Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, opozita ka qenë, është dhe mbetet e betuar për sistem parlamentar në Shqipëri. Berisha tha se, opozita ka për mision rikthimin e të drejtës së votës për shqiptarët.
“Opozita është e gatshme për betejë. Po përgatitet për betejë.
Opozita ka për mision rikthimin e të drejtës së votës për shqiptarët.
Opozita ka qenë, është dhe mbetet e betuar për sistem parlamentar në Shqipëri.
Ky njeri që po flet këtu, në vitin 1992 ka pasur kompetenca ekzekutive dhe është shprehur që në atë kohë kundër dhe është gjithnjë kundër.
Kurrë opozita nuk mund të marrë pjesë në një akt të tillë.
Sa i përket ndryshimeve në kodin elektoral, jam shprehur dhe shprehem se jam plotësisht dakord me vendosjen e nenit për votimin e detyruar të qytetarëve. E kanë disa vende të lira dhe ato që e kanë vendosur, kanë pasur vetëm mirësi nga kjo, sepse ka shmangur blerjen e të drejtës së votës. E kanë vendosur demokraci të konsoliduara me shumë sukses si Australia vetëm për këtë arsye. Edhe atje bëhej kërdia me blerjen e votës nga oligarkët.
Jam dakord plotësisht dhe e kam ngritur para disa vitesh uljen e moshës për të drejtën e votimit në 16 vjeç. Kam bërë fushatë për këtë në vitin 2013.
Jam i hapur plotësisht për proporcional të pastër, për lista të hapura. Proporcionali i pastër nuk mund të injorohet. Ka që tani disa inkonvenienca se rrezikon të pasurit dhe të fortët të fitojnë, por kjo është e drejtë”, tha Berisha.
