Nga Myqerem TAFAJ
Diskutimi mbi projektligjin për studentët e mjeksisë nxorri në shesh një problem real, të cilin qeveria nuk parapëlqente t’a diskutonte publikisht. Pikërisht mungesën e mjekëve dhe profesionistëve të tjerë me arsim të lartë, jo vetëm në zoant rurale por edhe në rrethe. Më në fund në komisionet e Kuvendit u pranua që nuk ka mjekë specialistë, jo vetëm në rrethet e largëta por edhe në ato më të afërta dhe me standart më të lartë mirëqenie. Nuk u dhanë statistika për profesionet e tjera të shëndetësisë, për të cilët situata është ndoshta pak më e mirë. Por, në këto diskutime, nuk u hoq kapaku i tenxheres plotësisht, sepse deputetët nuk diskutuan për mungesën e profesionistëve të tjerë në këtë „Shqipërinë tjetër ose Shqipërinë e harruar“ – rrethet më të varfëra dhe zonat rurale! Por deputetët e dijnë mirë situatën reale shumë dëshpëruese. Po mësues më arsim përkatës kanë gjimnazet e rretheve të varfëra, pa folur pastaj për shkollat e bashkuara dhe shkollat 9-vjecare në zonën rurale? Po inxhinierë, urbanistë, specialistë të IT, specialistë të bujqësisë, blegtorisë, ushqimit, dhe profesionistë të tjerë të nevojshëm kanë njësitë administrative të bashkive të rretheve të varfëra?
Diskutimi i këtij projektligji të panevojshëm për kushtëzimin e mbështetjes së studimeve në mjekësi me paratë e taksave të prindërve të vet studentëve, pati të paktën një kontribut shumë pozitiv publik: shoqëria jonë kuptoi që Shqipëria e vërtetë nuk është vetëm Tirana! Ajo është jo vetëm shumë më e varfër, gati e harruar, por po vuan, cdo vit e më shumë, nga mungesa jo vetëm e mjekëve por edhe e mësuesve të kualifikuar, inxhinierëve, urbanistëve, gjeologëve, specialistëve të IT, specialistëve të bujqësisë, blegtorisë, ushqimit dhe profesionistëve të tjerë. Pra kriza e mjekëve është vetëm kambana e parë që u dëgjua! Kambanat e tjera kanë rënë por nuk i ka dëgjuar njeri.
Kjo situatë ishte e pritshme, Ajo lidhet sigurisht me emigrimin masiv të të rinjve, madje menjëherë pas përfundimit të arsimit 9-vjecar. Një fakt shumë i thjesht; Shqipëria kishte në 2013, 39600 nxënës në klasën e tretë fillore. Ata janë maturantët e Maturës 2023. Por ishin vetëm 27300 maturantë! Pra 12000 nxënës të tjerë nuk kishin vazhduar arsimin e mesëm, sepse, ndoshta pjesa më e madhe kanë emigruar, ndërsa pjesa tjetër nuk ka vijuar arsimin e mesëm. Pra brenda një dekade largohet nga arsimi i mesëm rreth 30% e një grupmoshe!
Por përvec emigrimit shkaku tjetër kryesor është cilësia e ulët e shkollave në zonat më të varfëra të vendit. Ky hendek është shumë i madh. Sipas një raporti të Bankës Boterore (2020), nxënësit e këtyre zonave kanë një nivel formimi prej gati 2 vite shkollimi në krahasim me nxënësit e Tiranës (PISA 2108 e kishte përcaktuar këtë hendek 1,5 vite shkollore, që u rrit nga pandemia në 2 vite). Do të thotë që nxënësit e klasës së 9-të të rretheve të varfëra dhe zonave rurale kanë nivel shkollimi të krahasueshëm me atë nxënësit të klasës 7-të të shkollave të Tiranës. Ky hendek trashëgohet edhe në arsimin e mesëm. Sipas raportit vjetor të Maturës shtetërore 2022, shkollat e mesme të rretheve të varfëra dhe zonave rurale të vendit tonë kanë mesatare deri 1 notë më të ulët se sa ajo në shkallë vendi, pa folur për shkollat e mesme të Tiranës. Kjo do të thotë se, në shkollat e mesme të këtyre zonave shumë rrallë gjenden maturantë me notë mesatare të përgjithshme të Maturës mbi 8. Këtu përjashtohen rastet fiktive të kopjeve masive në provimet e Maturës sic ndodhi vjet në disa 2 -3 rrethe të largëta në provime.
