Ish-ministri i Ramës: Votat u blenë, po pastrohen para, Shqipëria qeveriset nga pakica

Z. Lleshaj, pse Shqipëria është ende në kategorinë e regjimeve hibride me demokraci në tranzicion?

Një vend nuk bëhet demokratik duke ndërruar disa tabela. Në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar te ne e morën shumë thjesht këtë punën e demokracisë, si një punë mbishkrimesh. Fjalën komunist e zëvendësuan, sipas rastit, me demokrat apo socialist dhe kaq. Partia Komuniste u bë ose demokratike ose socialiste; komunistët u bënë ose demokratë ose socialistë; drejtuesit e vjetër u bënë pronarët e rinj. Por, demokracia nuk është kaq e thjeshtë. Ajo nuk është një gjendje e vetëkuptueshme natyrore e njeriut, por rezultat i një përpjekjeje të gjithanshme të individit dhe të mbarë shoqërisë. Demokracia bazohet tek qytetari i lirë, i cili ka të gjithë pjekurinë për të administruar lirinë dhe për të ushtruar përgjegjësitë e tij.

Qytetari i lirë është një status që arrihet edhe përmes edukimit, jo një dhuratë. Në diktaturë ne ishim shtetas, subjekte të rreshtuar në struktura të ndryshme shtetërore dhe të detyruar për të bërë gjëra që i përcaktonin ata që ishin në krye të rreshtave tanë. Demokracia bazohet jo tek shtetasit, por tek qytetarët. Qytetarët! Dhe këtu nuk flasim për një ndryshim termash, por për një diferencë madhore në përmbajtje. Qytetarët nuk janë shtetas. Në ndryshim nga shtetasit, qytetarët nuk rreshtohen, ata nuk kanë vetëm detyra, por në radhë të parë liri dhe përgjegjësi. Për t’u bërë të tillë ata duhet të aftësohen, të edukohen. Për fat të keq tek ne kjo gjë nuk është kuptuar as dhe vetëm në teori. Madje edhe kushtetuta jonë flet për shtetas, legjislacioni ynë flet për shtetas. Të gjithë, politika, media, shkolla flasin për shtetas. Ndryshe nga gjithë bota demokratike, te ne me qytetar kuptohet banori i qytetit dhe jo bartësi autentik i demokracisë. Për sa kohë që demokracinë ta konsiderojmë thjesht si një mbishkrim, ne hibrid do të mbetemi.

Si e lexoni raportin e “Freedom House”, sipas të cilit institucionet sfidohen nga politika partiake klienteliste, nga zvarritja e vetingut dhe korrupsioni i shfrenuar dhe se mediat e pavarura po tkurren?

Këto raportet ndërkombëtare janë të dobishme, pasi na japin një pasqyrë, edhe pse disi të turbullt, ku ne mund të shohim veten në mungesë të pasqyrave tona. Por, “Freedom House” vetëm tri kategori kryesore ka për të klasifikuar vendet: pa liri, pjesërisht të lira dhe të lira. Aty nga viti 1992 ne kaluam nga grupi i vendeve pa liri në atë të vendeve pjesërisht të lira dhe ashtu kemi mbetur edhe sot; një ngjyrë tjetër në hartën e Evropës së bashku me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ndonjë vend tjetër.

Ndryshimi i kategorisë dhe kalimi në atë të vendeve të lira kërkon një përpjekje të jashtëzakonshme nga të gjithë, në radhë të parë nga vetë qytetarët, e më tej nga politika, institucionet, ekonomia, mediat e shoqëria në tërësi. Për kalimin nga grupi i vendeve pa liri në atë të vendeve pjesërisht të lira në fillim të viteve 90-të, krijimi i partive politike dhe i medias jo zyrtare luajtën një rol të madh. Për t’u ngjitur në “ligën” e vendeve të lira sot përsëri partitë dhe media janë me shumë rëndësi. Vetë ato duhet të bëhen të lira dhe moderne, ndërkohë që sot janë kryesisht grupe interesi. Ky transformim nuk është i thjeshtë, pasi ende nuk dihet mirë se kush do ta bëjë. Vetëm një presion i fortë dhe i gjithanshëm publik, në aleancë me miq e partnerë ndërkombëtarë të Shqipërisë, mund të imponojë ndryshimin e madh të radhës. Për të mundësuar këtë hap të madh cilësor, të dytin pas atij të viteve 90-të, kërkohet një sforcim i ngjashëm si asokohe.

A duhet veting edhe për politikanët?

Nuk më ka entuziazmuar asnjëherë ideja e vetingut, ndoshta edhe për shkak të origjinës veterinare të këtij termi. Kam përshtypjen se tek ne është mjaft e përhapur një përtaci mendore dhe një naivitet i theksuar lidhur me kuptimin për rolin e ligjit. E kemi shumë të lehtë të besojmë se duke e cilësuar si vepër penale një fenomen, apo duke krijuar një strukturë të posaçme përgjegjëse për këtë, një farë roje, do ta zgjidhim problemin. Latinët e stërholluar e kishin parë herët grackën që krijohet nga rojet e shumta, kur pyesnin: “Quis custodiet ipsos custodes? (Kush i ruan rojet?). Ato vetë bëhen një problem i ri kur shtohen pa lidhje. Unë mendoj se ne nuk arrijmë ndonjë gjë substanciale afatgjatë përmes vetingut të politikanëve, thënë ndryshe krijimit të “rojeve” të tjera.

E vetmja gjë konkrete në këtë rast do të ishte krijimi i një iluzioni të ri si dhe krijimi i një strukture të re, e cila do të shpërndante indulgjenca për disa e do të dënonte disa të tjerë, por pa arritur gjithsesi ndonjë ndryshim themelor në sistem. Vetingu, sipas versionit shqiptar të zbatuar deri tani, është një proces i vënies nën dyshim të përgjithshëm të të gjithë pjesëtarëve të një kategorie të caktuar profesionistësh, të cilët duhet të provojnë vetë më pas se dyshimi i ngritur nuk qëndron. Kjo qasje, në thelbin e saj, është një përmbysje e konceptit bazë të së drejtës. Madje tek ne një qasje e tillë u refuzua para disa vitesh, edhe kur u kërkua që ajo të aplikohet ndaj personave të dënuar për vepra të rënda penale, të cilët duhej të provonin ligjshmërinë e pasurisë së tyre. Kujtoni tentativën për Operacionin Forca e Ligjit.

Të vendosësh politikanët në një pozitë ligjore më të vështirë edhe se sa personat me rekorde kriminale të provuara më duket pa kuptim. Ne e kemi një kod penal, i cili i ka të parashikuara veprat penale edhe për politikanët që shkelin ligjin. Madje, si rrallëkund në botë, kemi ndërtuar edhe struktura të posaçme të policisë, të prokurorisë dhe të gjykatës, të cilat duhet të godasin rastet e shkeljes së ligjit ndër politikanët e vendit. Çfarë kuptimi do të kishte tani një proces dhe një strukturë tjetër vetingu? Në të vërtetë kurrëfarë kuptimi real, përpos krijimit të një iluzioni të ri dhe një tymnaje të re propagandistike. Për aspektet ligjore tashmë kemi Kodin Penal dhe SPAK, ndërkohë që për të tjerat do të duhet t’u besojmë qytetarëve, të cilët gjykojnë politikisht përmes votës. Çdo përpjekje tjetër për të shndërruar normat etike dhe morale në paragrafë ligjore, në thelbin e vet, është ekstremizëm. Duhet të mos harrojmë se talebanët, për shembull, pikërisht për këtë dallohen: kthimin e moralit në ligj.

Zgjedhjet lokale a janë një shembull fatkeq…? Pse Shqipëria e ka kaq të vështirë që të bëjë zgjedhje të lira?

Idiotësia përkufizohet si përpjekja për të përsëritur pa fund të njëjtin eksperiment, duke shpresuar çdo herë rezultate të ndryshme prej tij. Zgjedhjet lokale dhe ato të përgjithshme janë dhe do të jenë përherë një shfaqje e pa denjë, për sa kohë ato bëhen krejt ndryshe nga vendet e tjera demokratike. Për sa kohë që kjo gjë do të vazhdojë kështu, nuk mund të bëhemi naivë për të shpresuar ndonjë rezultat tjetër. Ne zgjedhim ndryshe nga bota. Zgjedhjet tek ne organizohen dhe administrohen nga vetë partitë politike, të cilat janë në konflikt flagrant interesi. Tek ne, numërimi i votave kryhet në pallate sporti nën ovacionet e shëmtuara të tifozëve partiakë, ndërkohë që në vendet e tjera numërimi kryhet në qendrën e votimit. Në ndryshim nga bota demokratike, identifikimi i votuesve, përmes biometrisë, damkosjes me bojë dhe masave të tjera është etikisht irritues e paragjykues dhe ekonomikisht tmerrësisht i shtrenjtë dhe plotësisht i pajustifikueshëm.

E si mund të presim një produkt normal si gjithë bota nga zgjedhjet, kur ato i bëjmë si askush tjetër? Përveç mënyrës se si organizohen dhe zhvillohen zgjedhjet, a ka ndonjë problem tjetër që lidhet me përmbajtën e tyre?

Sigurisht që po. Në Shqipëri voton pakica dhe si rrjedhojë pakica qeverisë. Kjo gjendje përbën një problem themelor kushtetues. Është një fakt i pakundërshtueshëm se pasaportën shqiptare sot e mbajnë mbi 4,5 milionë qytetarë, gjysma e të cilëve jeton jashtë vendit në pamundësi reale për pjesëmarrje në zgjedhje. Diaspora shqiptare nuk është ndonjë problem, por një potencial jetik i jashtëzakonshëm për Shqipërinë. Ajo është pjesë substanciale e identitetit të vendit. Pa diasporën, demokracia shqiptare nuk mund të jetë kurrë e plotësuar. E njëjta gjë vlen të thuhet për ekonominë, kulturën etj.. Është shpenzuar tashmë e gjithë propaganda dhe retorika boshe lidhur me votimin e kësaj gjysme të popullit shqiptar.

Madje dhe Gjykata Kushtetuese i ka shkruar disa fraza të thata për këtë temë. Për të dalë nga spiralja e retorikës boshe, të dalë boje tashmë, mendoj se ka ardhur kohë për dy vendime të rëndësishme: Së pari, diaspora duhet të fitojë mundësinë reale për të votuar aty ku është. Së dyti, dhe kjo është kryesorja, diaspora duhet të votojë për veten dhe jo për ne. Që të ndodhë kjo, mendoj se është e domosdoshme që Kuvendi i Shqipërisë duhet të hapë dyert për diasporën. Asaj i duhet dhënë një numër substancial dhe jo simbolik mandatesh, ashtu siç bëjnë shumë vende të tjera me diaspora të rëndësishme. Të paktën 40 për qind e mandateve, aq sa është madhësia e diasporës në raport me numrin e përgjithshëm të popullsisë, duhet t’i përkasin asaj. Ne na duhen zona zgjedhore të dedikuara në vendet me përqendrimin më të madh të diasporës. Përveç zonave të njohura zgjedhore të vendit, na duhen edhe zona të reja zgjedhore me emra të tillë si Itali, Greqi, Gjermani, Angli, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada, etj., në të cilat kandidojnë përfaqësues të vetë diasporës. Natyrisht që kalimi i mandateve në diasporë do të duhet të shoqërohet me reduktimin e tyre brenda vendit, për të mos shtuar mandate të tjera.

Vetëm kur të krijohen kushte për votimin e diasporës aty ku ajo është dhe për përfaqësuesit e saj, mund të besojmë se kemi bërë një hap të qenësishëm në drejtim të demokracisë. Ashtu sikundër diaspora ka shpëtuar Shqipërinë nga rrënimi ekonomik pas rënies së komunizmit, po ashtu ajo mund të shpëtojë demokracinë e saj, përmes pjesëmarrjes aktive në jetën politike. Ashtu sikundër pranojmë paratë e diasporës këtu, po ashtu duhet të pranojmë përfaqësuesit politikë që ajo dërgon në Kuvendin e Shqipërisë. Diaspora nuk duhet vetëm të paguajë për ne, por edhe të marrë vendime. Votat e rreth dy milionë qytetarëve të lirë të diasporës do të ishin oksigjeni i munguar i zgjedhjeve tona të vobekta dhe të molepsura nga meskiniteti dhe primitivizmi. Vota e qytetarëve të lirë të diasporës do t’u jepte zgjedhjeve tona legjitimitetin e munguar demokratik dhe numerik. Me atë votë do të mund të arrihej edhe masa e domosdoshme kritike për të shpresuar cilësi nga procesi demokratik.

A vendosi krimi rezultatin e 14 majit? A besoni se bandat ushtruan kontroll mbi votën?

Unë besoj se ne patëm zgjedhje korrekte, sipas sistemit zgjedhor që kemi. Është për të qeshur kur dëgjon deklaratat euforike të drejtuesve politikë për zgjedhjet e fituara, në mëngjesin e të Dielës së zgjedhjeve dhe është për të qarë të dëgjosh mallkimet e tyre për vjedhjet të Hënën. Zgjedhjet nuk mund të vidhen të Dielën në darkë. Por nga ana tjetër, nëse duam të jemi të ndershëm me veten, duhet të pranojmë se joshja për t’u zgjedhur tek ne është e jashtëzakonshme. Është shumë e vështirë të identifikohen motive racionale, të cilat mund të justifikojnë përpjekjet e hatashme për t’u bërë kryetar bashkie në ndonjë provincë të Shqipërisë. Duket më shumë se absurd stërmundimi i shumëkujt për t’u bërë “shërbëtor i popullit” në një post me pagë krejt modeste. Në zgjedhje nuk marrin pjesë bandat, por partitë. Ndaj ne duhet ta drejtojmë krejt vëmendjen tonë drejt sistemit zgjedhor dhe partive për çdo paudhësi që vërehet në zgjedhje. Bandat në rastin e zgjedhjeve mund të jenë përgjithësisht të përdorura.

