Po sikur Kina dhe India të krijojnë një raport miqësor?

Liderët e Kinës pëlqejnë ta shikojnë me përbuzje Indinë. Ata e përbuzin politikën e saj të trazuar, infrastrukturën e saj të vjetër dhe varfërinë e saj. India e ka parë me një kombinim frike dhe zilie, duke shpresuar se do të trajtohet si e barabartë. Tani tektonika e marrëdhënies trans-Himalajase po zhvendoset. Gjakderdhja e fundit kufitare sugjeron se ka armiqësi në rritje. Por lidhjet e lulëzuara ekonomike tregojnë një histori tjetër që mund të shqetësojë Amerikën dhe aleatët e saj. Kur poeti më i nderuar i Indisë vizitoi Kinën në prill 1924, intelektualët kinezë nuk u impresionuan. Rabindranath Tagore ishte vlerësuar globalisht si laureati i parë jo-evropian i Çmimit Nobel për letërsi. Një kritik i ashpër i sundimit britanik në Indi, ai shpresonte të rindërtonte një lidhje të lashtë kulturore midis qytetërimeve më të vjetra të Azisë. Megjithatë, për mendimtarët kryesorë kinezë, thirrja e tij për një ringjallje të vlerave dhe spiritualitetit lindor ishte e zbrazët. Ata argumentonin se kinezët mund t’i rezistonin Perëndimit vetëm duke mësuar prej tij – dhe duke refuzuar kulturën e tyre tradicionale. Rinia e Kinës nuk duhet të “indianizohet”, shkroi Chen Duxiu, një bashkëthemelues i Partisë Komuniste Kineze. “Përveç nëse ata duan që arkivolet e tyre të shtrihen një ditë në një tokë nën thembrën e një fuqie koloniale”.

Pothuajse një shekull më vonë, një ndjenjë përbuzjeje ende ngjall perceptime për Indinë midis zyrtarëve dhe studiuesve kinezë. Thjesht shikoni të dhënat. Në pavarësinë e saj në 1947, PBB-ja për frymë e Indisë ishte më e lartë se ajo e Kinës (në bazë të fuqisë blerëse), por në fillim të viteve 1990, Kina kishte ecur përpara në këtë drejtim dhe shumë aspekte të tjera. Deri në vitin 2022 popullsia e tyre ishte afërsisht e barabartë, por ekonomia e Kinës ishte më e madhe për më shumë se tre herë. Gjeneralët e Kinës priren ta injorojnë Indinë. Fitorja dërrmuese e Kinës në një luftë kufitare në vitin 1962 kujtohet me krenari dhe ata krahasojnë arsenalin aktual të armëve moderne të Kinës të prodhuara në vend me mbështetjen e vazhdueshme të Indisë nga importet ruse. Koloneli i Akademisë së Shkencave Ushtarake të Kinës, Zhao Xiaozhuo deklaroi: “Në asnjë mënyrë India nuk mund ta arrijë Kinën në 20-30 vitet e ardhshme”.

Megjithatë, bazat e marrëdhënieve Kinë-Indi, ushtarake dhe ekonomike, po ndryshojnë tani në mënyrë që po e detyrojnë demokracinë më të madhe në botë dhe autokracinë e saj më të madhe të rimendojnë mënyrën se si ata sillen me njëri-tjetrin dhe me pjesën tjetër të botës. Zyrtarët amerikanë dhe aleatët shpresojnë se fërkimi i vazhdueshëm kufitar i Indisë me Kinën po e shtyn atë në mënyrë të pakthyeshme në një koalicion demokratik me qëllim për të kufizuar fuqinë kineze. Pyetja është: po sikur ata të gjejnë një mënyrë për t’iu dhënë fund mosmarrëveshjes kufitare?

Fillimisht merrni në konsideratë ekuacionin ushtarak. India i është afruar më shumë Amerikës që kur nënshkruan paktin e bashkëpunimit bërthamor civil në 2008, por bashkimi i tyre është përshpejtuar që nga një seri përplasjesh në kufirin indian me Kinën, duke përfshirë një përplasje në 2020 ku u vranë 20 trupa indianë dhe të paktën katër kinezë. Kjo qe përleshja më e përgjakshme atje që nga viti 1967 dhe i dha fund një periudhe tre dekadash stabiliteti relativ në kufi. Forcat e armatosura të Indisë që nga ajo kohë kanë pësuar një zhvendosje historike të fokusit larg Pakistanit. Ata kanë transferuar rreth 70000 trupa, si dhe avionë luftarakë dhe raketa të llojllojshme në kufirin me Kinën. Ata gjithashtu kanë shtuar stërvitjet e përbashkëta me Amerikën dhe aleatët e saj, sidomos me Australinë dhe Japoninë. Amerika ka ofruar disa pajisje dhe trajnime profesionale për forcat kufitare indiane. Lufta në Ukrainë ka dhënë një tjetër nxitje. Komandantët indianë shqetësohen rreth varësisë së tyre nga armët ruse. India dëshiron të blejë armatime të avancuara amerikane dhe të prodhojë më shumë armatime në Indi. Në Washington në qershor, kryeministri Narendra Modi bëri progres rreth marrëveshjeve për blerjen e dronëve ajror dhe gjithashtu edhe për prodhimin e përbashkët të motorëve të avionëve luftarakë në Indi.

