Lideri i opozitës, Sali Berisha denoncoi në “Çim Peka Live” blerjen e votave në 14 Maj me paratë e krimit dhe ato të qeverisë. Berisha tha se, dëshmia më e fortë për blerjen e votave është rritja e partisë së Tom Doshit nga 27 mijë vota 86 mijë vota.
“U blenë nën dorë me para krimi dhe para të qeverisë, votat. Dëshmia më flagrante e kësaj është partia e Doshit e cila nga 27 mijë vota shkoi në 86 mijë vota, u rrit 310%. Jashtë çdo lloj dyshimi se blerës absolut më i madh është Edi Rama. Partitë janë lojtarë, por zgjedhjet janë për qyhtetarët dhe shoqërinë. Ky agresion që iu bë qytetarëve në këtë fushatë, është më i egri që mund të jetë bërë ndonjëherë ndaj votës së tyre të lirë”, tha Berisha.
Berisha tha se, administrata u shndërrua në makineri terroriste ndaj zgjedhësve.
“Aktivistë, patronazhistë, duke kërcënuar me mijëra zgjedhës se do të pësosh këtë e atë, duke kërcënuar me jetë se të bëj copë, o votën o kokën. Nuk kisha dëgjuar ndonjëherë nga administrata një kërcënim të tillë. Një gjobitje masive në funksion të fushatës. Dhjetëra, qindra e mijëra lokale u prenotuan nga aktivitët dhe patronazhistët, të gjitha të paguara me detyrim nga biznesmenët, këtu do derdhësh 20 mijë euro…dhe kur njëri prej tyre do thoshte kam shpenzuar 50 mln, ti ke fituar 150 mln nga ne, mos e përmend këtë histori…”, tha Berisha.