I dërguari i posaçëm i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, doli të hënën përpara Komisionit të Jashtëm në Kongresin e SHBA për të dëshmuar për situatën në rajonin tonë.
Në fokus të Komisionit të Jashtëm të Dhomës së Përfaqësuesve ishte situata në Kosovë.
Kongresmenët ishin të interesuar për të mësuar më shumë për zhvillimet mes Serbisë dhe Kosovës.
Por ajo që ra në sy ishte se në sallë ishin të pranishëm edhe disa protestues të veçantë.
Ata mbanin bluza të verdha ku bëhej thirrje për të mbrojtur muxhahedinët iranianë. Sipas tyre, duhet mbrojtur kampi Ashraf-3.
Ky kamp i muxhahedinëve të popullit iranian, të njohur edhe si MEK, është i vendosur në Shqipëri.
Por kampi u bë subjekt i një bastisje të dhunshme nga forcat policore para disa javësh.
Kjo solli reagime të ashpra nga SHBA, kur zyrtarë të lartë republikanë thanë se qeveria shqiptare po i nënshtrohet vullnetit të regjimit iranian.
Së fundmi, Irani thotë se ka marrë dhjetëra kompjuterë të sekuestruar nga Shqipëria në këtë kamp, një fakt që ka sjellë po ashtu reagime të ashpra.