A kemi të bëjmë me një industri të mirëfilltë të blerjes së votës?

Nuk kemi vetëm blerje të votës, por edhe shitje të saj. Pra kemi dy palë në këtë proces: shitësit nga njëra anë dhe blerësit nga ana tjetër. Nëse do të pranonim që kemi një industri të blerjes së votës, do të duhet të besojmë se shumica e votuesve e shesin atë. Unë kësaj gjëje nuk i besoj. Me këtë nuk dua të mohoj praninë shqetësuese të këtij fenomeni. Ekzistojnë shitësit dhe blerësit, ku të parët dominojnë në numra. Shitësit janë qytetarët, ose më mirë të themi shtetasit, pasi qytetarët e dinë mirë se çfarë është përgjegjësia dhe nuk e shesin dinjitetin për një copë bukë. Që të reduktojmë përmasat e shitjes së votës duhet të “reduktojmë” numrin e shtetasve dhe të shtojmë atë të qytetarëve. Kjo gjë është e mundimshme dhe kërkon kohë e edukim të mirëfilltë. Si rregull, për këtë duhet të kontribuojnë partitë politike, gjë që tek ne duket pa shumë gjasa për momentin.

Në këto kushte, do të duhet që institucionet dhe shoqëria të bëjë më shumë për këtë. Blerësit e votës janë partitë politike. Dekurajimi i blerjes kërkon kontroll të financave të tyre. Kuvendi i Shqipërisë miraton me ritëm fabrike ligje voluminoze për çdo gjë, ndërkohë që ligji që duhet të rregullojë partitë politike është i vitit 2000, me disa ndryshime kozmetike më vonë. Në ato shtatë apo tetë faqet e tij, ky ligj nuk rregullon pothuajse asgjë, duke i lënë partitë politike, praktikisht jashtë ndoshta dhe mbi ligjin, si grupime të vërteta interesi, ndërkohë që ato duhet të jenë bartëset kryesore të sistemit politik e kushtetues të vendit, me rregulla dhe përgjegjësi të qarta dhe të vendosura në kushte të një kontrolli rigoroz ligjor dhe institucional. Për të dekurajuar blerjen e votës, partitë politike edhe duhet të zvogëlohen. Shqipëria e vogël ka parti anomalisht të mëdha. Krahasuar, për shembull me Gjermaninë, Shqipëria ka rreth 10 herë më shumë anëtarë partie për frymë. Ky nivel i lartë i rreshtimit të shqiptarëve në parti është një faktor i konsiderueshëm që shumëfishon si nevojën ashtu dhe mundësinë e partive për të blerë vota. Një parti demokratisht e shëndetshme nuk është ajo që ka shumë anëtarë, por ajo që ka shumë votues. Ne duhet të synojmë parti të tilla.

A po rrezikohet asgjësimi i votës së lirë nga krimi ordiner deri te krimi shtetëror?

Rreziku kryesor për lirinë e votës në Shqipëri nuk është krimi, por numrat e reduktuar të votuesve, të cilët i lehtësojnë tentativat kriminale. Pa dyfishimin e numrit të votuesve, përmes pjesëmarrjes së diasporës, vështirë se mund të kemi shpresë për votë realisht të lirë. Votuesit e këtushëm janë përgjithësisht të rreshtuar. Mbi 300 mijë syresh janë anëtarë partish. Nëse këtyre u shtojmë dhe familjarët, rezulton se një pjesë e madhe e votave të brendshme janë të deklaruara. Sa më pak votues të kemi, aq më e lehtë është edhe blerja kriminale e votës së tyre. Përpjekjet e krimit mund të mposhten vetëm përmes masivitetit të votës dhe, para së gjithash, votës së pandikueshme të diasporës, prej të cilës mund të shpresohet një ndryshim substancial pozitiv. Për ta thënë disi më thjesht: është një gjë të blesh disa mijëra vota dhe një gjë tjetër të blesh miliona të tilla.

Ka të drejtë opozita kur thotë se ka miqësi të qeveritarëve me kriminelët…?

