Dosja e SPAK/ Firma që çon në burg Veliajn, Rama i dha bonus kompanisë që nuk ekzistonte

Dosja e SPAK ka zbuluar fakte të forta për implikimin e Arben Ahmetajt në skemën e inceneratorëve, por nga hetimet del se edhe Erion Veliaj u kompromentua në nxitimin që e përfshiu për inceneratorin e Tiranës. Madje në dosje dalin veprime të dyshimta edhe për bashkëpuntorë të tij të afërt në bashki.

Herën e fundit që ka folur për inceneratorin e Tiranës, në një bashkëbisedim informal me gazetarët, kreu i SPAK, Altin Dumani tha se nuk mund të ndërhyjë sepse kompanitë që janë këtij projekti mund të padisin në arbitrazh shtetin shqiptar.

Por nga një lexim i shpejtë i kapitujve në dosjen për Arben Ahmetajn kuptohet se pas inceneratorit të Tiranës janë po ata njerëz; Arben Ahmetaj, Lefter Koka, Klodian Zoto, Klodian Mërtiri, Alqi Bllako etj. Me të vetmin ndryshim, që këtu implikohet edhe Erjon Veliaj dhe vartësit e tij.

Lapsi.al sjell në mënyrë të përmbledhur kapitullin për inceneratorin e Tiranës në dosjen e SPAK kundër Arben Ahmetajt. Përmbledhja e 30 faqeve vjen si një lexim më i thjeshtuar i gjetjeve të SPAK në aferën e Tiranës.

Lefter Koka fut në skemën e inceneratorëve Tiranën dhe Erion Veliajn
Kapitulli i pestë/ Paragrafi i parë i dosjes “Ahmetaj” zbërthen me detaje si u shpreh fillimisht nevoja për trajtimin e mbetjeve të Tiranës dhe si devijoi ideja e Veliajt nga zgjerimi i landfillit sipas modelit të partneritet publik-privat në një incenerator me partneritetin publik-privat me ofertë të pakërkuar. Kuptohet e gjithë skema u vu në zbatim nën tutelën e grupit Ahmetaj, Koka, Mërtiri, Zoto dhe Veliaj.

Prokurorët e SPAK e nisin raportimin për Tiranën me kërkesën e Veliajt për zgjerimin e landfillit, sipas studimit të porositur nga paraardhësi i tij në bashki, Lulzim Basha. Ky projekt nuk ishte e thënë të realizohej me gjithë përpjekjet që bëri Veliaj në fillim.

Shkëlqim Cani si Ministër i Financave e refuzoi në Janar të vitit 2016 për shkak të mangësive në dokumentacion, si mungesa e studimit të fizibilitetit. Kur merr vesh për nevojën që kishte Veliaj për ta përmirësuar trajtimin e mbetjeve futet në lojë Lefter Koka, ministër i mjedisit.

Në një shkresë në fillim të Marsit 2016 Koka gati e merr në zotërim nismën e Erion Veliajt me një grup pune ku fut edhe vartësit e Arben Ahmetajt. Praktikisht nis puna për ta përsëritur edhe një herë skemën e Elbasanit dhe Fierit, gjithnjë nën dirigjimin e Klodian Zotos në prapaskenë.

I pari që i shkruan ishte Veliaj, që kërkon zgjerim të landfillit, ndërsa në përgjigjen që i kthen, Lefter Koka shkruan: “Duke ju referuar diskutimeve të stafeve teknike të bashkisë dhe ministrisë është gjetur mirëkuptimi, për të vazhduar këtë procedurë nga ministria sa më parë, sipas legjislacionit në fuqi”.

Në dosjen e SPAK përmendet edhe një përpjekje e dytë e Erion Veliajt për zgjerimin e landfillit me PPP kur Shkëlqim Cani u zëvëndësua nga Arben Ahmetaj, por edhe ky i dyti e refuzoi.

Pas këtyre refuzimeve, Veliaj i futet skemës së Lefter Kokës. Në fund të fundit kjo skemë kishte funksionuar për Elbasanin dhe për Fierin dhe sipas të gjitha gjasave rezultonte më pak e kushtueshme se kostot që kishte nxjerrë studimi i Lulzim Bashës.

