Kryetari I PD, Sali Berisha tha gjatë fjalës së tij në Parlament se, farsa elektorale 2023 do hyjë në histori si faqja më e zezë në Europë, pas rënies së Perdes së Hekurt. Berisha tha se, në rast se Tom Doshi rriti me 240 përqind blerjet, po Edi Rama me sa përqind e rriti? Duke shpërndarë 33 milionë euro ditën për drekë te 670 mijë pensionistë.
“Së pari, jam këtu në emër të qindra-mijëra qytetarëve shqiptarë, të cilëve me mekanizmat më kriminale, të hapura dhe nën dorë, iu konfiskua vota dhe vullneti i tyre i lirë.
Farsa elektorale 2023, do hyjë në histori si faqja më e zezë në Europë, pas rënies së Perdes së Hekurt.
Në këtë farsë, e cila pati si fitimtar narkoshtetin dhe kartelet e drogës, narkoqeveria e Edi Ramës për herë të parë në 32 vite, përdori zarfin elektoral me 50 mijë lekë për çdo 670 mijë pensionistë, sikundër shpalli dhe realizoi rritje rrogash në mes të fushatës elektorale, me qëllimin e vetëm, blerjen e votës.
Në këtë fushatë elektorale, për të gjithë ata të cilët thonë se rezultati ishte i thellë dhe bëjnë avokatinë e megakrimit elektoral, u them vetëm kaq, partia e blerjes së votës, aleati kryesor i kësaj partie, Tom Doshi rriti mbështetjen e saj me zarfat nën dorë 240 përqind.
Sigurisht, Tom Doshi nuk ka as një të qindtën e pasurisë që administron Edi Rama, as një të mijtën e mekanizmit që disponon Edi Rama.
Në këtë kontekst, blerësi më i madh i votave është Edi Rama me ministrat e tij të krimit. Ata që besojnë se blerja ishte jo e atillë sa të ndryshojë rezultatin, u them se vetëm sa mbroni blerjen dhe kontrollin e votimeve nga qeveria.
Në rast se Tom Doshi rriti me 240 përqind blerjet, po Edi Rama me sa përqind e rriti? Duke shpërndarë 33 milionë euro ditën për drekë te 670 mijë pensionistë.
Cili vend në botë ka bërë një akt në mes të procesit zgjedhor?
Edi Rama ia doli të angazhojë të gjithë bandat në Shqipëri, t’i bashkojë ato me presione dhe trysni të tmerrshme ndaj qytetarëve, të shërndajë qindra milionë euro me të cilat rrëzoi përtokë monedhën evropiane. Nuk po llogaris qindra milionë euro të përdorura nga janari gjer më sot me asfalte elektorale, zhavorre elektorale, mijëra legalizime elektorale.
Terrori që u ushtrua mbi bizneset dhe qytetarëve, avokatinë e shpifur për të cilën pagoi miliona, në një propagandë të pashembullt, me të cilën thirrej haptas: Rroftë hajduti, rrofshin kriminelët elektoralë, lavdi vjedhjes së votës.
Por nga ana tjetër u kaluan në sulme për likuidim fizik ndaj eksponentëve të opozitës në Vaun e Dejës, në Lezhë, në keqtrajtime barbare të komisionerëve të saj.
Ky parlament qëndron mbi krimin çdo ditë që pajtohet me këtë. Ndaj jam këtu për të dënuar me ashpërsinë më të madhe këtë farsë të turpshme zgjedhore, të pandodhur kurrë më parë, për t’u bërë shqiptarëve thirrje të marrin në dorë fatin e lirive tona, për t’u përulur me nderimin më të madh përpara atyre 500 mijë burrave dhe grave që nuk pranuan të blihen dhe shiten por qëndruan besnikë të idealeve të tyre”, u shpreh Berisha.
Check Also
Banorët e Roskovecit protestojnë kundër ndërtimit të TEC-it
Dhjetëra banorë të pesë fshatrave të Roskovecit protestuan kundër miratimit të një projekti për ndërtimin …