Një ofertë e pakërkuar ose guri i “budallait” në lumin Ibër

Nga Luçiano BOÇI

Drafti “konfidencial” i pakërkuar i Ramës për Asociacionin e komunave serbe ndezi sërish serinë e debateve dhe reagimeve. Një përplasje e re kjo e vendosur mbi përplasjen fizike të banditëve të Vucic ndaj trupave të KFOR në veri të Kosovës.

Askush nga faktorët shqiptarë, ndërkombëtarë neutralë, apo ndërkombëtarë pro shqiptarë nuk duket se i ka kërkuar Ramës një “sforco” të tillë, “gratis” dhe të hartuar nga një grup të nominuar nga ai, specialistësh anonimë.

I palajmëruar dhe i mbetur i pazbardhur së paku në kolonat gjenerale, drafti mbart brenda vetes shumë pikëpyetje.

Kundërshtitë ndaj tij lidhen me mënyrën e paraqitjes së tij në formën pothuaj të një “oferte të pakërkuar” politike, mbi bazën e modelit korruptiv që Rama e ka përdorur rëndom në disa raste ekonomike me interes personal, si dhe me faktin që ky draft anashkalon dhe nuk konsideron qeverinë e Kosovës dhe propozimet e Kryeministrit Kurti për Asociacionin e komunave serbe.

Por ofertat e pakërkuara (ekonomike ase politike) e kanë gjithmonë një kleçkë brenda tyre.

Ato nuk janë rrufe në qiell të pastër.

Dhe kjo e Ramës nuk ngjan të jetë e tillë.

Ofertat e pakërkuara janë linja, rrugë dhe axhenda të parapërgatitura që ndiqen për arritjen e qëllimeve të caktuara, në këtë rast politike, në formën e “detyrave të shtëpisë”.

Ajo që çudit më shumë është se Rama e di mirë që me këtë hap ai përmbush, në opinionin kombëtar, të gjithë kushtet e të provuarit të qënurit të tij tradhëtar.

Një damkë që askush nuk do ta dëshironte ta mbante mbi shpinë.

E në këtë rast ka vetëm një arsye që legjitimon tradhëtinë. Kjo arsye është pushteti politik. Kundrejt frikës për humbjen e tij, Rama duket se është i gatshëm të negociojë cdo interes kombëtar e jo kombëtar.

Për Ramën politika gjithmonë ka qenë një biznes i pisët, ku suksesin ta garanton diferenca që krijon oferta e pakërkuar alias e detyruar. Përgjatë gjithë këtyre viteve pushtet tango-ja autokratike e tij me Vuçiç, ka impresionuar perëndimin dhe ndërkohë i ka ngulur thellë thikën mbi shpinë faktorit shqiptar në rajon.

Loja e përbashkët dhe e mirërakorduar i ka siguruar të dyve një bashkëjetesë karriere të suksesshme.

Hedhja e këtij drafti nga përfaqësuesi i Shqipërisë në debatin dhe situatën e ndezur të konfliktit politik Kosovë-Serbi, i ngjason një ftesë valleje për partnerin e dashur serb, i cili duket se ka oreks të shtuar nacionalist, përkundrejt arrivizmit banal politik të Ramës.

Panevojshmëria e këtij drafti, çfarëdo që të ketë brenda ai është ulëritëse.

Draftet ekzistuese madje dhe ndërkombëtare janë tashmë prej vitesh në tavolinë dhe lëvizin qartazi nga ngulmimi serb për të pasur brenda Kosovës një “Republika srpska” me terminin Asociacion, deri në negociimin që kërkon të realizojë Kurti me të drejtë, në arritjen e njohjes së një Asociacioni sipas marrëveshjeve ndërkombëtare, i cili ka të gjitha dimensionet, përvec atij juridik dhe ekonomik.

Dhe në këtë situatë për çdo shqiptar propozim më të mirë se të Kryeministrit Kurti nuk mund të ketë.

Ai mbron kushtetuetshmërinë dhe integritetin juridik dhe ekonomik të Kosovës.