Edhe vartësit e Lefter Kokës vihen në punë. Në dosjen e SPAK pasqyrohen emailet që punonjësit e ministrisë së mjedisit nisin t’i dërgojnë Klodian Zotos. Aty ishin dokumentat e punës që i vinin nga Bashkia e Tiranës.

I pari është një dokument i Majit 2017, i nisur nga Vladimir Bezhani, punonjës i ministrisë së mjediti që i shkruan Klodian Zotos. “Përshëndetje Klodi! Po të dërgoj planin rajonal dhe atë të Bashkisë Tiranë për menaxhimin e mbetjeve të ngurta urbane. Sot kam harruar cel në shtëpi prandaj nuk komunikova me ty paraprakisht… Ladi”.

Duhet thënë se komunikimi me Klodian Zoton ishte praktikë e konsoliduar e punonjësve të Ministrisë së Mjedisit. Siç duket nga investigimi i SPAK, këta punonjës kishin kohë që ishin shndërruar në vartës të Zotos. Vërtet paguheshin nga taksat tona, por realisht i shërbenin Klodian Zotos dhe interesave të grupit Ahmetaj, Mërtiri etj.

Po në laptopin e Zotos gjatë kësaj kohe u hartua edhe kërkesa e disa kompanive private që bënin një “ofertë të pakërkuar” për një incenerator në Tiranë. Nis kështu farsa, sa për sy e faqe për të gllabëruar 128 milion euro me plehrat.

Në dosjen e SPAK, pasi bëhet e qartë se roli i Klodian Zotos ishte koordinimi i punonjësve të Ministrisë së Mjedisit shkruhet: “Në kompjuterin e Klodian Zotos është gjetur një dokument i datës 15.6.2016 me autor Vladimir Bezhani (punonjës i Ministrisë së Mjedisit shën. Lapsi.al), i modifikuar për herë të fundit në datë 20.6.2016, ku shfaqet një letër në gjuhën angleze drejtuar Ministrit të Mjedisit Lefter Koka, kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erjon Veliaj. Në këtë letër parashtrohet se shoqëritë Energy Recuperator S.P.A, Demare s.r.l, Arcadis s.r.l, Paul ëurth s.a dhe ITS shpk të specializuara në ndërtimin e landfilleve, ndërtimin e inceneratorëve etj paraqesin letër interesi për menaxhimin e integruar të mbetjeve të bashkisë Tiranë”.

Kapitulli i pestë/ Paragrafi i dytë dhe i tretë i dosjes së SPAK për inceneratorin e Tiranës ndjek hapat se si u ngrit Komisioni për dhënien me konçension/PPP ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i venddepozitimeve ekzistuese. Në dosjen e SPAK përmenden emrat e Valbona Ballgjinit, Pëllumb Abeshi, Etleva Kondi, Erjon Murataj, Sidita Temali, Taulant Tusha dhe Namik Simixhiu.

Këta ishin përfaqësues të disa ministrive dhe të bashkisë së Tiranës.

Disa janë të arrestuar. Jo për inceneratorin e Tiranës, por për firmat që kanë hedhur për inceneratorët e Elbasanit apo atë të Fierit. Ajo që vihet re në dosjen e SPAK është se prokurorët kanë gjetur shkelje skandaloze të ligjit nga ky komision, por nuk veprojnë.

Refuzimet e Ahmetajt për inceneratorin e Tiranës
Në paragrafin e tretë, SPAK sjell një kërkesë të hartuar nga Lefter Koka për Arben Ahmetajn për inceneratorin e Tiranës. Me pak fjalë, Koka kërkon nga Ahmetaj që të garantojë pagesën e 4 viteve të para për inceneratorin e Tiranës sepse bashkitë e qarkut të Tiranës nuk kanë mjaftueshëm para.

