10 vite të tjera burg për Lefter Kokën dhe 7 vite të tjera për Alqi Bllakon. Janë dënimet që prokurorët e SPAK artikuluan në gjyqin për inceneratorin e Fierit kundër ish-ministrit të Mjedisit dhe ish-deputetit të Partisë Socialiste, të përfshirë në aferën korruptive.
Nëse shpallen fajtorë, vitet e burgut reduktohen për shkak të gjykimit të shkurtuar, por ato i shtohen pretencës së mëparshme në seancën gjyqësore për inceneratorin e Elbasanit. SPAK i kërkoi dy javë më parë sërish 10 vjet burg për Lefter Kokën dhe 4 vite për Alqi Bllakon.
Ky i fundit akuzohet se ndërsa firmoste dhënien e konçensionin për “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k, kishte punësuar të atin si “drejtor kantieri” me pagë 6 mijë euro në muaj. Llogaritet se babai i tij ka marrë 14,964,900 (katërmbëdhjetë milion e nëntëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e nëntëqind) lekë. Bllakos i është konfiskuar një shtëpi që ka pak a shumë këtë vlerë në lekë.
Shuma që akuzohet se ka përfituar Lefter Koka është shumë e madhe, diku tek 3.7 milionë euro. Prokurorët e SPAK thonë se Koka kishte krijuar disa kompani dhe nëpërmjet faturave fiktive merrte para nga Klodian Zoto dhe Stela Gugallja, në këmbim të firmës për koncensionin.
Koka dhe Bllako janë dy politikanët e vetëm të arrestuar për një aferë që në 30 vjet do t’i kushtojë buxhetit të shtetit disa qindra milionë euro. Por, ndërsa mbi këta të dy po shtohen vitet e burgut që kërkon prokuroria, faktet tregojnë se afera dirigjohej nga më lart.
Sipas dokumentave që tashmë janë publikuar në media, për dhënien e koncensionit të Elbasanit nuk u angazhua vetëm Lefter Koka, por e gjithë qeveria. Një kompanie anonime dhe pa eksperiencë iu dha përmes procedurës “me negociim pa shpallje” 21 milion euro përmes një serie vendimesh të disa ministrive në datën 16 dhjetor 2014.
Kompania “Alb-tek” kishte paraqitur një “ofertë të pakërkuar” dhe paratë e buxhetit do t’i kalonin pa garë dhe pa tender, me alibinë e “emergjencës…” Brenda së njëjtës ditë ashtu siç duket lart djathtas në dokumentin poshtë, kërkesa bëhet menjëherë një draft kontratë 40 faqe…që firmoset po brenda ditës.
Kjo kontratë e hartuar dhe e firmosur i niset për marrje opinioni ministrive të tjera dhe brenda ditës, studiohet, jepet mendimi, arrihet në konkluzionin që oferta është e vlefshme dhe me çmim të arsyeshëm, hartohet kontrata 40 faqe, u dërgohet ministrive të tjera, ato e miratojnë dhe kthejnë përgjigje pozitive. Brenda datës 16 dhjetor 2014, kontrata negociohet dhe mbyllet.
Me pak fjalë, do të ishte e pamundur që Lefter Koka të lëvizte të gjitha ministritë me shpejtësi rrufe për të miratuar kontratën e inceneratorit në Elbasan, prandaj veprimet e kësaj date janë një nga provat direkte se autoriteti që i miratoi inceneratorët shkonte përtej tij.
“Korrektësia” me pagesat e inceneratorëve
Përpikmëria e qeverisë përkundrejt bosëve të inceneratorëve ka qenë e rrallë. Duke pasur miliona euro detyrime buxhetore për kompani të tjera, që realisht kryejnë punime Ministria e Financave ka shfaqur një korrektësi për t’u admiruar përkundrejt Klodian Zotos, Mirel Mërtirit dhe Stela Gugalljas. Edhe kur inceneratorët e Elbasanit e të Fierit ishin të sekuestruar nga SPAK, edhe kur të lartpërmendurit ishin në arrati, të shpallur në kërkim nga SPAK, ata i kanë marrë paratë në kohën e duhur.
Të dhënat zyrtare nga dega e thesarit në Ministrinë e Financave tregojnë se paratë janë alokuar dhe vazhdojnë të paguhen rregullisht në afatin e caktuar.
Ky rigorozitet me të cilin qeveria i trajtoi të ardhurat e inceneratorëve edhe kur Lefter Koka ishte në burg, është një tregues tjetër se ai ishte vetëm një mekanizëm i projektit që kushton disa qindra miliona euro për djegien e mbetjeve.
Avokatia që kryeministri i bën inceneratorëve
Pavarësisht kostos politike që i dhanë inceneratorët, si një nga aferat më të mëdha të korrupsionit të zbuluara ndonjëherë në Shqipëri, kryeministri Rama vazhdon të flasë me nota pozitive për to. Edhe sot, kur ka një ish-ministër në burg, një ish-zv.kryeministër nën hetim, një ish-deputet në burg, Rama i fton qytetarët të shohin godinat që djegin plehra dhe jo ryshfetin që morën deputetët.
Madje, pas arrestimit të Kokës, Rama i mbrojti inceneratorët permes një teknike televizive të tipit “si ka qenë” dhe “si është” në vendet e grumbullimit të mbetjeve në disa qytete. Mbi inceneratorët, ai vendosi logon e Partisë Socialiste.
Por, kur u pyet për firmën e tij në një bonus-dhuratë për kompaninë e Klodian Zotos me firmën e tij, Rama u justifikua duke thënë se dosjet që i vinin në tryezë janë të shumta. Ngriti krahët për të treguar dengun me dokumenta dhe tha: “E di si vihen ato firmat e mia? Vijnë ato dosjet të gjitha tak, tak, tak kështu. Dhe unë firmos pam, pam, pam!”./LAPSI