Partia Demokratike ka prezantuar sot para mediave, raportin final me shkeljet ligjore që u bënë nga mazhoranca në pushtet për të fituar me çdo kusht, zgjedhjet vendore të 14 majit në bashkitë e qarkut të Lezhës.
Anëtari i Kryesisë, Gent Strazimiri, në një panel me drejtues të PD-së që punuan në këtë qark gjatë fushatës zgjedhore, tha: “Zgjedhjet e 14 majit nuk ishin zgjedhje, sepse nuk arritën të përmbushin as kriteret minimale të Kartës së Kopenhagenit. Prandaj quhen kritere minimale; nuk pretendohet të jenë zgjedhje të lira dhe të ndershme, por kur zgjedhësi të paktën të ketë një mundësi për të zgjedhur. Për fat të keq, në zgjedhjet e 14 majit (kjo ka qënë e pamundur në Shqipëri), edhe në qarkun e Lezhës, ashtu si në të gjithë territorin e vendit është e njëjta situatë.”
Strazimiri ia dha fjalën znj. Jozefina Topalli, e cila ka qenë dhe është drejtuesja politike e PD-së dhe e opozitës për qarkun e Lezhës, veçanërisht gjatë zgjedhjeve lokale.
“Zgjedhjet lokale, “fytyra” e zgjedhjeve lokale të majit të kaluar, – theksoi Topalli që në krye, – janë zgjedhje që filluan me tritolin në Laç, Vaun e Dejës dhe që u mbyllën me burgosjen e njërit prej kandidatëve të “Bashkimit për Fitore”. Ose më mirë, fytyra e vërtetë është përdorimi deri te të burgosurit nëpër burgje të ndryshme për të deformuar rezultatin e zgjedhjeve. Të flasësh për zgjedhje të lira dhe të ndershme është krejt jorealiste. Në historinë e tri dekadave të PD-së, janë zgjedhjet më të pabarabarta që ka kaluar ndonjëherë shoqëria shqiptare”.