Por Ahmetaj e refuzon. Ai arsyeton se studimi i fizibilitetit është jopërfundimtar dhe i pashoqëruar me draft-kontratën për koncensionin. Sipas Ahmetajt, kërkesa nuk plotëson kushtin që paratë që kërkohen të jenë nën buxhetin e miratuar vjetor dhe nën tavanet e shpenzimeve për periudhën afatmesme.

Ky nuk është as rasti i parë, as i fundit që Ahmetaj refuzon të japë firmën për inceneratorin e Tiranës. Gjatë të gjithë procedurës ai ka disa kundërshtime me shkrim, të regjistruara në dosjen e SPAK. Por në të njëjtën dosje, prokurorët kanë konfirmuar se në anën tjetër vazhdonte komunikimi i Arben Ahmetajt me Klodian Zoton që hartonte shkresat në shërbim të Lefter Kokës dhe të tjerëve.

Skemat e Klodian Zotos, Rama firmosi bonusin për kompaninë që nuk ekziston

Paragrafi i katërt i dosjes përmban të gjithë procedurën që futi në paligjshmëri Këshillin e Ministrave në shërbim të kompanisë inekzistente të Klodian Zotos. Duke qenë se dokumentat që merrte në shqyrtim komisioni i konçensionit hartoheshin nga Klodian Zoto, këta nuk e vunë ujin në zjarr as për një verifikim minimal, siç ishte kujdesi për të kontrolluar në QKB nëse ekzistonte apo jo kompania që do të fitonte koncensionin.

Ndodhi që Komisioni për dhënien me konçension të inceneratorit miratoi studimin financiar dhe dhe propozoi dhënien e një bonusi prej 8 pikësh për kompaninë e Klodian Zotos, Integrated Energy B.V sh.p.k, kur kompania nuk ekzistonte ende.

Në emailin që i nis Klodian Zotos pasi komisioni ka diskutuar për planin e biznesit që ai kishte hartuar, punonjësja e Ministrisë së Mjedisit Alba Thoma i shkruan “Bravo” duke e uruar për suksesin. Aq i pëlqeu antarëve të komisionit puna e Klodian Zotos sa i kërkuan Lefter Kokës të niste procedurat për t’i dhënë kompanisë Integrated Energy B.V sh.p.k një bonus prej 8 pikësh.

I përfshirë nga ethet e miliona eurove që do të sillte inceneratori i Tiranës, Ministri i Mjedisit, Lefter Koka shpërndan menjeherë shkresën në ministritë e tjera për bonusin e kompanisë që nuk ekzistonte.

Në dosjen e SPAK shkruhet: Në këtë datë që është propozuar dhënia e bonusit, shoqërua Integrated Energy B.V sh.p.k nuk rezultonte e regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Ky është një nga momentet për të cilat, Ermonela Felaj që në atë kohë ishte Ministre për Shtetin sot thotë me krenari se ka firmosur kundër. Sepse Integrated Energy BV sh.p.k u themelua ne 30 gusht te vitit 2017. Plot 9 muaj pasi vendimit te qeverise qe i jepte asaj bonusin e pikeve.

“Fatkeqësisht, pavarësisht kërkimit disa herë, qoftë me emër kompanie, qoftë me emër aksioneri, nuk kemi mundur të gjejmë shoqërinë të regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit”, shkruajti Felaj në përgjigjen e saj për Lefter Kokën.

Nëse procedura do kthehej mbrapsht do të merrte shumë kohë. Felajt i kthyen një përgjigje sa për të larë gojën dhe ajo ia la për të firmosur drejtoreshës së saj të kabinetit, Rovena Vodës. Kjo më pas u promovua si zv.Ministre e Brendshme dhe përfundoi në burg për një çështje korrupsioni.

Procedurën nuk e ktheu mbrapsht as Këshilli i Ministrave. Edi Rama firmosi bonusin për Klodian Zoton, megjithëse kompania u regjistrua në QKB rreth 9 muaj më vonë.

Prokurorët e SPAK e kanë me Arben Ahmetajn. Ai kishte akoma më shumë vërejtje për ofertën, megjithatë lejoi dhënien e bonusit prej 8 pikësh nga qeveria. “Konstatohet se nuk ka penguar vijimin e mëtejshëm të procedurës, pasur parasysh faktin se shoqëria për të cilin kërkohej bonusi nuk ekzistonte sipas legjislacionit shqiptar” shkruhet në dosje.