Motivimet e sakta të Kinës në kufi janë të paqarta. Arsyeja mund të jetë ndërtimi i  rrugëve në Indi së fundmi, që mundësoi patrullimin më të gjerë, ose zhgënjimi për mungesën e përparimit në negociata për një zgjidhje. Ose Kina dëshiron të penalizojë Indinë për afrimin e saj të mëparshëm me Amerikën, për të ekspozuar dobësinë relative të forcave indiane dhe për të treguar se ato nuk mund të mbështeten në ndihmën amerikane. Deependra Singh Hooda, një ish-shef i Komandës Veriore të ushtrisë indiane, i cili mbikëqyr një pjesë të kufirit kinez tha se Kina e sheh veten si në një ligë tjetër nga India, duke konkurruar drejtpërdrejt me Amerikën. Mesazhi i Kinës duket të jetë: “Ju nuk jeni të barabartë me PLA (Ushtrinë Çlirimtare Popullore) … Ju jeni thjesht një shfaqje anësore.”

Një trekëndësh me dy anë

Sidoqoftë udhëheqësi i Kinës Xi Jinping duket se mendon se pasojat janë të menaxhueshme. Rivendosjet e Indisë nënkuptojnë se ajo mund të imponojë kosto më të mëdha për Kinën nëse provon një inkursion tjetër kufitar. Por Kina do të ketë për vite epërsi të mjaftueshme ushtarake për të penguar Indinë nga përpjekjet për të rikuperuar çdo humbje dhe anipse India mund të ndihmojë Amerikën në disa zona, veçanërisht në Oqeanin Indian, ajo kundërshton një aleancë formale dhe nuk ka gjasa të bashkohet në një konflikt mbi Tajvanin ose Detin e Kinës Jugore. Megjithatë Xi ka stimuj të fortë për ta stabilizuar kufirin, ndërsa Amerika përpiqet ta kufizojë fuqinë kineze. Po ashtu edhe zoti Modi. Ai duket i etur për ta minimizuar çështjen e kufirit, duke e ditur se ka pak opsione ushtarake. Ai është i kujdesshëm për të tërhequr vëmendjen e brendshme për çdo humbje të perceptuar të territorit dhe kompromisi duket i mundshëm. Pas 18 raunde bisedimesh midis komandantëve ushtarakë, trupat janë tërhequr nga pesë vende ku ka pasur konflikte, duke krijuar “zona tampon” ku asnjëra palë nuk patrullon. Dy vende tjera të rëndësishme ende kërkojnë zgjidhje. Kina po shtyn për një raund tjetër bisedimesh dhe i kërkon Indisë që të mos lejojë që çështja e kufirit të përcaktojë marrëdhëniet dypalëshe. Ministri i Jashtëm i Indisë Subrahmanyam Jaishankar u takua me homologun e tij kinez në Xhakartë më 14 korrik dhe diskutoi për kufirin. Javët e fundit ai ka theksuar se pa një kufi të qetë dhe të qëndrueshëm, lidhjet normale të biznesit nuk mund të rifillojnë.

Megjithatë një studim i Economic Landscape i vendos në perspektivë paralajmërimet e tilla indiane. Tregëtia midis Kinës dhe Indisë ishte e parëndësishme për pjesën më të madhe të historisë së tyre moderne, por deri në vitin 2020 tregëtia e mallrave ishte rritur në 88 miliardë dollarë, me Kinën që gëzonte një fitim prej 46 miliardë dollarësh dhe u rendit si partneri më i madh tregëtar i Indisë. Gjithashtu Kina ishte bërë një burim i madh investimesh, veçanërisht në teknologji, pronë dhe infrastrukturë. Markat kineze janë gjithashtu të njohura. Oppo dhe Xiaomi janë ndër smartfonët më të shitur. Përleshja kufitare në vitin 2020 rrezikoi gjithçka. India ndaloi rreth 320 aplikacione kineze, filloi bastisje tatimore ndaj disa kompanive kineze dhe futi rregulla të reja që kërkonin miratimin e qeverisë indiane për investimet kineze. Zyrtarët indianë thonë se qysh atëherë kanë refuzuar 157 aplikime përkatëse. Megjithatë tregëtia dypalëshe e mallrave u rrit për 43% në 2021 dhe për 8.6% vitin e kaluar. Investimet kineze po gjejnë mënyra të ndryshme, ndonjëherë përmes Singaporit. Shein, një kompani kineze e modës online, aplikacioni i së cilës ishte ndër ato të ndaluara nga India në vitin 2020, do të rihapet atje së shpejti në partneritet me Reliance Industries, kompaninë më të madhe private të Indisë.