Në përgjithësi unë nuk i kushtoj ndonjë vëmendje asaj që thotë opozita sot. Tek opozita, ashtu sikundër edhe qeveria, ndjek më shumë atë që bëhet dhe jo atë që thuhet. Historikisht këtu tek ne ekziston një keqkuptim dramatik për rolin e opozitës. Duket se, edhe në ditët më të mira të saj, ajo përpiqet të kryejë rolin e një “prokurori politik”, duke akuzuar publikisht qeverinë, pa arritur kurrë ndonjë sukses real në terren. Përqendrimi i opozitës në akuzat mediatike dhe artikulimi i pandërprerë i një perceptimi sikur Shqipëria është e pushtuar nga krimi, në të vërtetë nuk e lufton krimin, por vetëm sa krijon një mjegull, një lloj “inflacioni” të vetë perceptimit publik për krimin, duke i krijuar këtij të fundit një mjedis më të favorshëm veprimtarie.

Lidhjet e krimit me pushtetin i luftojnë organet e zbatimit të ligjit dhe drejtësia dhe jo opozita. Ajo ka tjetër mision. Opozita nuk është prokuroria alternative politike, por alternativa politike e vendit. Ajo duhet ta lërë akuzën në dorë të atyre që kanë përgjegjësinë dhe kompetencën profesionale dhe të merret me thelbin e misionit të saj. Ajo duhet të ndërtojë një model politik qeverisjeje alternativ. Sigurisht që kjo gjë është shumë më e vështirë se sa artikulimi i akuzave mediatike. Ndërtimi i modelit kërkon vizion politik, projekte politike bindëse dhe udhëheqës politikë që krijojnë besim. E nëse opozita e ka vështirë të bëjë kaq shumë gjëra, le të bëjë minimumin: të përfaqësohet nga udhëheqës që demonstrojnë qartë vlera demokratike dhe integritet të lartë.

Si mund të vendoset një kontroll i plotë i territorit në të gjithë vendin ndaj krimit të organizuar dhe trafiqeve?

Shqipëria është një vend i sigurt në kuptimin e parametrave kryesorë të sigurisë publike. Nuk besoj se e teproj të them se vendi ynë ka parametra sigurisë të krahasueshme me mesataret e Evropës. Megjithatë një problem serioz vendi e ka. Ky është krimi i organizuar, i cili nuk perceptohet automatikisht përmes indikatorëve të sigurisë publike. Ai, si rregull, nuk duket dhe nuk jep ndonjë impakt dramatik në sigurinë publike sot. Impakti i tij është i ngadalshëm dhe do të ndihet nesër apo pasnesër, kur të jetë vonë për ta luftuar e vënë në kontroll. Krimi i organizuar nuk kërkon dhe nuk bën domosdoshmërisht luftë në rrugë.

Në vend të kësaj, ai kërkon qetësi për të investuar dhe për të shijuar produktet e bizneseve kriminale. Është kjo arsyeja përse krimi i organizuar mund të zhvillohet edhe në kushte optimale të sigurisë publike. Për këtë arsye, Shqipëria ka nevojë të fortë për t’u fokusuar në këtë front të padukshëm, në të cilin më shumë se sa policët konvencionalë, nevojiten hetues të një kategorie të panjohur për policinë dhe organet tona të zbatimit të ligjit më parë. Në këtë front duhet të angazhohen financierë, ekonomistë, informaticienë, programues, juristë e specialistë të tjerë të ngjashëm. Lufta kundër krimit në Shqipëri ka një front të madh. Ai është fronti i financave, pastrimit të parave dhe investimeve nga paratë kriminale. Aty duhet të angazhohen burimet dhe përpjekjet kryesore.

A ka krimi burime të forta ekonomike dhe politike nga ku ka marrë përmasa të mëdha? Nga e merr fuqinë…?

Nëse lufta nuk përqendrohet në frontin që përmenda më sipër, burimet financiare dhe ekonomike të krimit vetëm sa do të forcohen dhe qarkullimi i parasë kriminale në kanalet normale zyrtare do të sjellë në mënyrë progresive njëfarë “legjitimimi” si të parasë ashtu dhe të vetë krimit. Pasojat eventuale të këtij “legjitimimi” të krimit do të ishin katastrofike për të ardhmen, edhe pse sot për ndokënd paraja kriminale mund të duket letër e pafajshme, thjesht një mjet i financiar.

About Redaksia

Check Also

Korreshi: Gazeta e Meros ngatërron qëllimisht opinionin publik për të justifikuar vdekjen e dy qytetarëve të pafajshëm

Deputeti i PD, Saimir Korreshi ka reaguar pas lajmeve të rreme që ka publikuar mediat …

Leave a Reply