Benjamin Weinthal/ Fox News
Mësymja e qeverisë shqiptare në kampin e grupit të opozitës iraniane Mujahedin-e-Khalq (MEK) ka sjellë kritika kundër Shtëpisë së Bardhë dhe Shqipërisë se po i bëjnë qejfin Republikës Islamike të Iranit, shteti numër një në botë që përkrah terrorizmin.
I pyetur për mësymjen e shtetit shqiptar, ish Sekretari i Shtetit Mike Pompeo tha për Fox News Digital se “duke lehtësuar sanksionet ndaj regjimit iranian, Presidenti Biden dhe Rob Malley po braktisin popullin iranian dhe po pasurojnë shtypësit e tij. Regjimi është angazhuar në dërrmimin e popullit të tij ndërkohë që përhap terror e kaos jashtë vendit, dhe dëshira e verbër e administratës Biden për ta marrë me të mirë dhe negociuar me të e ka bërë botën një vend më të rrezikshëm”. Pompeo e vizitoi kampin MEK vitin e kaluar.
Robert Malley, i dërguari special i SHBA në Iran, shihet nga disa komentues iranianë si një diplomat tepër kontradiktor për shkak të përpjekjeve të tij për t’i bërë lëshime domethënëse financiare regjimit të Iranit me qëllim arritjen e një marrëveshjeje bërthamore me Teheranin. Kritikët e kanë quajtur qëndrimin e Malleyt karshi Iranit “appeasement politics”, politikë e marrjes me të mirë.
Përfaqësues të Kongresit në Senat dhe Dhomën e Ulët kanë shprehur shqetësimin për sulmin e dhunshëm të policisë shqiptar në kampin MEK.
Senatori Ted Cruz (PR-Texas), postoi në Twitter: “Thellësisht i shqetësuar që nëpër Evropë – e pikërisht tani Franca dhe Shqipëria – aleatët tani po marrin me të mirë regjimin iranian dhe po godasin disidentët anti-regjim”.
Edhe Përfaqësuesja Sheila Jackson Lee (PD-Texas) e dënoi sulmin në një seri postimesh në Twitter.
I pyetur për bastisjen në kamp dhe nëse administrata Biden ka zbutur qëndrimin karshi Iranit për të siguruar një marrëveshje mini-bërthamore me Teheranin, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha për Fox News Digital: “Dimë që më 20 qershor, policia shqiptare hyri në kampin MEK në Durrës, Shqipëri, për të ekzekutuar një urdhër gjykate”.
“Policia e Shtetit e Shqipërisë na ka siguruar se të gjitha veprimet u kryen në përputhje me ligjet përkatëse, përfshirë mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të gjithë njerëzve në Shqipëri. Ne e përkrahim të drejtën e Qeverisë së Shqipërisë për të hetuar çdo aktivitet të mundshëm të paligjshëm brenda territorit të saj”.
Përfaqësuesi Cory Mills (PR-Florida), i cili është anëtar i Komitetit të Punëve të Jashtme në Dhomën e Ulët të Kongresit, tha për Fox News Digital se “është tepër shqetësuese që zyrtarët shqiptarë po errësojnë të vërtetën në këtë situatë duke mohuar përdorimin e dhunës. Këto deklarime vetëm sa e thellojnë përshtypjen se ka pasur akte të gabuara nga ana e zbatuesve të ligjit të përfshirë në bastisje. I bëj thirrje administratës Biden të vlerësojë situatën e të mos sakrifikojë drejtësinë për hir të çfarëdo bisedimesh në prapaskenë që mund të jenë duke u zhvilluar me Iranin”.
Ambasada e Shqipërisë në Washington i shkroi Fox News Digital se; “Ne nuk mund të tolerojmë që territori ynë të përfshihet në aktivitet politik, subversiv e të paligjshëm kundër vendeve të tjera, siç dyshohet se ka qenë rasti me MEK”.
Ambasada shqiptare tha se “spruco djegës u përdor vetëm në një numër të kufizuar rastesh me qëllim kontrollimin e situatës së paqëndrueshme, por në asnjë moment gjatë operacionit të kërkimit nuk u përdor forcë fizike nga Policia e Shtetit”.
Sipas kritikëve të politikës së Shtëpisë së Bardhë për Iranin, administrata Biden po bën përpjekje të mëdha për të siguruar një marrëveshje afatshkurtër me Iranin që do t’i siguronte të paktën 17 miliard dollarë regjimit të mullahëve në shkëmbim të kufizimeve të përkohshme në programin e dyshuar bërthamor të Teheranit.
Kryetari i United Against Nuclear Iran, “Të Bashkuar kundër Iranit Bërthamor”, (UANI), ish-Senatori Joseph I. Lieberman dhe Drejtori Ekzekutiv i tij, Ambasadori Mark D. Wallace, thanë të premten: “Raportimet e shtypit për një ‘mirëkuptim’ midis Republikës Islamike dhe Shteteve të Bashkuara mbi çështjen bërthamore janë shqetësuese sepse rrezikojnë të legjitimojnë pasurimin e tij me pastërti 60%, edhe nëse produkti është i përpunuar, gjë që nuk ka asnjë justifikim të besueshëm civil”.
Lieberman dhe Wallace shtojnë se “Kjo përfaqëson një kolaps të pozicionit ndërkombëtar negociues mbi programin bërthamor të Iranit, i cili u shndërrua nga pasurimi zero para 2013 në tolerimin e pasurimit 60% më 2023. Mungesa e pasojave për të penguar përshkallëzimin bërthamor të Iranit është përligjje e strategjisë së Khameneit dhe një akuzë kundër vetes sonë”.
