Si u manipulua procesi i votimit në Kuçovë, PL publikon provat

Partia e Lirisë ka denoncuar ditën e sotme procesin e votimit për zgjedhjet e 14 majit në bashkinë e Kuçovës, duke e cilësuar numërimin si tërësisht të kompromentuar edhe pas denoncimeve të kandidatit të ‘BF’ Lefter Maliqi.

Sipas tyre, ambienti i numërimit në bashkinë e Kuçovës ishte i ndarë në dy dhoma, ku njëra prej tyre nuk survejohej me kamera, ishte e pandriçuar dhe që përmbante shumë materiale të tjera.

Po ashtu, sipas PL, pati kaos dhe tension të qëllimshëm brenda ambienteve të numërimit dhe konfrontime, të cilat e shkëputën shumë shpesh procesin e numërimit.

Më tej PL tregon ndër disa akuza se në një numër të konsiderueshëm kutish, u konstatuan parregullsi dhe mungesa dokumentacionesh, si procesverbale dhe mungesë vulash në materialet brenda në kuti.

Deklarata e plotë e Partisë së Lirisë

Të nderuar qytetarë,

Procesi i votimit për zgjedhjet e 14 Majit dhe procesi i numërimit në bashkinë e Kuçovës, është tërësisht i kompromentuar dhe për këtë do t’ju japim një mal me prova, të cilat janë bërë pjesë e kallëzimit që kandidati i koalicionit Bashkë Fitojmë, Z. Lefter Maliqi, ka bërë në SPAK, por edhe pjesë e procesit të kontestimit pranë Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve:

1) Së pari, ambjenti i numërimit në bashkinë e Kuçovës ishte i ndarë në dy dhoma, ku njëra prej tyre nuk survejohej me kamera, ishte e pandriçuar dhe që përmbante shumë materiale të tjera. Në të gjendet edhe sot një derë lidhëse e fshehtë me ambjentet e shkollës përkarshi, e cila nuk u mbyll gjatë procesit të numërimit. Pavarësisht kërkesave të vazhduara të anëtares sonë të KZAZ-së për të mbyllur derën, kjo gjë nuk u pranua nga pjesë tjetër e KZAZ-së; (FOTO 1)

2) Së dyti, pati kaos dhe tension të qëllimshëm brenda ambjenteve të numërimit dhe konfrontime, të cilat e shkëputën shumë shpesh procesin e numërimit;

3) Një tjetër fakt, është njollosja e qëllimshme me bojë vule, e shumë fletëve të votimit për kryetar bashkie në kutitë e qytetit, për t’i bërë votat të pavlefshme;

4) Në një numër të konsiderueshëm kutish, u konstatuan parregullsi dhe mungesa dokumentacionesh, si procesverbalë dhe mungesë vulash në materialet brenda në kuti;

5) Në 2 kuti të qytetit, konkretisht në QV-në nr. 3516 (Vodëz) dhe 3528/1 (Teknikumi), pati mospërputhje vulash sigurie, të konstatuara nga Grupi i Numërimit të Votave dhe të kontestuara nga anëtarja e koalicionit Bashkë Fitojmë në këtë grup numërimi;

6) Kamera e sigurisë (e cila në këto zgjedhje ishte vetëm një, ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, ku gjithë ambjenti monitorohej me kamera sigurie) nuk kishte fushëpamje mbi tavolinën 5 të numërimit; (FOTO 2)

7) Vëzhguesja e tavolinës nr. 5, që theksoj ishte e pa kontrolluar nga kamera e sigurisë, u ankua disa herë për parregullsi nga anëtarët numërues, konkretisht për kalim votash të pavlefshme në favor të kandidatit të Rilindjes dhe në vend të merreshin masa mbi grupin e numërimit, KZAZ, në mënyrë të paligjshme, mori vendim për nxjerrjen jashtë të vëzhgueses;

8) Skandaloze është situata në Lumas, ku personat e paraqitur për të votuar nuk ishin ata që paraqiteshin në kartat e ID. Ky fakt është konstatuar nga komisioneri i BF në QV nr. 3417, në fshatin Krekëz, i cili ka mbajtur shënimet përkatëse. Ne kemi verifikuar se shtetasit, karta e të cilëve është paraqitur nga persona të tjerë për votim, ndodhen jashtë territorit të Shqipërisë që prej muajve shkurt dhe mars, fakt i cili është depozituar edhe në kallëzimin tonë në SPAK. Konkretisht, shtetasi me inicialet L.T., i datëlindjes 11.02.1985, është larguar drejt Greqisë në datën 27.02.2023;

9) Një tjetër fakt skandaloz është ai i votimit në grup, të cilat janë provuar me foto nga vëzhguesit tanë ;

  1. Një tjetër fakt është ai i votimit jashtë qendrës së votimit, cka evidentohet me foto. Ky krim zgjedhor ka ndodhur në Qv-në nr. 3527 dhe 3527/1, Kopshti Nr. 3; (FOTO 3)
  2. Një tjetër provë e manipulimit të procesit është vula e Kryetarit të QV-së nr. 3504, në Kozare, e cila nuk ndodhej brenda materialeve të votimit në kuti, por është fshehur nga Kryetari i KZAZ-së në një kuti tjetër, çka është evidentuar edhe me foto. Gjithashtu kjo vulë, ka ardhur me zarf të vulosur nga Ministria e Brendshme, ndërkohë që i vetmi institucion, i ngarkuar me ligj për shpërndarjen e materialeve zgjedhore, është KQZ.
  3. Një ditë përpara zgjedhjeve, ka patur dhunë të hapur të Policisë së Shtetit, ndalime të paligjshme të përfaqësuesve dhe mbështetësve të BF, pa asnjë provë e pa asnjë shkak, vetëm për presion.

Të gjitha këto fakte dhe prova, tregojnë se si Edi Rama shkatërroi zgjedhjet e 14 Majit, duke e kthyer procesin zgjedhor në një proces kriminal e mafioz. Në çdo moment, do t’ju bëjmë të ditur çdo provë dhe fakt me të cilin do të vihemi në dijeni, pa iu shmangur detyrimit për t’a ndjekur këtë proces në rrugë institucionale dhe ligjore. 

About Redaksia

Check Also

Pensionistët dhe shtresat në nevojë do paguajnë çmim më të ulët energjie! Do të ulim çmimin edhe bizneseve

Lideri i opoztës, Sali Berisha ka prezantuar një pjesë të programit ekonomik të Partisë Demokratike, …

Leave a Reply