Zyrtarët indianë duan të mbështeten më pak në importet kineze dhe të tërheqin më shumë investime nga vendet tjera, veçanërisht nga prodhuesit e mëdhenj shumëkombësh që kërkojnë një alternativë për Kinën. Në muajin maj, ministri i Jashtëm i Indisë deklaroi: “Ne duhet të ndalojmë së kërkuari ndihmën e Kinës, zhvillimi i Indisë nuk mund të ndërtohet mbi efikasitetin kinez.” Megjithatë, privatisht, shumë nga drejtuesit e biznesit në Indi parashikojnë se do të varet nga importet kineze gjatë viteve në vijim nëse qeveria indiane do të mund të arrijë qëllimet e saj për zhvillimin e infrastrukturës dhe prodhimit. Industria farmaceutike e Indisë, për shembull, mbështetet tek Kina për përafërsisht 70% të përbërësve të saj aktivë. Teorikisht kjo e bën Indinë të cënueshme nga lloji i shtrëngimit ekonomik që Kina u ka shkaktuar të tjerëve. Por fuqia e Kinës mund të jetë duke u dobësuar pasi ajo po përballet me një ngadalësim ekonomik, një popullsi në ulje dhe një Perëndim gjithnjë e më armiqësor. Kompanitë kineze tani vërejnë Indinë, popullsia e së cilës tejkaloi Kinën këtë vit, si një burim i rëndësishëm zhvillimi, dhe  Goldman Sachs  parashikon që PBB-ja indiane do të jetë e dyta pas Kinës deri në vitin 2075.

Ka sinergji ekonomike edhe në fusha të tjera. India është huamarrësi më i madh nga Banka Aziatike e Investimeve në Infrastrukturë me bazë në Pekin, të cilën Kina e krijoi në vitin 2016 si një alternativë ndaj institucioneve të huadhënies të udhëhequra nga Perëndimi. India është gjithashtu anëtare e Bankës së Re për Zhvillim me qendër në Shangai, formuar nga Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut në vitin 2015. Shkëmbimet ekonomike nuk janë garanci kundër gjakderdhjes së mëtejshme kufitare – apo edhe luftës. Të dy vendet udhëhiqen nga njerëz që ushqehen me nacionalizëm dhe ankesa historike. Tensionet e tjera përfshijnë ndikimin në rritje të Kinës mbi Azinë Jugore, bllokimin e saj në rrjedhën e sipërme të lumenjve jetikë për Indinë dhe shenjëtoren që India i ofron Dalai Lamës, udhëheqësit shpirtëror të Tibetit.

Megjithatë, lidhjet në rritje në biznes do të peshojnë gjithnjë e më shumë në vendimmarrjen e të dyja palëve. Dhe stabilizimi i çështjes së kufirit, siç u arrit për tre dekada pasi Rajiv Gandhi vizitoi Kinën si kryeministër indian në vitin 1988, do të linte hapësirë të mjaftueshme për bashkëpunim. Të dyja vendet duan një rol më të madh në qeverisjen globale, refuzojnë kritikat perëndimore mbi të drejtat e njeriut, mbi ndryshimet klimatike dhe poashtu ndajnë shqetësimet rreth ekstremizmit islamik. Të dy vendet gjithashtu refuzojnë të dënojnë pushtimin rus të Ukrainës. Vlen gjithashtu të përmendet se përpara shpërthimit të fundit në kufi, Modi dukej i vendosur për të ndërtuar një marrëdhënie të ngushtë me Xi, duke ndërmarrë një hap të pazakontë për ta pritur atë në shtetin e tij të lindjes, Gujarat në 2014. India dhe Kina ndanë aspirata, sfida dhe mundësi të ngjashme, tha Modi në Pekin vitin tjetër që pasoi. “Në pasiguritë globale të kohës sonë, ne mund të përforcojmë përparimin e njëri-tjetrit.” Një perspektivë e tillë nuk i kënaq amerikanët dhe të tjerët që e shohin Indinë si një kundrapeshë ndaj Kinës. Nuk është as ajo që Tagore kishte në mendje në vitin 1924, kur i kërkoi Kinës të refuzonte materializmin perëndimor dhe “të çlironte shpirtin njerëzor nga kështjella e makinerive”, por mund të jetë rruga më realiste drejt një marrëdhënieje të qëndrueshme dhe reciprokisht të dobishme midis dy titanëve të Azisë.

(nga The Economist)

Përgatiti

ARMIN TIRANA

About Redaksia

Check Also

8 vite nga shenjtërimi i Nënë Terezës

Si sot 8 vjet më parë, më 5 shtator 2016, Nënë Tereza,  fituese e çmimit …

Leave a Reply