Dy vjet nga fitorja historike e Kauzës së Teatrit në Gjykatën Kushtetuese!

Sot, dy vjet pas fitores historike të Kauzës së Teatrit në Gjykatën Kushtetuese! Ne Qendrestarët e kësaj Kauze Unike paraqesim:
LETËR E HAPUR
NGA: QËNDRESTARËT E ALEANCËS PËR MBROJTJEN E TEATRIT (më poshtë AMT).
DREJTUAR: ANËTARËVE TË KËSHILLIT BASHKIAK TIRANË, TË KOALICIONIT “BASHKË FITOJMË”,
KRYETARIT TË GRUPIT TË KËSHILLTARËVE TË KOALICIONIT “BASHKË FITOJMË”, z. Endrit Brahimllari.
Të nderuar këshilltarë të Koalicionit “Bashkë Fitojmë”.
I nderuar z. Brahimllari.
Si Qëndrestarë të AMT, ju bëjmë me dije, se protesta jonë në mbrojtje të Teatrit Kombëtar specifikisht, por edhe të identitetit, historisë dhe trashëgimisë kulturore të Tiranës dhe jo vetëm të kryeqytetit, ka hyrë në vitin e gjashtë të saj. Në këtë kuadër, gjatë gjithë kësaj periudhe kemi mbrojtur fizikisht Teatrin Kombëtar dhe duke nisur nga data 17.07.2019 e kemi bërë këtë përmes një qëndrese 24-orëshe, deri më 17.05.2020, kur dora barbare e shembi, ndërkohë që artistë dhe qytetarë ndodheshin brenda godinës.
Pas datës 24.07.2019 e rijetëzuam atë tempull të artit e kulturës me punën dhe shpenzimet tona. Në atë skenë, nën kujdesin tonë, u dhanë mbi 80 shfaqje, të cilat patën kulminacion ekspozitën e artistit patriot Avni Delvina.
Po kështu, krahas mbrojtjes së Teatrit Kombëtar me prani fizike, ne filluam betejën ligjore, që me kallëzimin e parë në SPAK, më datë 31.12.2019 e më pas me 18 kallëzimet e radhës dhe me paraqitjen 35 herë pranë këtij institucioni, duke kërkuar sekuestron preventive mbi truallin e Teatrit Kombëtar. Fatkeqësisht, ende sot e kësaj dite jemi pa përgjigje.
Beteja jonë ligjore kulmoi me pranimin e AMT si palë e tretë në konfliktin kushtetues inicuar nga Presidenti i Republikës, z. Ilir Meta dhe fitoren në këtë gjykatë, ku, sipas vendimit Nr.29, datë 02.07.2021, në unanimitet Gjykata Kushtetuese vendosi:
– Shpalljen antikushtetues të Ligjit Special Nr. 37/2018 (Ligji Fusha).
– Shpalljen antikushtetues të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 377, datë 8.5.2020, për transferimin e pronës së Teatrit Kombëtar nga Ministria e Kulturës te Bashkia Tiranë.
Ky vendim jo vetëm është detyrues për subjektet e interesuara, palë në proçes, por mosekzekutimi i tij përbën vepër penale, fakt për të cilin ne kemi disponuar me kallëzim në SPAK.
Nga ana e Bashkisë Tiranë, jo vetëm nuk u kthye prona te Ministria e Kulturës sipas disponimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe të dispozitave ligjore në fuqi, por kjo bashki edhe paralajmëroi fillimin e punimeve për Teatrin e Ri mbi projektin e vjetër, atë të Bjarke Ingels, i kallëzuar nga ne në SPAK, i cili me prova rezulton i financuar nga shoqëria “Fusha” sh.p.k.
Ndërkaq, në kundërshtim me disponimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Bashkia Tiranë “zhvillon” tenderin e projektit dhe të firmës ndërtuese, duke shpërdoruar kësisoj jo vetëm taksat e qytetarëve të Tiranës, por edhe buxhetin e parashikuar për investime të ndryshme.