Ahmetaj kërkoi firmën e Veliajt në inceneratorin e Tiranës
Paragrafi i pestë në kapitullin për inceneratorit të Tiranës në dosjen e Ahmetajt ndoshta sqaron se përse perceptohet në publik një përplasje mes Arben Ahmetajt dhe Erion Veliajt. Duket sikur me kundërshtimet e tij, Ahmetaj donte t’ia linte të gjithë faturën e kripur të inceneratorit Bashkisë së Tiranës. Dhe ashtu ndodhi.

Arsyet për të cilat Ahmetaj po e frenonte projektin ishin disa, por më kryesorja ishte një qartësim që kërkonte ai se shpenzimet do të përballoheshin nga bashkitë e qarkut të Tiranës dhe jo nga buxheti i qeverisë.

Kur Lefter Koka tentoi ta sqarojë me një email të datës 21 Shkurt 2017 se shoqëria që fitonte konçensionin do ta bënte “me fondet e veta një investim prej 120 milion euro” dhe se shpenzime të tjera do të përballoheshin nga Bashkia e Tiranës, atëherë Arben Ahmetaj i kërkon një pohim me shkrim direkt nga Erion Veliaj.

“Duke qenë se në studimin e fizibilitetit shpreheni se Qarku i Tiranës është financuesi dhe përfituesi kryesor i projektit, kërkojmë nga ana juaj marrjen e miratimit me shkrim nga ky qark” ishte zgjidhja që propozonte Ministri i Financave për kolegun e tij të Mjedisit.

Kjo kërkesë e detyroi Erjon Veliajn të firmosë një dokument që e bën kandidat për SPAK. Bëhet fjalë për dokumentin e marsit të vitit 2017 përmes të cilit ai e futi Bashkinë e Tiranës në një angazhim financiar me vlerë rreth 91 milion euro, pa pyetur më parë Këshillin Bashkiak.

Por për çdo qindarkë që lëviz nga buxheti i bashkisë, vendimi duhet marrë nga Këshilli Bashkiak, jo nga kryetari. Veliaj e mori miratimin e Këshillit Bashkiak në Shtator, por kontrata tashmë ishte nënshkruar në Gusht.

Kjo shkresë, të cilën Veliaj e ka nënshkruar nën trysninë direkte të Arben Ahmetajt ka qenë thembra e Akilit në të gjithë retorikën e Veliajt, pasi për këtë ai është sulmuar ashpër gjatë të gjithë kohës.

Një zbulim i SPAK mund të jenë disa emaile mes punonjëseve të Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Mjedisit pikërisht për këtë shkresë. Njëra thotë se e ka dërguar, tjetra thotë se mungon. Pas disa shkëmbimesh, dokumenti që përmban firmën e Veliajt dërgohet dorazi në Ministrinë e Financave.

Dokumenti me te cilin Veliaj futi Bashkine e Tiranes ne kontraten qe i kushton 91 milion euro
Dokumenti me te cilin Veliaj futi Bashkine e Tiranes ne kontraten qe i kushton 91 milion euro
Sapo Ahmetaj merr firmën e Veliajt ai e kalon konçensionin duke shkruar aty “pa koment”. Në dosjen e SPAK, prokurorët kanë shkruar se “personi nën hetim, Arben Ahmetaj nuk e pengon këtë procedurë pavarësisht problemeve që ajo paraqiste”.

Përmendja në dosje e Floran Pustinës
Paragrafi i 6 i dosjes së SPAK për Arben Ahmetajn nis me faktin se komisionit për dhënien e konçensionit nuk i ka mbetur shumë punë. I duhet të përmbushë vetëm disa hapa formalë, ndërkohë që Klodian Zoto vazhdon harton dokumentat për ministritë në prapaskenë.