Kjo cilësi e ulët e shkollave 9-vjecare dhe të mesme në rrethet e varfëra dhe në zonat rurale është një diskrimin real për fëmijët dhe të rinjtë e këyre zonave, i cili con në pasoja kaskadë, jo vetëm për vetë të rinjtë, por edhe për zhvillimin e këtyre zonave në të gjithë sektorët. Nxënësit e këtyre zonave u privuan sistematikisht, për këto dy dekada, nga e drejta për të vazhduar studimet universitare në mjekësi dhe sigurisht që janë diplomuar shumë pak mjekë nga këto zona. Për më tepër, jo pak prej mjekëve të diplomuar nuk janë kthyer në zonat nga vijnë, duke gjetur mundësi punësimi në Tiranë-Durrës, ose duke braktisur profesionin. Nga ana tjetër, shumë nga maturantët e këtyre zonave, që kishin rezultate mesatare ose mbimesatare dhe dëshirë për të vijuar studimet universitare, ishin në pamundësi ekonomike, sepse familjet e tyre nuk mund t‘i financonin për të përballuar koston e jetesës për të vijuar studimet universitare larg familjes, sidomos në Tiranë.
Kriteri i meritës në pranimin e studentëve në degët/programet më të preferuara është plotësisht ligjitim. Por ky kriter nuk mbështetet në kushte të barabarta të nxënësve të shkollave të mesme publike. Shteti nuk arrin të siguroj cilësi në shkollat publike të mesme të rretheve të varfëra dhe të zonave rurale dhe pastaj, për fajin e tij, dënon maturanët e këtyre shkollave. Shteti tregon indiferencë deri në arrogancë, se pse maturantët e viktimizuar nga shkollat e dobëta të vet shtetit nuk arrijnë kriterin e mesatares! Akoma më keq. Vetë qeveria përpunon opinionin publik me një frymë diskriminuese ndaj maturantëve të këtyre zonave deri në atë shkallë, sa që shpesh, madje edhe në media, dëgjon paradokse “edhe këta maturantët e fshatrave deshkan të studjojnë mjekësi, mësuesi, inxhinieri, informatikë, ekonomiks, financë, etj”! A thua se këta janë indigenë apo qytetarë të dorës së dytë në Atdheun e tyre! Fatkeqësisht, qeveria justifikohej se e drejta për arsim të lartë u sigurohet edhe maturantëve të këtyre zonave, sepse ata mund të ndjekin studime psotsekondare 2-vjecare. Tani po shkaktoka habi të madhe që nuk paska mjekë, mësues të kualifikuar dhe profesionistë të tjerë jo vetëm në zonat rurale, por edhe qytetet e largëta. Vendimi i fundit i qeverisë për programet prioritare është një korigjim i politikës diskriminuese për maturantët e këtyre zonave dhe një hap pozitiv edhe pse shumë i vonuar.
Ka ardhur koha për politika reale antidiskriminuese për zonat më të varfëra të vendit, pra për atë Shqipërinë tjetër ose Shqipërinë e harruar. Dhe kjo fillon me rritjen e cilësisë së arsimit të detyruar dhe atij të mesëm në këto zona. Kjo kërkon investime reale për mësues të kualifikuar dhe infrastrukurën e shkollave.
Por cfarë duhet bërë me gjimnazistët e këtyre shkollave të mesme të zonave të varfëra dhe të zonave rurale? Do të qëndrojmë akoma indiferent? Do vazhdojmë t’i privojmë ata nga e drejta për të konkuruar në degët e preferuara si mjekësia?
