Skandali me shtyrjen e rritjes së pagave

Nga Ola XAMA

Rritja e pagave u shty jo sepse “duan kohë që të zbardhen Vendimet e Këshillit të Ministrave”, por sepse nevojitet kohë që të rregullojnë koefiçentët që ishin bërë gabim.

Nuk ka se si një vendim që del për të zbatuar ligjin të miratohet në parim dhe të kërkojë kohë të zbardhet. Parimi që pagat do të rriten dhe në çfarë mase, është miratuar në Kuvend bashkë me ligjin. VKM-ja, ose do të llogarisë koefiçentët për pagat sipas të gjitha kategorive dhe t’i hapë rrugë dhënies së shtesës, ose nuk miratohet fare. Nuk ka “do kohë të zbardhet”. Zbardhja sot është print: Ctrl+P.

Dje dhe sot, ekonomistët e disa institucioneve kanë dërguar shkresa në Ministrinë e Financave dhe në qeveri ku i thoshin se koefiçentët e rinj nuk rritnin pagat për të gjithë dhe në disa raste përmbysnin hierarkinë e nivelit të administratës. Një specialisti, në varësi të vjetërsisë i shkonte paga rreth 800 mijë lekë të vjetra, aq sa e një drejtori, dhe në disa institucione, drejtuesve i dilte rroga më e ulët se e specialistëve apo shefave të sektorit.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë po bën gafa të përsëritura. Edhe në llogaritjen e efekteve buxhetore të rritjes së pagave të deputetëve, vlerëson se duhen afro 20 milionë lekë (180 mijë euro), ndërkohë që kosto vetëm për një muaj është 205 mijë euro dhe në vit shkon 2.4 milionë euro.

Kush i ka bërë llogaritë gabim duhet të dalë, të kërkojë falje dhe të dorëhiqet. Nuk ka pse del ministrja, kur stafi teknik bën gafa të rënda ndërsa ka pasur 3 muaj kohë të përgatitë aktet. Lapsuse mund të bëjë cilido institucion, por jo Ministria e Financave. Po të jetë në këtë nivel administrata, rrezikojmë të dalim “me këpucë të kuqe”. Cilido zv/ministër që ka pasur për detyrë nxjerrjen e akteve të pagave duhet t’i kërkojë falje Kuvendit që nuk arriti të zbatonte vullnetin e tij në kohë, administratës dhe qytetarëve. Ministria më pas të auditoje të gjitha aktet që ka kaluar në dorë ai person. Nuk mund të mbulohet me justifikime dhe shkelje kjo që ka ndodhur sepse është skandal. Shteti dhe Ministria e Financave nuk janë autoshkollë!

About Redaksia

Check Also

Kur punëdhënësi është Soros…

Nga Redin HAFIZI Në një ndër takimet e tij në diasporë Adriatik Lapaj u pyet …

Leave a Reply