Rrahjat që të rrahin…

Nga Elona CASLLI

Rrahjat që të rrahin janë pasqyrimi i dhimbshëm i realitetit ku jetojmë.

Rrahjat që të rrahin janë patronazhistët që kanë pushtuar administratën shtetërore dhe me nga një hu në dorë i kujtojnë çdo minut, çdo orë, çdo javë, çdo muaj dhe çdo vit të gjithë nënpunësve se buka që hanë është buka e qeverisë dhe se më e pakta që duhet të bëjnë është të shpërndajnë arritjet e qeverisë në profilet e tyre dhe t’i shoqërojnë këto shpërndarje me komente të llojit

“Bravo”, ” Yll Lali Eri” etj.

Rrahjat që të rrahin janë drejtorët e drejtorive në adminstratën shtetërore që ditën e zgjedhjeve pushtojnë qendrat e votimit për të pritur vartësit e tyre që të votojnë. Pasi i kanë rraskapitur psikologjikisht për muaj me radhë me platformën ” Aktivisti” dhe me sloganin ” Po hani bukën tonë” ditën e zgjedhjeve kryejnë aktin përfundimtar duke ushtruar presion me praninë e tyre në qendrat e votimit.

Rrahjat që të rrahin janë institucione shtetërore që zaptohen nga fise dhe shndërrohen në çifligje që i përkasin mbiemrit të Felajve.

Rrahjat që të rrahin janë taksat e qytetatëve shqiptarë që shpërdorohen, plaçkiten dhe zhvaten në emër të shërbimeve imagjinare që qytetarët nuk i marrin kurrë.

Rrahjat që të rrahin janë plot 80.000 euro në ditë që paguhen nga taksapaguesit shqiptarë për inceneratorë që gjenden veç në letër.

Rrahjat që të rrahin janë pronat e vjedhura dhe të tjetërsuara të shqiptarëve nga ” Agjencia Shtetërore e Kadastrës” për të cilat kryeministri u kërkon një ” ndjesë artificiale” qytetarëve të dëmtuar, duke amnistuar njëkohësisht të gjithë grabitësit e këtyre pronave që kanë emër dhe mbiemër.

Rrahjat që të rrahin janë 138 miliardë lekë të identifikuara si dëm dhe abuzime në vitin 2022 nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Rrahjat që të rrahin janë 1 milion pemët imagjinare të kryebashkiakut që hidhen poshtë nga një raport auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Rrahjat që të rrahin kudo pasqyrohen te numri i dhimbshëm i shqiptarëve që kanë braktisur Shqipërinë për të ndërtuar jetën diku në Evropë dhe te nevoja që lind së fundmi për të hartuar një ligj për t’i mbajtur mjekët e rinj në Shqipëri të paktën pēr 5 vite, pasi veç ligjit këta të rinj nuk i mban asgjë këtu.

Rrahjat që të rrahin e filmojnë procesin e drurit që i japin një qytetari, pasi u shërben si kartvizitë për të pohuar publikisht pushtetin e tyre absolut në këtë vend, sikundër u shërben si videoklip fushate për zgjedhjet e ardhshme.

Post Scriptum- Rrahjat që të rrahin do të shtohen ditë pas dite në Shqipëri dhe ata që do të pakësohen do të jenë shqiptarët që do të bëjnë gati valixhet, pasi nuk duan të rrihen më nga Rrahjat që të rrahin.

About Redaksia

Check Also

Rama-Dumani – kampioni i anti-korrupsionit nuk prek kampionët e korrupsionit

Nga Basir ÇOLLAKU Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, ka sanksionuar Altin Dumanin, kreun e Strukturës së …

Leave a Reply