Është ndërprerë për 5 minuta seanca në mbledhjen e Këshillit të Mandateve, ku po diskutohet heqja ose jo e imunitetit të Arben Ahmetajt, pas kërkesës së SPAK për ta arrestuar. Gazetari Ergys Gjençaj bën me dije për BalkanWeb se mbledhja ka nisur me debate.
Sipas tij opozita ka kërkuar që mbledhja të zhvillohet me dyer të hapura, por ka pasur replika nga ana e maxhorancës. Deputeti Ervin Salianji mësohet se i është drejtuar deputetes së PS Ermonela Felajt duke i thënë se është në konflikt interesi dhe ndaj e kërkon mbledhjen me dyer të mbyllura.
“Je e përfshirë njësoj dhe je pjesë e dosjes dhe prandaj e kërkon të mbyllur mbledhjen”, është shprehur ai.
Në këtë moment është kërkuar dhe ndërprerja e mbledhjes për 5 minuta. Pas disa minutash mbledhja ka rinisur, por në fokus të debatit ka vijuar e njëjtat temë, për mbledhje me dyer ta hapura apo të mbyllura, ndërsa ende nuk është bërë asnjë diskutim për thelbin e çështjes, imunitetin e Ahmetajt.