Mendoj se ka ardhur koha, madje që këtë vit, për të organizuar një Vit Parapërgatitor për studimet universitare (të modelit Studienkolleg që përdorin disa vende për studentët e huaj) për maturantët e rretheve më të varfëra dhe zonave rurale të vendit. Mendoj se MAS, në bashkëpunim me Drejtoritë/Zyrat Arsimore të rretheve dhe me universitetet rajonale, duhet të indentifikojnë maturantët me notë mesatare të caktuar, p.sh. rreth 8, dhe t’u afrojnë atyre një Vit parapërgatitor të tipit Studienkolleg, ku maturantët zhvillojnë një progam përforces në 5-6 lëndë dhe në fund zhvillojnë një provim të dytë të Maturës. Ky vit parapërgatitor do të conte në rritjen e nivelit të përgatitjes së maturantëve të këtyre zonave, në mënyrë që ata të kishin mundësi të konkurojnë me sukses edhe për degët me kritere shumë më të larta sic janë mjeksia dhe rreth 10 degë të tjera. Ky vit parapërgatitor duhet të zhvillohet pranë universiteteve rajonale dhe maturantët. Këtë përvojë e ka aplikuar Qeveria e parë e PD në 1992-96.
Një ndërhyrje tjetër imediate, sipas mendimit tim, është Harta e re e gjimnazeve, përmes së cilës përqëndrohen shkollat e mesme në qytete dhe njësi administrative të mëdha të bashkive. Për këtë duhet investim serioz për kualifikimin e vazhduar të mësuesve, krijimin e infrastrukturës bashkëkohore mësimore në shkollat e mesme, transportin e nxënësve, dhe, sipas rastit, edhe të konvikteve për nxënësit e zonave të largëta. Në fakt, gjimnazet në qendrat e njësive administrative dhe në shumicën e qyteteve të vendit, janë gjysëm të zbrazura, pra kanë kapacitete të lira në hapësira. Madje, edhe mësues mbi numër dhe me ngarkesë më të ulët. Shumica e shkollave të qyteteve dhe qendrave të njësive administrative janë ndërtuar të reja ose rikonstrukturuar në 20 vitet e fundit. Në shkallë vendit, vetëm 50 gjimnaze kanë më shumë se 500 nxënës dhe ato i përkasin qyteteve të Tiranës, Kamzës, Durrësit, Shkodrës, Lezhës, Elbasanit, Korcës, Lushnjes, Fierit dhe Vlorës.
Pra kapacitetet për një hartë të re të gjimnazeve ekzistojnë. Për këtë nuk duhet ndonjë përcaktim në ligj, sepse zgjidhet vetëm me një vendim të Këshillit të Ministrave. Por duhet vullnet politik. Harta e re e gjimnazeve është një reformë e vërtetë. Për implementimin e saj duhet një bashkëpunim i ngushtë me prindërit, një konsensus i gjërë politik, si dhe një bashkëpunim i ngushtë midis MAS dhe bashkive. Banorët e zona rurale janë të bindur për cilësinë e ulët të shkollave të mesme të bashkuara dhe pasojat që vuajnë fëmijët e tyre prej tyre dhe jam i sigurtë se ata do t’a mirëpresin një hartë të re të gjimnazeve. Kjo, sepse, më shumë se ata vetë janë më të interesuarit që fëmijët e tyre të marrin një shkollim të mesëm cilësor dhe të kenë shanse më të mëdha për studime universitare në degë të preferuara, karrierë profesionale dhe, në tërësi, shanse më të mëdha në jetë. Megjithatë duhet diskutuar me banorët e këtyre zonave për të gjithë aspektet e zbatimit të Hartës së re të gjimnazeve, sigurimin e mësuesve me kualifikim për gjimnazin, transportin e nxënësve dhe kostot e tij si dhe vendosjen në konvikte të nxënësve të zonave më të thella. Reforma të tilla janë ndërmarrë edhe në vende të tjera, të cilat janë përjetuar zbrazjen e zonave më të varfëra, sidomos atyre rurale. Duhen studjuar përvojat e vendeve me madhësi të krahasueshme me vendin tonë si Sllovenia, Estonia, Kroacia në rajonizimin e shkollave të mesme.
Harta e re e gjimnazeve do të ishte zgjidhja e nevojshme afatgjatë për rritjen e cilësisë së arsimit të mesëm në zonat rurale dhe zonat më pak të banuara të vendit, si dhe për zbutjen e diferencës së madhe në cilësi të këtyre shkollave krahasuar me ato të qyteteve kryesore të vendit, e cila është, ndoshta, sfida më e madhe aktuale për arsimin tonë të mesëm.