Rama as më shumë e as më pak, duhet të bënte aktin e duhur kombëtar dhe politik e diplomatik. Rreshtimin e tij me Kurtin, d.m.th me Kosovën dhe me atë faktor ndërkombëtar që kërkon të gjejë pajtimin midis palëve në interes të faktorit shqiptar.

Dhe jo të bënte të kundërtën, madje duke joshur me lugë bosh opinion për një njohje të dakortësuar të Kosovës nga Vuçiç, në rast të pranimit të draftit të tij, apo drafteve me vokacion serb, gjë që nuk ka për të ardhur kurrë, apo me dokrra armiqsh.

Thelbi i atyre që kundërshtojnë draftin e Ramës, qëndron pikërisht këtu në këtë arsyetim të thjeshtë: draft shqiptar përtej atij të propozuar nga vetë Kryeministri i Kosovës nuk mund të ketë!

Nuk mund të ketë se vërtet ai ruan ekuilibrin midis njohjes dhe rolit e funksionit që duhet të ketë Asociacioni brenda Republikës së Kosovës. Ndërkombëtarët le ta gjykojnë.

Ah po!!!

Vetëm në një rast hipotetik do mund të kishim një draft të ri!

Vetëm në rast nëse ky draft shqiptar do të kërkonte fshirjen e Asociacionit.

Por kjo është krejt e pamundur, sepse autori i draftit njihet publikisht për qëndrimet e tij dhe afinitetin pro serb dhe e ka deklaruar qëndrimin pro Asociacionit.

Por dhe i pamundur nga fakti i ekzistencës së marrëveshjeve ndërkombëtare e domosdoshmërisë së respektimit të tyre.

Në këtë pikë Asociacioni është i pashmangshëm.

Qesharakë janë ato që e mbështesin atë draft pa e lexuar dhe që siç duket nuk kanë lexuar as draftet e tjera ekzistuese. Akoma më qesharakë janë ata që bëjnë sondazhe idiote, sipas të cilave publiku mbështet draftin e Ramës, ndërkohë që ai ende nuk ka parë dritën e diellit.

Drafti i Ramës i sjellë në këtë pikë të një konflikti të orkestruar e dirigjuar me qëllime të lexueshme, i ngjason atij gurit të budallait të hedhur në lumë e që shqiptarët s’do mund ta nxjerrin. Por jo në një lumë çfarëdo dhe nga një “budalla” çfarëdo. E ka hedhur pikërisht në lumin Ibër, alias liqenin e Ujmanit, afër rajonit të Trepçes (minierës) dhe e ka hedhur jo një “budalla” dosido, por pikërisht ai Kryeministri shqiptar.

I përmenda si kontekste këto hapësira ekonomiko-gjeografike, sepse realisht ato përbëjnë sot thembrën e Akilit të konfliktit dhe luftës së drafteve për veriun e Kosovës.

Liqeni i Ujmanit dhe Miniera Trepçes konsiderohen si dy pikat më të rëndësishme strategjike të ekonomisë së Kosovës dhe për të cilat revendikimet serbe nuk kanë sosur.

Kalimi i tyre në juridiksionin ekonomik e politik të një Asociacioni serb autonom, do të ishte fatal për fatet e Kosovës dhe të faktorit shqiptar.

Atë që Vuçiç dhe Rama nuk arritën ta realizojnë me Ballkanin e hapur, po përpiqen ta imponojnë më një situatë artificiale lufte, për të nënshtruar nënshkrimin e një marrëveshje që do t’i hapte rrugë copëtimit territorial të Kosovës dhe plotësimit të ëndrrës Serbe për dominim në rajon.

Të gjithë këtë Rama e di, por për hir të vesit të pushtetit është i gatshëm të përqafojë si dashnore të përjetshme tradhëtinë kombëtare.

About Redaksia

Check Also

Instituti Konservator Shqiptar, një shtyllë për të ardhmen e konservatorizmit në Shqipëri

Nikola KEDHI Shqipëria ndodhet në një udhëkryq, duke u përballur me sfida që rrezikojnë demokracinë, …

Leave a Reply