Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të martën se në mëngjes është takuar me ambasadorët e QUINT-it për të prezantuar propozimin e tij për uljen e tensioneve në veri të Kosovës.
Ai ka thënë se këtë propozim e ka ndarë paraprakisht me kryediplomatin evropian, Josep Borell.
“Me Borrelin dje, dhe vendet partnere të QUINT-it sot, e kam shprehur përkushtimin dhe angazhimin e plotë të Qeverisë, për uljen e tensioneve në veri dhe për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”.
Vendet e QUINT-it janë: Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia.
Ai ka thënë se situata në veri nuk është normale për një kohë të gjatë.
“Eskalimi më 29 maj e bën urgjente sjelljen para drejtësisë të të gjithë atyre që ushtruan dhunë ndaj Policisë së Kosovës, ushtarëve të NATO-s dhe juve gazetarëve”, ka thënë Kurti.
Ai u është referuar përleshjeve të 29 majit në Zveçan mes protestuesve serbë dhe pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Plani i tij parasheh pesë pika që, sipas tij, ndihmojnë në ulje të tensioneve:
Sundimi i ligjit në katër komunat në veri, që nënkupton identifikimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e drejtë të të gjithë anëtarëve të grupeve kriminale që kanë sulmuar Policinë, trupat e NATO-s dhe gazetarët.
Grupet e dhunshme të tërhiqen menjëherë nga territori i Kosovës dhe ndalohet çdo akt kriminal kundër institucioneve të Kosovës.
Policia e Kosovës, pjesëtarë të NATO-s dhe EULEX-i të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë, për të garantuar një ambient të sigurt dhe pa rreziqe për të gjithë.
Qeveria e Kosovës të koordinohet me të gjithë aktorët dhe të shpallë zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri.
Kosova dhe Serbia t’i rikthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli, dhe një takim i nivelit të lartë të mbahet gjatë kësaj jave.
Serbët lokalë janë duke protestuar vazhdimisht prej asaj dite, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale.