Feminizmi, axhenda majtiste që ktheu gratë në burra dhe burrat në meshkuj

Pranvera Shehaj

Let them be MEN.
Që ta dini, midis vajzave dhe grave sot, sidomos në perëndim, pavarësisht origjinës, background-it dhe
historisë personale të gjithkujt, prezumohet se ajo që i bashkon është të qenurit feministe. Madje,
numri i diplomave dhe statusi i punës, për rrejdhojë të etiketojnë ty si feministe. Pa i pyetur, se nëse i
pyet konsiderohesh e papërditësuar, duhet ta dish se të jesh feministe sot, me pak fjalë nënkupton: të
paguash aq sa të paguajnë, të ofrosh aq sa të ofrojnë, të jesh femër e fortë (nuk e di nëse e kanë për
aspektin fizik apo atë psikologjik, nejse), të thuresh dhe të shthuresh ekzaktësisht sa meshkujt, … për
ta përmbledhur, në përgjithësi të jesh e lirë të jetosh jetën tënde. Në një listë shumë të gjatë lirish e të
drejtash që të japin, askund nuk kam gjetur dot deri më sot, në cilën pikë m’u dha e drejta dhe liria të
zgjedh të mos jem feministe? Lirinë e kam, sigurisht, ama e paguaj ose me heshtje në debatet
imponuese shabllon të intelektualeve dhe gjithëditurave që takoj e dëgjoj cdo ditë, ose me paragjykime
që nuk para më kanë hyrë ndonjëherë në xhep, imunitet ky për të cilin i detyrohem vendit nga vij.
Feminizmi, nuk është as doktrinë dhe as ideologji, por më gjerësisht, është thjesht bindje dhe besim
në barazinë politike, ekonomike dhe kulturore midis grave dhe burrave. Kronologjikisht, klasifikohet në
tri valë: vala e parë e lëvizjeve feministe pati si motiv të saj të drejtën e pronës dhe të drejtën e votës
për gratë; vala e dytë u fokusua në barazinë midis dy gjinive dhe anti-diskriminimin e grave; vala e tretë
e levizjeve feministe, e cila nisi në vitet 90’, ishte dhe është një formë reagimi ndaj privilegjit të
perceptuar të grave të bardha dhe heteroseksuale. Historia dhe kronologjia e saj është unike, për vetë
faktin se ajo shërben si argument i fortë në diskutimin: A është zhvilluar intelektualisht shoqëria
globale, apo në fakt është robëruar mendimi, dhe media pamore dhe e shkruar ia ka dalë të shpëlajë
në mënyrë masive dhe të përgjithshme trurin e shoqërisë? Mjafton të krahasoni thelbin e tri valëve të
lëvizjeve feministe për të kuptuar degradimin e motivit në kohë, kur në fakt, sipas të gjitha
propagandave, sot jetojmë në kohët kur teknologjia e paskërka emancipuar, zhvilluar dhe lartësuar
trurin e njeriut. Ky zhvillim mbresëlënës i trurit njerëzor (sigurisht falë teknologjisë do thonin
bashkëkohorët, e kurrsesi falë letrës e librit), a nuk do duhej të kishte përforcuar motivin e luftës së
grave, në vend të bastardimit të tij? Lind pyetja: Si mund të përforcosh motivimin, kur lufta ka mbaruar
dhe nuk ka më motiv? Në këtë rast hyn në punë psikologjia e diktaturave, shpikja e një armiku imagjinar,
shpikja e një motivi. E sot për sot, globalisht, jetojmë në diktaturën e imponimit masiv perëndimor që
përcakton me një siguri e autoritet që vetëm ZOTIT i takon, se cfarë është e duhura dhe cfarë jo, cfarë
është moderne dhe cfarë jo, cfarë më duhet mua si vajzë e cfarë jo, si duhet të preferoj unë të trajtohem
e si jo, kur jam demode dhe kur jam moderne, si duhet ta zgjedh përditshmërinë time dhe si jo.
Intelektualët, modernët dhe “të lirët” me qasje kinse perëndimore, bëjnë mirë të kuptojnë se liria
mbaron me shqiptimin e fjalës “Duhet“, dhe fillon me zhdukjen e paragjykimit ndaj fjalës “Dua“.
Rrënjët e feminzmit, – kam parasysh levizjen e para viteve 90’, e jo lajthitjet moderne, – gjenden në
Republikën klasike të Platonit, i cili mbrojti idenë se gratë zotërojnë “kapacitete natyrore” të barabarta
me burrat për qeverisjen dhe mbrojtjen e Greqisë së lashtë. Kjo thënie hasi kundërshti, si për shembull,
kur gratë e Romës së lashtë organizuan një protestë masive kundër Ligjit Oppian, i cili kufizonte aksesin
e grave në ar dhe mallra të tjera, konsulli romak Marcus Porcius Cato argumentoi: “Sapo të fillojnë të
