Migena ANDONI
Fatkeqësisht pas 32 vitesh pluralizëm, Shqipëria u rikthye në traditën e vjetër të së shkuarës së saj diktatoriale Parti-Shtet. Rezultati zgjedhor, me 97 për qind fitues për kandidatët e mazhorancës, që morën pjesë në garën e 14 Majit, ishte i pritshëm në kushtet kur Qeveria keqpërdori pushtetin për të mos lejuar një garë me rregulla të barabarta loje mes saj dhe opozitës.
Opozita u pengua të regjistrohej sipas Kodit Zgjedhor. Pengmarrja e simboleve të saj, mungesa e fondeve, përcaktimi nga mazhoranca i emrit të kryesuesit të koalicionit zgjedhor, sikundër mungesa e komisionerëve dhe vëzhguesve, ishin parathënia e farsës elektorale që u mbajt më 14 Maj. Sikur të mos mjaftonte ky deformim i demokracisë, të dhënat në terren dëshmojnë të gjitha mekanizmat e përdorura nga mazhoranca pë të tjetërsuar vullnetin e qytetarëve. Bandat më të rrezikshme në vend, krerët e të cilëve u liruan nga burgu para zgjedhjeve, ushtruan presion dhe terror ndaj qytetarëve për të mos marrë pjesë në votime.
Në këto zgjedhje, fenomeni i shit-blerjes së institucionit të votës ishte masiv. Njerëz afër pushtetit ju shpërndanë 300 deri në 500 Euro qytetarëve që të bojkotonin procesin zgjedhor dhe akoma më shumë për të votuar kandidatët e Partisë Socialiste. Në thyerje të Kodit Zgjedhor, Qeveria në fushatën zgjedhore shpërbleu pensionistët, rriti pagat për një pjesë te administratës si edhe për ata që
trajtohen me ndihmë sociale. Të gjitha këto, patën ndikim tek 850 mijë votues.
Edhe në raportin paraprak tw Misionit Ndërkombëtar Vëzhgues të Zgjedhjeve të 14 Majit thuhet: “Vëzhguesit vërejtën tregues që votuesit nxiteshin ose detyroheshin të votonin për një parti të caktuar, jashtë ambienteve të tre për qind të qendrave të vëzhguara dhe në njëmbëdhjetë përqind të tyre, njerëz që nuk ishin anëtarë të KQV-ve mbanin shënim zgjedhësit që kishin votuar”. Në daljen e saj të parë pas zgjedhjeve, shefja e ODIHR, ambasadorja Audrey Glover, e perkufizoi fushatën të polarizuar politikisht duke theksuar se “cështje shqetësuese janë pretendimet për rastet e keqpërdorimit të burimeve shtetërore, për presione të administratës dhe për shitblerje të votës”.
I frikshëm është ky revansh pushteti, i cili i ka hapur rrugën instalimit të Diktaturës së Kohëve Moderne, por që në thelb ka Diktaturën 50-vjecare të E.Hoxhës, përqëndrimin e të gjitha pushteteve në duart e një njeriu.
Në kushtet kur Shqipëria konsiderohet një prej vendeve më të varfra të Europës me pasojë shpopullimin masiv, është fyerje inteligjence për këdo qytetar të besojë se ata shqiptarë që kanë mbetur në Shqipëri duartrokasin Qeverinë me Votë. /Gazeta Dielli