Anëtarja e MEK tha se janë sulmuar në Iran, por në Shqipëri priteshin të mbroheshin. Gjithashtu ajo theksoi se miku i saj i ngushtë mbeti i vrarë nga ky aksion i policisë.
Më tej theksoi se nuk kanë armë dhe asgjë. Anëtarja u shpreh: “Erdhën dhe filluan të godasin njerëzit tanë. Jemi shumë të tronditur. Ne i besojmë Shqipërisë, policisë shqiptare , kemi vite që jemi këtu. Ne e duam popullin shqiptar, por ajo që ndodhi nuk e prisnim. Ata thyen derën, më pas ne i hapëm vetë dyert, por na morën kompjuterët dhe miku im më i ngushtë mbeti i vrarë.”
Ndërkohë anëtarët e kampit të muxhahedinëve mbyllën derën kryesore, për të mos lejuar policinë në ambientet e kampit.
“Nuk e dimë përse erdhi policia, kanë sulmuar brenda në kamp. Janë vrarë dy muxhahedinë, të tjerë i kanë rrahur. Nuk kanë njoftuar , as letër e asgjë. Por erdhën me makina pa lajmërim. Ky sulm i policisë shqiptarë ndihmon regjimin e diktatorit iranian. Kush person do të përgjigjet për viktimat tona. Sot janë vrarë dy”, u shpreh një protestuar.
Protestues të shumë kanë kundërshtuar aksionin e policisë. Ata kanë theksuar se nuk janë terroristë, dhe pretendojnë se policia ka përdorur gaz lotsjellës.
Gazetarja Klodiana Lala raportoi nga vendi i ngjarjes rreth situatës së tensionuar në zonë, ndërsa anëtarët e kampit kanë thënë se ka të vdekur dhe të plagosur nga ky aksion. Ndërkohë forcat e policisë tashmë janë jashtë ambienteve të kampit.
REAGIMI I MINISTRISE SE BRENDSHME
Operacioni i sotëm i Policisë së Shtetit në vendqëndrimin e MEK në Manëz të Durrësit është në zbatim të plotë të urdhrit të SPAK dhe vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Vendimi i Gjykatës është pasojë e veprimeve që bien haptazi ndesh me marrëveshjen dhe angazhimet e marra nga grupimi MEK prej vitit 2014 kur u vendosën në Shqipëri vetëm për qëllime humanitare. Fatkeqësisht ky grupim nuk iu është përmbajtur këtyre angazhimeve duke thyer marrëveshjen. Ndërhyrja e Policisë së Shtetit ka qënë konform ligjit dhe në zbatim korrekt të procedurave që kërkojnë operacione të tilla. Veprimet e Policisë së Shtetit për zbatimin e ligjit janë kryer si në çdo pjesë tjetër të territorit të Republikës së Shqipërisë.
Fatkeqësisht brenda kampit ka pasur rezistencë ndaj kryerjes së punës së Policisë së Shtetit, çka bie ndesh me kuadrin procedural të zbatimit të ligjit. Bazuar në të dhënat e Policisë së Shtetit, gjatë operacionit nuk ka pasur humbje jete dhe as të lënduar. Për çdo pretendim për humbje jete në spitalin e vendqëndrimit të tyre po bëhen të gjitha verifikimet proceduriale.