Ish-Sekretarët e Shtetit, John Kerry dhe Hillary Clinton, luajtën rol kyç në shpërnguljen e iranianëve nga Iraku në Shqipëri.
Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha për Fox News Digital se “I dërguari special presidencial për klimën Kerry është i përqendruar te politika për klimën dhe ne do t’ju drejtonim te komentet që tashmë i kemi bërë për këtë çështje”. Një kërkesë për prononcim dërguar Clinton Foundation nuk mori përgjigje.
Ali Safavi, një përfaqësues i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit, anëtari kryesor i të cilit është MEK, tha për Fox News Digital se “Ky është një film i parë, një spektakël me skenar të dobët dhe të prodhuar me çmim të ulët. Ai paraqet përpjekjet e përsëritura dhe të dështuara të Foggy Bottom (zona ku gjendet Departamenti i Shtetit – Syri) për të marrë me të mirë regjimin mesjetar të mullahëve. Nga skandali Iran-contra më 1985, në një raport të shtrembëruar në 1994, te gjestet e gabuara të vullnetit të mirë më 1997, dhe praktika quid-pro-quo e këshilluar keq që përfshinte MEK para luftës në Irak më 2003, narrativa e Departamentit të Shtetit mbetet në mënyrë të parashikueshme dhe tragjike e njëjta: paraqitje negative e Muxhahedin-e Khalq për të qetësuar tiranët vrasës që sundojnë Iranin”.
Ai shtoi: “Këto lëshime të kota dhe të pandërgjegjshme nuk kanë dhënë asnjë rezultat dhe nuk do të japin as tani e as në të ardhmen. Legjitimiteti i MEK-ut nuk buron nga shpalljet qesharake të Departamentit të Shtetit, por i ka rrënjët thellë në luftën 60-vjeçare pa kompromis dhe në çmimin e lartë që ka paguar në përpjekjet për liri në Iran”.
Departamenti i Shtetit tha se “vazhdon të ketë shqetësime serioze për MEK si organizatë, përfshirë edhe akuzat për abuzime karshi anëtarëve të vet”. Departamenti i Shtetit shtoi se Shtëpia e Bardhë nuk e konsideron MEK “një lëvizje të besueshme opozitare demokratike që është përfaqësuese e popullit iranian”.
Sali Berisha, ish-kryeministër i Shqipërisë (2005-2013) që aktualisht është deputet i Partisë Demokratike, tha për Fox News Digital se nuk kishte “asnjë dyshim” se bastisja ishte një përpjekje për të marrë me të mirë regjimin iranian.
“Kërkova në parlament dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm, sepse u vra një njeri dhe u plagosën 100 persona”, tha Berisha, i cili ka shërbyer edhe si president i vendit në vitet ’90.
Sekretari i Shtetit Antony Blinken e sanksionoi Berishën në vitin 2021 me supozimin e “përfshirjes në korrupsion serioz”. Blinken ia ka ndaluar hyrjen në SHBA ish-kryeministrit. Berisha e ka mohuar kategorikisht akuzën për korrupsion dhe ka deklaruar se informacioni i rremë i ngritur ndaj tij buron nga George Soros dhe kryeministri aktual i Shqipërisë, Edi Rama.
Ish-kongresmeni Lee Zeldin, PR-New York, akuzoi administratën Biden për ndëshkimin e Berishës sepse ai është aleat i Republikanëve dhe kundërshton Sorosin ultra-liberal.
Irani e festoi bastisjen e kampit MEK nga policia shqiptare. Sipas një raporti të agjencisë së lajmeve Tasnim, “ajo që ndodhi në Shqipëri ishte në të vërtetë rezultat i fuqisë së diplomacisë së Republikës Islamike të Iranit dhe një rezultante aksionesh nga institucione të ndryshme”.
Tasnim ka lidhje Gardën Revolucionare Islamike të Iranit, e sanksionuar nga SHBA si organizatë terroriste. Agjencia e lajmeve Kayhan, e cila është zëdhënëse e udhëheqësit suprem të Iranit, Ali Khamenei, tha: “Ngjarjet e së martës në Francë dhe Shqipëri duhet të shihen qartë si aftësi ekzemplare e Republikës Islamike dhe dëshpërim i Perëndimit në përpjekjet e tij 44-vjeçare për t’u përballur me Iranin”.
Bastisja në kampin MEK koincidon me anulimin nga qeveria franceze të një tubimi të Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI) në korrik, dhe me lirimin nga ana e qeverisë belge të një diplomati iranian të dënuar për planifikimin e vrasjes masive me një bombë të vendosur në një konferencë MEK, i cili u shkëmbye me një shtetas belg, punonjës humanitar, i cili ishte marrë peng e mbahej në Iran.
SHBA e vuri MEK në listën e terrorizmit më 1997 për shkak të vrasjeve të raportuara të amerikanëve në Iran në vitet 1970. Por më 2012, Departamenti i Shtetit e hoqi nga lista e terrorizmit, sepse grupi hoqi dorë nga dhuna. Një zëdhënës i NCRI tha për Fox News Digital se grupi hodhi poshtë menjëherë çdo përfshirje në vrasjen e qytetarëve amerikanë.
Grupi, armik i betuar i regjimit iranian, u largua nga kampi i tij në Irak më 2013 sipas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga OKB e SHBA, në bazë të cilës mijëra anëtarë të tij u vendosën në Shqipëri.