“Spaçi” si peng i perversitetit dhe të menduarit kriminal

Nga Agim BAÇI

Në mars të vitit 2017, në një shkrim të botuar në gazetën “Dita”, F. Ç., mbronte vendimin e pushkatimit të dy poetëve, Vilson Blloshmi dhe Genc Leka. Arsyetimi i tij se ata të dy ishin “sabotatorë të sistemit socialist” ishte një nga majat e perversitetit që është shfaqur në këto 32 vite ndryshimesh politike. Guximi për ta artikuluar publikisht mbrojtjen e zemrës kriminale të atij sistemi ishte dhe ironia ndaj shoqërisë që nuk pa në sy vetveten për shumë vite edhe kur ishte përballë fakteve të forta për kriminalitetin e atij sistemi.

Kjo pjesë e fortë e mbijetesës së djallëzisë së ardhur nga diktatura, e shfaqur përmes shkrimeve të tipit të F. Ç, ishte paraprirë në fakt nga një sondazh i kryer nga zyra e OSBE-së në Tiranë që nxirrte një përqindje të madhe të nostalgjikëve të kohës së diktaturës, që nuk e fshihnin më adhurimin e tyre edhe pas nxjerrjes në dritë të natyrës kriminale të atij sistemi.

Me kurajon për të mbrojtur publikisht krimet në atë sistem, F. Ç dhe të tjerë, veçse përforcuan në atë kohë faktin se ne kemi dështuar në një nga misionet më të rëndësishme për një shoqëri- në krijimin e një mundësie pendese nga ata që kryen krime dhe falja nga ata që u privuan nga liria vetëm e vetëm se mendonin ndryshe. Dhe të jetosh pa pendim, të mos guxosh të thuash të vërtetën, do të thotë se je ende nën petkun e krimit dhe se nuk je çliruar prej atij mentaliteti. Mjafton këtu të përmendim faktin se, ish pjestarë të togave të pushkatimit, nuk kanë guxuar as edhe pas 32 viteve t’u tregojnë disa familjarëve për eshtrat e të afërmve të tyre – gjë që nuk ka precedent të ketë ndodhur në asnjë regjim tjetër, pasi për vdekjen dhe të vdekurin ka një respekt të përbotshëm. Ndërkohë që ai sistem i shkuar, e mbante të burgosurin edhe të vdekur pa ia dorëzuar familjarëve, deri sa të mbusheshin vitet e dënimit!!!. Një veprim i tillë monstruoz nuk ka shpjegime logjike për t’u mbrojtur. Aq më pak për të ngritur alibira justifikuese.

Por, në fakt, çfarë ka ndodhur në këto 32 vite? Në fillim nuk kemi dashur të besojmë misionin e shumë ish- komunistëve, e sidomos shumë ish bashkëpunëtorëve të Sigurimit famëkeq, për t’iu bashkangjitur politikës, nga ku u bllokua një proces i tërë i zbardhjes së të shkuarës. Entuziazmi për të ngritur një shoqëri larg dhunës dhe fjalia famëkeqe “bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë” la pezull ndëshkimin moral të krimeve në diktaturë, edhe pse në kohën e qeverisë “Meksi” ishte në fuqi ligji për “Lustracionin” dhe ku u dënuan rreth 20 ish funksionarë me akuzën “Për Krime Kundër Njerëzimit”.

Për fat të keq, ajo pjesë e shoqërisë që vinte nga bashkëpunimi me të shkruarën kriminale, si ideatorë apo të përdorur, bëri që të gjitha projektet për të zbardhuar të shkuarën komuniste të mbeteshin pezull, siç janë ende edhe pse kanë kaluar disa ligje për publikimin e tyre.

Librat si ai i At Zef Pllumit, Ejll Çobës, Agim Mustës, Lek Pervizit, Lekë Tasit, Fatos Lubonjës, Kastriot Dervishit, Dashnor Kaloçit, apo edhe shumë studime nga Instituti i Studimeve për Pasojat e Krimeve të Komunizmit, që tregonin krimet komuniste, erdhën në një kohë kur vëmendja nuk ishte më në zbardhjen e së shkuarës, ndërkohë që jeta rozë apo kujtimet e ish anëtarëve të “Bllokut” prej kohësh kishin pushtuar gazeta, televizione e aktivitete të ndryshme, jo pak herë të mbështetura edhe nga fonde publike. Ndërkohë që nën mbrojtjen politike shumë ish pjestarë të sigurimit famëkeq rezultuan efikasë në presionin ndaj ish bashkëpunëtorëve të tyre që i kishin detyruar të firmosnin me dhunë.

Për të kuptuar betejën ideatorë – të përdorur vlen ajo që shkruante dje Prof. Sami Repishti (“Shprehja ‘armik i popullit’, si histori dhe paralajmërim”, Panorama 16/03/2017), teksa kujtonte bisedën me ish funksionarin e Sigurimit më 1948, Gjovalin Mazrekun, që i shpjegonte se, sistemi arkivor i spiunëve mbahej për informatorët që ishin rekrutuar nga ish pronarët apo kundërshtarët politikë, ndërkohë që për ideatorët dokumentet do të zhdukeshin menjëherë nëse rrëzohej sistemi. E në fakt, duket se ajo çfarë ka paralajmëruar Mazreku ka ndodhur, duke lënë më shumë hije se sa dritë në atë që ka ndodhur realisht me shqiptarët.

Po, a ishin të gjithë kriminelë ata që mbështetën komunzimin, sistemin e shkuar? Më mirë se kushdo e ka shpjeguar shkrimtari i famshëm çek, Milan Kundera, teksa thekson se, “regjimet kriminale nuk u krijuan nga kriminelë, por nga entuziastë, të bindur se kishin zbuluar të vetmen rrugë për në parajsë. Ata e mbrojtën me aq vendosmëri atë rrugë për në parajsë. Ata e mbrojtën me aq vendosmëri atë rrugë, sa u detyruan të vrisnin shumë njerëz për t’ia arritur qëllimit. Më pas u bë e qartë se nuk ezksitonte asnjë parajsë dhe se entuziastët ishin veçse vrasës”.

Pikërisht vijimi i mbrojtjes së atij entuziazmi që i çoi në krim apo në bashkëpunim moral një pjesë jo të vogël të shoqërisë shqiptare, edhe pasi janë publikuar tashmë krime makabre të Enverit me shokë, është edhe e keqja jonë që vijon të na përkulë çdo ditë duke mos na lënë të shikojmë si duhet të nesërmen tonë. Sepse kushdo që nuk ka kurajë të shohë në sy të shkuarën nuk mund të jetë i drejtë për të ardhmen. Dhe për këtë pafuqi për të lexuar të djeshmen ne të gjithë duhet të ndihemi të turpëruar. Sepse kjo këmbëngulje për të mos pohuar mëkatin është i rëndë jo vetëm për ne, por edhe për brezat që do të vijnë, të cilët do të na shohin si një shoqëri të gënjeshtërt, pa kurajë, pa guxim ppër të parë të vërtetën në sy.

E një popull që nuk ja thotë të vërtetën vetvetes nuk mund të pretendojë se do arrijë të shkojë drejt zgjedhjeve politike përmes dinjitetit të votës së tij, përmes fuqisë për të zgjedhur ai me vullnet.

About Redaksia

Check Also

Rama-Dumani – kampioni i anti-korrupsionit nuk prek kampionët e korrupsionit

Nga Basir ÇOLLAKU Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, ka sanksionuar Altin Dumanin, kreun e Strukturës së …

Leave a Reply