken e Rithemelimit;
  6. Strukturat e Partisë Demokratike janë më të strukturuara dhe më të efektshme sot sesa përpara Rithemelimit dhe kjo pavarësisht problematikave të lidhura me “vulën”.
  7. Kushtet në të cilat është zhvilluar fushata e zgjedhjeve të 14 Majit janë më të vështirat që një grupim politik ka njohur në Shqipëri por edhe më gjerë në Europë gjatë 30 viteve të fundit. Megjithatë kandidatët e Opozitës së Bashkuar qëndruan pozitiv dhe konstruktiv për ti mundësuar të drejtën e zgjedhjes qytetarëve shqiptarë.

Këto janë fakte të rëndësishme. Janë parime, vendime dhe vlera themelore që duhet ti ndjekim gjithmonë. Nëse përthyejmë rregullat sipas personit apo qëllimit që kemi përballë atëherë ne bëhemi të padenjë për të drejtuar, tregon karakter të dobët që do na shtyj në mënyrë të sigurtë drejt korrupsionit dhe krimit.

About Redaksia

Check Also

Pse ishtë “gjë e mirë” ky lajmi i shpërndarë për Parashqevi Simakun?

Nga Adriana KALAJA Kur shoh këtë histerinë kolektive për Parashqevinë, me gjithë mirënjohjen pafund që …

Leave a Reply