jenë të barabarta me ju, ato do të bëhen eprorët tuaj!” Sot, në këtë botën tonë, sidomos perëndimore,
të lirë e të emancipuar, lind pyetja: Kujt i shërben kjo epërsi e grave? Cilin shfuqizon ajo nga
përgjegjësitë Natyrore dhe cilin robëron?
Feminizmi, ky i femrave që e matin forcën e tyre me aftësinë për të ndarë qeranë e shtëpisë, zhveshi
nga cdo përgjegjësi burrat, pa i hequr asnjë përgjegjësi të mëparshme grave. Një grua,
feministe ose jo, jep jetë, dhe jetën vetëm ajo di ta rritë. Nëse dikur jepte jetë dhe i dedikohej krijesës
së saj, sot turpi i trurit të shpëlarë dhe përgjegjësitë që ka marrë mbi supe, nuk i japin as kohën dhe as
luksin të cojë deri ne fund detyrën hyjnore. Sepse kjo grua nuk u shkollua për dëshirën e saj, nuk u
punësua për dëshirën e saj, nuk i krijoi ëndrrat për zgjedhje të saj. Ajo u shkollua që të kontribuojë në
të famshmen 50:50 në jetën e saj shoqërore dhe familjare. Për të, krenaria, dëshmia e forcës dhe prova
e show-t ndaj shoqërisë moderne që i imponohet, është aftësia për të treguar se grua e fortë je kur
merr përgjegjësitë e një burri, dhe burrit përkrah, që në gjuhën mainstream sot është partneri (një
term kyc për të manifestuar barazinë), në fakt i ke lënë statusin e mashkullit, kontributi i të cilit limitohet
në ndihmën në riprodhim, punë njësoj si ty, pagesa njësoj si ty, vrasje psikologjike mbase më pak se ty.
Ndërsa ti, me gjithë krenarinë tënde se je barabartë me partnerin tënd, në fakt në asnjë cast nuk hoqe
dorë nga detyrat e tua hyjnore, vecse more më shumë. Sigurisht, sot je mëse e lirë të heqësh dorë edhe
prej tyre, – ashtu si në fakt njoh shumë vajza e gra që përmallohen për karrierë e u zgjohet sensi i
karrierës sapo bëhen nëna, – e kështu t’i dedikohesh me kohë të plotë botës sw meshkujve dhe vdekjes
së burrave.
Deri këtu, jemi në Perëndim, aty ku xhentilesa ndaj vajzës dhe gruas limitohet tek ndarja e përgjegjësive
si me thikë, në mënyrë frikshmërisht të barabartë. Megjithatë, kanë një të mirë, këtë barazi deri diku
ekstreme, familjet perëndimore e kanë, përgjithësisht e jo domosdoshmërisht, të mbrujtur që në
fillesat e tyre. Vajza dhe djali, burri dhe gruaja, përgjithësisht, nuk peshohen me kandarin e lënies së
trashëgimtarit, as me fuqinë e kordave zanore. Megjithatë, sërish në këtë perëndimin e emancipuar,
eksperiencat më kanë treguar se jo cdo punë të jep lirinë të punosh si vajzë. Një kamariere femër,
mbetet atraktive dhe objekt seksualizimi kudo qoftë, ashtu sikurse kur kalon mesnata, objekt i sulmeve
seksuale janë mw tepwr femrat (50% sipas Carlie Health), e shumw mw pak meshkujt. Lind pyetja, në
një botë ku sigurisht për motive prej natyroreve deri tek ato shoqërore, meshkujt dhe femrat nuk
munden kurrsesi tw jenë njësoj të lirë, përse emancipimi perëndimor trumbeton kaq fortë barazinë në
përgjegjësi?
Vijmë tani tek Shqipëria, aty ku logjika dhe arsyetimi kërkojnë durim specifik. Shqipëria dhe shqiptarët
janë të etur për emancipim, një popull që sapo kalon kufirin merr ngjyrën e shtetit ku shkel, duke
pervetësuar me shpejtësi gjuhën, sjelljet dhe mentalitetin. Megjithatë, këta shqiptarë jashtë kufirit,
bashkë me mua, historinë personale më së shumti e kanë në Shqipëri. Atje, – kur shkoj, ose edhe kur
nuk jam, dëgjoj, – feminizmi është i perceptuar në mënyrë shumë interesante, gati gati groteske.
Bashkëmoshatare të miat, të shkolluara më pak a më shumë se unë pak rëndësi ka, i shoh se me gjithë
mundësitë e tyre përpiqen të jenë po kaq moderne, kaq të zonjat për familjet ose partnerët e tyre, kaq
të shkathta. Ndryshimi fillon se me gjithë dedikimin e tyre me kohë të plotë për t’i lehtësuar jetën jo
vetëm vetes, por edhe meshkujve që i rrethojnë, unë nuk i shoh të lira. Janë mediokre episodet kur nuk
i kam parë të lira, po aq sa janë të pavlera për t’u treguar rastet kur edhe unë, edhe pse për pak kohë
