Deputeti i Partisë Demokratik,e Gazment Bardhi, i cili ishte pjesë e mbledhjes së Këshillit të Mandateve ku u votua për heqjen e imunitetit të Arben Ahmetajt, ka zbardhur pjesë nga provat e dosjes së SPAK që kërkon arrestimin e ish-zv/Kryeministrit.
Në një lidhje direkte për emisionin Opinion në Tv Klan, Bardhi tha se kërkesa e SPAK për arrestimin e Ahmetajt duhet të miratohet sa më shpejt pasi rritet rreziku që deputeti të humbasë gjurmët në arrati nëse nuk kthehet në Shqipëri.
“Kërkova të zbatohej ajo kërkesë e ardhur nga Prokuroria, të zbvatohet pa vonesa. Një nga arsyet pse Prokuroria kërkonte arrest me burg për Ahmetajn, sipas Prokurorisë, ishte sepse z.Ahmetaj tentonte të prishte provat, të intimidonte dëshmitarë dhe ndikonte në proces. Sa më shumë kohë të kalojë aq më shumë është e mundur të humbasë gjurmët e tij”.
Bardhi u shpreh se SPAK e ka dokumentuar të gjithë përfshirjen e Arben Ahmetajt dhe ka faktuar lidhjen e ish-zv/Kryeministrit me Mirel Mërtirin.
“Prokuroria ka dokumentuar paligjshmërinë e procedurës të ndjekur në 3 inceneratorë. Ka provuar me dokumente konkrete në kompjuterin e Klodian Zotos që e gjithë procedura ishte parapërgatitur para se të shpallej emergjenca mjedisore. Draft kontrata, projektvendime, veprime që do duhet të kryente kryteari i bashkisë ishte përpara se të shpallej emergjenca.
Çdo letër dhe procedurë ishte realizuar nga zyra private e z.Zoto. Kjo është e faktuar në dosje nëpërmjet komunikimeve elektronike. Prandaj kanë vepruar si organizatë e strukturuar kriminale.
Kompania ka propozuar për secilin nga inceneratorët një vlerë disa herë më të ulët nga ajo që miratuar. Kostoja totale për inceneratorin e Elbasanit ka qenë 16 milionë Euro. Pasdite vlera totale është ripropozuar 22 milionë Euro. Kanë shtuar një vlerë fiktive 5.6 milionë Euro vetëm për një incenerator. Tjetër vlerë është propozuar nga kompania dhe tjetër vlerë ka dalë në përfundim të procesit.
Lidhjet e Mërtirit me Ahmetajn janë tërëisht të faktuara që në 2012. Tigri ishte Mirel Mërtiri, Arben Ahmetaj ishte fratelo. Ky ishte komunikimi që kishin. Mirel Mërtiri e përdorte influencën e Ahmetajt në PS që ky i fundit t’i krjonte akses në biznes.
Gjiknuri përmendet në të njëjtat rrethana si z.Ahmetaj sikundër edhe në udhëtimet apo përfitimet e tjera. Në mënyrë identike janë të dy në të njëjtën pozitë”, theksoi Gazment Bardhi.
Deputeti i PD, Gazment Bardhi thotë se do të ketë arrestime të tjerë në nivel zyrtarësh të lartë përsa i përket dosjes hetimore për Arben Ahmetajn. Bardhi tha se sipas tij koka e aferës së inceneratorëve nuk është Arben Ahmetaj, por kryeministri Edi Rama.
Gazment Bardhi: Koka e kësaj afere nuk është Ahmetaj, por Rama. Nuk ka fuqi Ahmetaj që të vëjë në lëvizje qeverinë. Rama ka takuar Ahmetajn, Gjiknurin, nuk ka pasur nevojë të takojë Zoton e Mërtirin. Ahmetaj ka qenë i përfshirë në këtë aferë. Kudo ku shkonte Ahmetaj, merrte kompetenca mbi mbikqyrjen e këtyre dhe çdo gjë përgatitej nga zyra private e Klodiano Zotos. Në transaksione të paligjshme fshihen para korrupsioni të dhëna nga Mërtiri dhe Zoto. Sipas SPAK, pas çdo veprimi që bënte Ahmetaj ndodhte një nga këto transaksione. Disa prokurorë brenda SPAK kanë integritetin e duhur për të hetuar të pandikuar nga prokuroria dhe këta duhet të mbështeten. Dosja do të shkojë më tej dhe do të ketë arrestime të tjera në nivele të larta dhe kam besim që SPAK do t’i shkojë deri në fund.
Bardhi ka inkurajuar SPAK-un të vijojë hetimet dhe të godasë majtas apo djathtas këdo që ka abuzuar me pushtetin.
Gazment Bardhi: Në çdo goditje që SPAK do të bëjë do të ketë mbështetjen time. Inkurajoj të godasin majtas e djathtas, cilindo që ka abuzuar me pushtetin.
Megjithatë, Bardhi thotë se SPAK ka bërë gabim që ka copëtuar dosjen hetimore për inceneratorët, duke thënë që duheshin hetuar si një e vetme.
Gazment Bardhi: SPAK Ka bërë një gabim me pasojë në hetim që e ka ndarë dhe copëzuar dosjen. Të treja denoncimet e PD duhet të ishin bashkuar në të njëjtën dosje dhe të hetoheshn si një. Kishte një tentativë në fillimet e SPAK sepse nuk është kaq e lehtë për të goditur politikanë të fuqishëm, prandaj duhet t’i japim kohë. Më mirë të kishin marrë më shumë kohë se sa e copëzuan për t’i dhënë publikut 2 ose 3 emra. Dumani dhe prokurorë të tjerë kanë vullnetin për ta çuar këtë hetim deri në fund me të gjithë dëmet. Nuk mundet që SPAK të mos ketë asnjë veprim përsa i përket inceneratorit të Tiranës, është një incenerator fantazmë. Bashkia e Tiranës paguan mijëra euro për një objekt që nuk ekziston, prandaj SPAK duhet të veprojë sa më shpejt dhe duhet të bëhet konfiskimi i objekteve.