Sot, kur kanë kaluar mbi tre vjet nga ajo natë e kobshme e veprës së barbarëve, siç i etiketuan edhe shumë institucione ndërkombëtare, kryetari Veliaj, pasi vodhi dhe bleu votat e 14 majit me leje betoni e para te pista, ka rinisur punimet, te cilat ishin ndërprerë pa asnjë shkak dhe shpjegim brenda datës 21 dhjetor 2022.
Fillimi i këtyre punimeve në dhjetorin e kaluar, si edhe mospranimi i kërkesës sonë nga Gjykata Kushtetuese për të mbrojtur vendimin e vet lidhur me Teatrin Kombëtar, na detyroi t’i drejtoheshim Gjykatës së Strasburgut. Ashtu siç pritej, ndryshe nga Gjykata Kushtetuese, e cila iu nënshtrua regjimit, Gjykata e Strasburgut ka pranuar kërkesën tonë dhe e ka kaluar për gjykim çështjen e Teatrit Kombëtar.
Ndodhur në kushtet, kur rifillimi i punimeve bie ndesh me:
a) Vendimin e Gjykatës Kushtetuese Nr. 29, datë 02.07.2021, që lidhet me Teatrin Kombëtar,
b) Gjykimin e pritshëm në Gjykatën e Strasburgut,
c) Hetimet nga SPAK për çështjen e Teatrit Kombëtar,
nga këshilltarët e koalicionit “Bashkë Fitojmë” (dhe kushdo tjetër) kërkojmë:
1. Të depozitoni kërkesën për debat në Këshillin Bashkiak, lidhur me Teatrin Kombëtar.
2. Të ndiqni të gjitha procedurat ligjore për ekzekutimin e vendimit Nr. 29, datë 02.07.2021 të Gjykatës Kushtetuese, që lidhet me Teatrin Kombëtar.
3. Të depozitoni në SPAK një kërkesë për vendosjen e sekuestros preventive mbi truallin e Teatrit Kombëtar deri në perfundim të hetimeve.
4. Të kërkoni informacion të hollësishëm lidhur me tenderat e projektit dhe të ndërtimit të Teatrit të Ri, të cilët jo vetëm bien ndesh me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por do t’u kushtojnë taksapaguesve tiranas afro 20 milion Euro, kur nuk dihet, se për ç’nivel punimesh shkon kjo shumë dhe kur nuk ka as leje ndërtimi.
5. Të kërkoni informacion nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës lidhur me pozicionin kadastral të kësaj prone dhe pse nuk është ekzekutuar tërësisht vendimi i Gjykatës Kushtetuese Nr. 29, datë 02.07.2021.
6. Të kërkoni vendosjen e sekuestros preventive mbi tenderin e fituar nga firma “Agi Kons” sh.p.k në shumën 19 milion Euro.
7. Të kërkoni informacion të hollësishëm lidhur me Lejen e Ndërtimit Nr. 52, datë 03.05.2023, dhënë shoqërisë “Fusha” sh.p.k te prona e BashkisëTiranë (ish-parkimi ngjitur me Teatrin Kombëtar), duke vërtetuar gjithë akuzat tona në betejën tonë ligjore, se aty do të ngrihen vetëm kullat, bazuar në pastrimin e produkteve të veprave penale.
8. Të kërkoni vendosjen e sekuestros preventive mbi Lejen e Ndërtimit Nr. 52, datë 03.05.2023.
9. Të kërkoni në Gjykatën Administrative pezullimin e punimeve deri në vendimin e Gjykatës së Strasburgut.
10. Të kërkoni pezullimin e Lejes së Ndertimit Nr. 52, datë 03.05.2023.
Po kështu, ne sygjerojmë, se ju duhet të dilni me një deklaratë lidhur me pozicionin tuaj në raport me rifillimin e punimeve te sheshi i Teatrit Kombëtar.
Bashkë ia dalim.
Teatri Aty Dhe Ashtu Siç Ishte.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit
Tiranë, më 03.07.2023

About Redaksia

Check Also

BIRN: 106 miliardë lekë të inceneratorit të Tiranës kanë shkuar në drejtim të paditur

Kompania koncesionare Integrated Energy BV SPV, e cila është aktualisht nën administrim shtetëror, ka dështuar …

Leave a Reply