Nga Lindita METALIAJ
Lezha është e bekuar nga Zoti dhe natyra, por fatkeqësisht e ndëshkuar nga qeveria rilindase në pushtet e cila e ka braktisur në një dekadë duke lënë në harresë ndër të tjera edhe sigurinë rrugore, sigurinë e vetë jetës.
Mjafton të ndjekësh mediat dhe rradhë herë kalon një ditë që rrugët fatkeqësisht nuk përgjaken. Ndër vite kjo gjendje përkeqësohet duke rritur ndjeshëm bilancet e jetëve të humbura. Në gjithë këto vite,pushteti jep pasqyra bilancesh , por asnjë zgjidhje për sistemimin e rrugëve,ndërtimin e mbikalimeve, nënkalimeve apo përmirësimin e standarteve në ato pjesë të rrugëve me rrisk më të lartë.
Kryqëzime rrugësh në Lezhë kanë mbetur në gjithë këto vite edhe si kryqëzime jetësh. Jetë të prera në mes fëmijësh, të rinjsh dhe moshave të ndryshme.
Qeveria mburret se ka ndryshuar Shqipërinë,tallet keqas pasi në gjithë këto vite rrugët e Lezhës dhe vetë siguria për jetën vetëm sa janë përkëqësuar.Shumë jetë janë prerë në mes në kryqëzimin e Rriles, kryqëzimin e Shënkollit, në kryqëzimin e Shëngjinit, kryqëzimin e Ishull Lezhës, në kryqëzimin e Gjadrit, të Dajçit apo rrugëve pa rrugë në të gjithë qarkun.
Një rrugë e ndërtuar nga ju, ajo e Torovicës,të cilën e përgjysmuat dhe e shndërruat në burim aksidentesh.
Sezoni turistik sjell me mijëra pushues në Shëngjin ,Kune-Vain, Tale, Patok dhe pika të tjera turistike, por për ta është mund dhe pritje e gjatë, trafiku disa kilometra që krijohet.
Nga kryqëzimi i Milotit deri në Lezhë të duhen plot dy orë ,pasi rruga nuk përballon fluksin e automjeteve që frekuentojnë bregdetin e Shëngjinit ,Tales ,Velipojës etj .
Edhe më keq, mbërritja në Shëngjin.
Një hyrje aspak dinjitoze e një qyteti turistik,me infrastrukturë skandaloze, jashtë çdo standarti .Edhe një rruge fshati duhet të jetë më e mirë se rruga e Shëngjinit.
Në emër të banorëve të Lezhës kërkoj vëmendje të shtuar për Lezhën ,në mbrojtje të jetës dhe shëndetit të çdo banori të Lezhës, por edhe të turistëve vendas dhe të huaj që frekuntojnë bregdetin gjatë sezonit turistik.
Për të gjithë ju përdorues të rrugës;
Jeta juaj, e familjes tuaj dhe e gjithë të tjerëve ,është e shtrenjtë ,vlen më shumë se gjithçka tjetër!
Ndaj ruajeni atë çdo ditë të vitit!