Prokurorët e SPAK konfirmojnë edhe një herë se mes Arben Ahmetajt, Klodian Mërtirit dhe Klodian Zotos vazhdon një marrëdhënie e ngushtë.

Në një bisedë të përgjuar nga prokuroria e Elbasanit, Klodian Mërtiri dëgjohet të komunikojë me shoferin e Ahmetajt për t’i thënë se i është thyer telefoni. Në komunikim ai i referohet Ahmetajt si “fratelo”.

Tjetër moment interesant është dëshmia e një prej antareve të komisionit të konçensionit Sidita Kopliku (Temali). Në dosjen e SPAK nënvizohet se Sidita Kopliku (Temali) ka pasur presione nga titullarja e institucionit, Rovena Beqiraj që procedura koncensionare për Tiranën të finalizohej me sukses.

Ajo ka treguar dhe një rast tjetër, kur ka qenë pjesë e procedurës koncensionare në lidhje me Durrësin ku do të ndërtohej një landfill. Një këshilltar i ministrit e ka njoftuar që e kërkonte Ahmetaj në zyrë. Kopliku thotë se kur ka arritur në paradhomë, sekretarja i ka kërkuar të linte telefonin aty, dhe më pas është futur në zyrën ku ndodhej Ahmetaj, i shoqëruar nga këshilltari.

Kopliku ka deklaruar në Prokurorinë e Posaçme se Ahmetaj i ka kërkuar që, në lidhje me procedurën e Durrësit, Sidita ta vlerësonte me pozitivitet.

“Sidita këtë takim e ka vlerësuar si formë presioni pasi titullar të drejtëpërdrejtë ajo kishte kryetarin e Atrako-s. Pas kësaj situate, edhe në rastin e procedurës koncensionare të Tiranës, Sidita është ndjerë në presion për shkak të asaj që kishte ndodhur për Durrësin dhe pasur parasysh edhe nxitjen e kryetares Rovena Beqiraj që kjo procedurë koncensionare e Tiranës të realizohej me sukses”, thuhet në dosjen e SPAK.

Por një tjetër ndodhi që tërheq vëmëndjen në procedurat e inceneratorit të Tiranës është dalja në skenë e Floran Pustinës, një nga miqtë e Erjon Veliajt dhe zëvëndësit të tij në bashki, Arbian Maznikut. Pustina bëhet pjesë e skemës si përfaqësues i kompanisë ligjore Tashko-Pustina, por në dosjen e SPAK ka paqartësi për rolin e tij. Aty thuhet:

Më datë 21:09:2017, ora 09:28 i dërgon i ka shkruar adresës: floranpustina@tashkopustina.com: Klodi, Flonia Pls. check.

Më datë 21.09.2017 Klodian Zoto i përcjell email Alqi Bllakos me titull “Vendim i K.Bashkiak”. Bashkalidhur është vendimi i Këshillit Bashkiak Tiranë, me kryetar Aldrin Dalipi, draft me nr 8 datë 2017 ku parashtrohet se me propozimin e Ministrisë së Mjedisit, Këshilli Bashkiak Vendosi:

Të miratoje angazhimet e Bashkisë Tiranë konform Aneksit IX të kontratës së koncensionit se datës 31.08.2017 lidhur mes Ministrisë së Mjedisit dhe shoqërisë koncensionare Energy Integrated BV SPV sh.p.k. me objekt “Për ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitim i venddepozitimeve ekzistuese Tiranë dhe prodhimin e energjisë elektrike” dhe në tërësi të japë pëlqimin e Bashkisë Tiranë si një prej njësive vendore të Qarkut Tiranë, përfituese të projektit.
Të autorizojë kryetarin e bashkise të firmosë formën e angazhimit mbi angazhimet e njësive të qeverisjes vendore të qarkut Tirane, konform kontratës së koncensionit firmosur nga Ministri i Mjedisit.
Ngarkohet drejtoria e përgjithshme e për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi dhe angazhimeve të Bashkisë Tiranë.
Ky vendim hyn në fuqi sipas përcaktimeve të pikës të nenit të ligjit nr. 139/2015 për “Vetëqeverisjen vendore”.

Kjo është një shkresë draft.”