në vendin tim, ka patur raste kur nuk jam ndjerë e lirë. Këto vajza, që në sytë e mi kanë gjithë fuqinë
për të qenë të lira, zgjedhin t’i bëjnë meshkujt të besojnë në imagjinatën e tyre se janë burra. Dhe
imagjinatën e zhvillojnë me skenat e manifestimit burrëror, që ua lehtësojnë kordat e zërit, fiziku robust
dhe sigurisht, trajtimi special familjar. Edhe dje, edhe sërish të shkoj, sikur bibliotekat e botës të lexoja
e sikur botën me këmbë të kisha shkelur, në diskutimet familjare me shumë farefis, zërin e kam tepër
të hollë për t’u dëgjuar. Ashtu si unë, në diskutimet që lidhen me tema serioze, e keni parasysh, nga ato
që vetëm meshkujt shqiptarë dinë të diskutojnë, të tipit politik apo që lidhen me kuptimin e thellë të
jetës, e kam në mendje se po kaq të heshtura kanë qenë edhe vajza të tjera, që e përsëris nw sytë e mi,
janë më burra se burrat. E meshkujt, në këto mbledhje familjare, ka patur raste kur për veshët e logjikën
time kanë keputur brockulla, por mesa duket statusi natyror ka bërë që fjala t’u zërë vend.
Dalim nga eksperiencat personale e kalojmë në rang shoqëror. Si shpjegohet që me gjithë përpjekjet e
forta të grave për t’u lehtësuar jetën meshkujve, rastet e krimit në familje nuk mbarojnë. Sepse
meshkujt, të zhveshur nga përgjegjësia natyrore mbi familjen, kanë ndezur sinjalet e vendosjes së
autoritetit në vendin e duhur përmes dhunës, e cila merr formën nga episodet e xhelozisë false e
sporadike, tek dhuna psikologjike, verbale dhe fizike. Një mashkull i barabartë ose me kontribute më
pak se gruaja në familje, për rrejdhojë, presionin shoqëror mbi burrërinë e tij, e manifeston përmes
dhunës. Sigurisht, duke harruar qëllimisht, se burrë të bën mbajtja mbi supe e përgjegjësive që ZOTI të
ka dhënë. Mos ndoshta zgjidhja e dhunës së cdo forme nga grave, është shkundja e meshkujve nga
impotenca ekonomike dhe intelektuale, e t’u japim një dorë të burrërohen?!
Si përfundim, nuk i gjej dot përfitimet e mia në një botë ku aksesi në rrugë, e në cdo lloj pune, – natyrisht
dhe kurrë sa tw ketë njerëzim (të natyrshëm) – nuk mund të jetë i barabartë për dy gjinitë. Nuk e
konsideroj triumf timin rraskapitjen time për t’i lehtësuar jetën dikujt. Nuk dua barazi, sepse kam
kapacitet fizik, psikologjik dhe intelektual ndryshe. Nuk dua barazi, por dua të drejta të barabarta për
t’u shkolluar sepse dua, për të punuar sepse dua, për të jetuar sepse dua. Nuk dua barazi sepse dua të
shijoj dhe jetoj detyrat e mia hyjnore. Nuk dua barazi sepse detyrat e mia nuk mund t’i bëjë askush më
mirë se unë, e mua nuk ma ka ënda të ndaj detyrat e askujt e me askënd. Nuk dua barazi që rrit rastet
e vetëvrasjeve të grave dhe ul rastet e vetëvrasjeve të burrave. Nuk dua barazi që promovon
rraskapitjen e grave dhe tredhjen e burrave. Nuk dua barazi që mat emancipimin tim me dëshirën për
të urryer familjen. Nuk dua barazi që turpëron, paragjykon dhe bullizon vajza dhe gra që karrierë të tyre
bëjnë familjen.
Dua vetëm liri për të zgjedhur sot cfarë dua e nesër cfarë dua. Dua lirinë të dua të nis e bitins karrierën
kur dhe si të dua. Dua lirinë ta kuptoj emancipimin dhe modernizimin ashtu si mua ma ka ënda, pa
ndjerë mbi vete sytë dhe veshët e një shoqërie që bluan cfarë i shtrohet në tryezë e që ben pakt me
gjithcka për t’u ndjerë “in”. Dua lirinë të zgjedh kur të dua forcën, e kur të dua brishtësinë absolute. E
gjithcka, ta dua pa ndjerë paragjykimin e një shoqërie të sëmurë nga deliri i modernizimit bosh.
Nëse sot kam dëshirë t’i ndërtoj botën vetes, dua lirinë që pa u paragjykuar, nesër të zgjedh botën e
bukur të ndërtuar nga burrat për gratë! Ajo botë ka nevojë për burra dhe jo meshkuj.
Let them be MEN!

Pranvera Shehaj,
Politologe, Doktoreshë e Shkencave Ekonomike

About Redaksia

Check Also

Pse e vërteta e asaj që kërkon opozita me protesta po e tmerron regjimin

Nga Ndriçim KULLA Pardje narkodiktatura u duk qartësisht  shumë më e alarmuar në  represionin e saj  …

Leave a Reply