Enton DOÇI
Lyon
Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur pasditen e së mërkurës në qendër të Parisit, ku ndërtesat janë përfshirë nga flakët.
Ndërtesa që shpërtheu në lagjen e 5-të është shtëpia e një shkolle amerikane të modës dhe dizajnit, Akademia Amerikane e Parisit. Fasada e ndërtesës është shembur dhe njerëzit thuhet se janë bllokuar brenda.
Le Parisien raporton se shtatë persona janë lënduar rëndë dhe nëntë me lëndime të lehta. Ndërtesa e Akademisë është shembur pjesërisht.
“Banorët e qarkut të 5-të, sapo ka ndodhur një shpërthim gazi (nga një rrjedhje) në Place Alphonse Laveran, në lagjen Val-de-Gras, ndërtesat janë në flakë, qëndroni larg për të lejuar ndërhyrjen e zjarrfikësve”, ishte mesazhi nga nënkryetari i bashkisë Eduard Sivel, në një kohë kur më shumë se 200 zjarrfikës po punojnë për të vënë nën kontroll zjarrin dhe 9 mjekë ndodhen në vendngjarje për të ofruar ndihmën e parë.