Partia Demokratike ka reaguar në lidhje me refuzimin e lejes nga Gjykata për Fredi Belerin, i cili kërkoi të marrë pjesë në konstituimin e Këshillit Bashkiak të Himarës.
Në deklaratën publike, PD thotë se, Fredi Beleri i zuri rrugën Ramës dhe planeve të tij për investime strategjike me ministrat e familjes dhe familjarët e ministrave ne bregdetin e bashkisë së Himarës.
Deklarata e Partisë Demokratike të Shqipërisë
Kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës Fredi Belerit, i është refuzuar kërkesa për leje të posaçme për të marrë pjesë në konstituimin e këshillit bashkiak të Himarës dhe betimit si kryebashkiak.
GJKKO ka zbatuar kështu urdhrin partiak, dhe jo normat e shtetit të së drejtës, duke ia mohuar kandidatit fitues të bëjë betimin dhe qytetarëve të Himarës frytin e votës së lirë dhe përfaqësimit.
Partia Demokratike e konsideron vendimin si politik dhe dënon me forcë çdo hap që i bën gjykatat e vendit shkelëse të parimit të të ndarjes së pushteteve.
Për Partinë Demokratike Fredi Beleri mbahet në arrest si i burgosur politik, si kandidat i opozitës dhe si kryetar i zgjedhur i qytetarëve të Himarës, dhe jo si abuzues votash. Po të ishte për manipulime, vjedhje dhe abuzime në qelitë e paraburgimit do të ishin 53 kandidatët e PS me në krye Edi Ramën.
Fredi Beleri nuk i prishi Edi Ramës ëndrrën totalitare të hartës politike rozë, por i zuri rrugën e planeve të tij për investime strategjike me ministrat e familjes dhe familjarët e ministrave ne bregdetin e bashkisë së Himarës.
Për këtë ai e shënjestroi që nga fillimi dhe urdhëroi arrestimin e tij.
Për këtë atij i refuzohet lirimi me kusht ndërsa ish-ministrave të tij u lejohet.
Për këtë Edi Rama luan nacionalistin në Himarë dhe internacionalistin në Beograd e Prishtinë.
Nuk është punë kombesh, sepse kur ka interes, Edi Rama bëhet tregtar flamujsh.
Shihni si po shet interesat Kosovës duke punuar çdo ditë në shqip për ndarjen e saj me padronin e vet Vuçiç.