Qarkullimi i draftit bosh të Këshillit Bashkiak të Tiranës nga emaili i Klodian Zotos është një akt i rëndë, që e ul Bashkinë e Tiranës në të njëjtin nivel me Ministrinë e Mjedisit të drejtuar nga Lefter Koka. Por prokurorët e SPAK e kanë lënë me kaq. Të paktën në dosjen për Arben Ahmetajn ky implikim mbetet këtu.

Nuk sqarohet se si përfundoi draft-vendimi i Këshillit Bashkiak në laptopin e Klodian Zotos, i cili pati të njëjtin akses që i kishin garantuar në administratën e ministrive ku janë arrestuar dhjetëra nëpunës.

Përpjekja e Veliajt për t’i dredhuar pagesave që mori përsipër

Paragrafi i shtatë i dosjes ka të bëjë me një konflikt tjetër mes Arben Ahmetajt dhe Erion Veliajt. Sërish janë në mes pagesat për inceneratorin e Tiranës. Në një letër të dërguar Ahmetajt, ku shpjegon pagesat për inceneratorin e Tiranës, Veliaj tinëzisht ia faturon disa miliona euro buxhetit të Ministrisë së Mjedisit. Por pas ankesës së kësaj të fundit, Arben Ahmetajt i është dashur të ndërhyjë.

Dosja e SPAK zbardh komunikimin mes të dyve. Ahmetaj i kujtoi Veliajt kontratën e firmosur me Zoton dhe dokumentat që e shoqërojnë atë në të cilën Veliaj zotohet t’i përballojë kostot e inceneratorit nga buxheti i Bashkisë së Tiranës.

Ndërhyrja e Gjiknurit për pagesat e inceneratorit dhe komunikimi i drejtorit të bashkisë Taulant Tusha me Klodian Zoton
Paragrafi i nëntë i dosjes së SPAK për arrestimin e Arben Ahmetajt, prokurorët sjellin në vëmëndje se si dy ministrat Damian Gjiknuri dhe Arben Ahmetaj bëhen bashkë për t’u siguruar që pagesat për inceneratorët nuk do të mbeten pa u kryer dhe kjo ndodh me koordinimin e ministrisë së Gjiknurit me Bashkinë e Tiranës.

Por siç del nga dosja e SPAK, propozimi që Gjiknuri i bëri Ahmetajt kishte kaluar më parë nga laptopi i Klodian Zotos, nëpërmjet drejtoreshës së atëhershme të ministrisë së energjitikës Etleva Kondi.

SPAK ka zbuluar në dosje edhe komunikimet e Zotos me drejtorin e bashkisë Taulant Tusha. Sipas dosjes “Më datë 17:5:2018 në orën 16:30 shtetësja Jonida Halili i ka përcjellë email shtetasit Taulant Tusha me titull “landfill” dhe ky email i është përcjellë nga Taulant Tusha shtetasit Klodian Zoto më datë 21:05:2018 ora 10.12. Bashkalidhur është një dokument tabelor me emërtimin “Plani i financimit të landfillit të Sharrës”.

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave nga viti 2018 deri në qershor 2022 buxheti i shtetit ka bërë pagesa 4,9 miliardë lekë (40.7 mln euro) ndaj kompanisë Integrated Energy BV SPV të Klodian Zotos, që përfitoi përmes një skeme vjedhjeje kontratën për ndërtimin e inceneratorit te Tiranës.

Projekti i inceneratorit të Tiranës ka rezultuar që në fillim i papërballueshëm për buxhetin e shtetit, sipas një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit që SPAK e ka përfshirë në dosje. Që nga viti 2018, bashkisë Tiranë i janë dyfishuar kostot e pastrimit të qytetit, pikërisht për shkak të pagesave që duhet t’u bëjë inceneratorëve. Pagesat vazhdojnë ende sot./Lapsi.al

About Redaksia

Check Also

Hapi i parë i Berishës pas rikthimit të Trump në Shtëpinë e Bardhë me 20 janar

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot se cilat do të jenë hapat e …

Leave a Reply