Një qytetar, që akuzohet se kërcënoi kryeministrin Edi Rama u gjet fajtor nga gjykata e Tiranës. Ivzi Hoxha, 62 vjeç u dënua me një vit burgim për veprën e kanosjes për shkak të detyrës. Gjyqtari i çështjes Kujtim Vranici deklaroi se për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi ndaj Hoxhës ulet me një të tretën dhe në përfundim, i dyshuari duhet të vuajë tetë muaj heqje lirie. “Kërkoj mëshirë nga gjykata”, tha i pandehuri dhe ndihem i penduar.
Por prokurori i çështjes theksoi se në fillim të këtij viti, i dyshuari kërcënoi publikisht kryeministrin dhe të birin. Menjëherë pas kësaj, Hoxha u shoqërua në komisariat ku dhe u arrestua.
Ai tha se ishte i stresuar për konfliktet e pronësisë me Bashkinë që do të investonte pallate në tokën e tij për të dëmtuarit nga tërmeti. Në një transmetim live, Ivzi Hoxha është shprehur me fjalë kërcënuese, duke shprehur revoltë për shkak të prishjes së banesës së tij në zonën e “5 Majit”, për një projekt të ndërtimit të banesave sociale.