Ik Lulzim në pensionin tënd të praruar politik!

Nga Ndriçim KULLA

Një kongres partie, që do të zgjedhë një kryetar në mes të zhegut më të tmerrshëm të vapës së korrikut, po na afron. Një skenar i tillë urgjence i llojit apokaliptik na shtyn të pyesim: çfarë vallë ka ndodhur kaq e tmerrshme për të organizuar një gjë të tillë?!

Mos vallë Lulzim Basha, që kandidon, kërkon të japë një shenjë epoke ndryshuese për opozitën dhe fatet e vendit, ndaj është kaq i ethshëm ta kryejë këtë proces?!

Mos vallë ka zbuluar shkelje pafund në zgjedhje, dhe meqenëse nuk ka thënë qoftë edhe një fjalë për farsën, do t’i denoncojë një nga një të gjitha?!

Mos kushedi, Yuri Kim, ish-ambasadorja e shenjtë amerikane i ka lënë mesazhe të mbyllura në zarf që duhet të bëjë patjetër koalicion qeverisës me Ramën dhe ai do ta hapë zarfin si surprizë pikërisht atë ditë?!

Mos do të shpallë një platformë të padëgjuar ndonjëherë që shpejton në pisk të vapës?!

Pyes e pyes veten të gjej një pretekst, të shpik një arsye të këtij kongresi, mundohem t’i jap ujë e ta freskoj nga zhuritja gjuhën e urrejtjes dhe poshtërimit, që aq shumë demokratë të thjeshtë kanë ndaj tij, po përsëri arsyet s’i gjej në logjikë.

Atëherë, për kë po e kërkon Basha, lidershipin e PD-së, kur duket që ai ka ngelur ku është katandisur rrethi i njerëzve të tij në PD?!

Një skenar të tillë degradimi e reduktimi e kemi parë të vërtetohet që një vit e ca më parë, në garën e 6 bashkive e pastaj hapur dhe qartë në zgjedhjet lokale. Atëherë, për ç’anëtarë të PD-së e kërkon Basha kryesinë, çfarë ndryshimi përflet si gjinkallë në këtë vapë dhe nuk rri në cepin e strukur ku e kanë lënë paaftësia dhe zullumet e tij ndaj demokratëve?

A nuk e pamë që kjo pseudo-PD nuk arriti të mblidhte dot përfaqësues të administratës zgjedhore opozitare as në gjysmën e qendrave  në mbarë vendin?!

Ja përse i duhet partia, Bashës: Të mbajë peng dhe të dëmtojë demokratët në zgjedhje.

Miqtë e tij politikanë e deputetë, që e besuan në fillim kauzën e një partie kundër non-gratës Berisha, filluan të firojnë një nga një, ca në heshtje për dinjitet, ca u larguan përfundimisht e shumë të tjerë i dolën kundër.

Tani që non-grata angleze doli një farsë, një flluskë sapuni si ajo e Blinkenit, tani që dhe bashkëpunëtorët më të ngushtë janë në anën e demokrateve dhe bashkimit, kongresi i pakuptimtë i 29 korrikut ka vetëm një emër: shërbimi i fundit ndaj padronit, “kënga e fundit e mjellmës” së përçarjes dhe e së ardhmes së një opozite të fortë.

Nuk mund ta lejojmë më këtë tallje; është sarkazëm e hidhur ndaj interesave të popullit demokrat. Ai nuk do më të përfaqësohet nga kallamishtet fluturake pa rrënjë e tokë ku të rriten, as nga njerëz të lidhur me prangat e interesit vetjak dhe ato të regjimit.

Ne duam njerëz të lirë për të na udhëhequr, me të mirat dhe të këqijat e tyre, por ama të lirë, sepse vetëm kështu mund të fitohet.

Nuk mund të fitohet me kuaj gërdallë e të lodhur që elektorati opozitar i ka regjur sa nuk mbajnë dot veten në këmbë politikisht dhe moralisht si zoti Basha!

Me “optimistin bashjan” të partisë së tipit holandez që ai u përpoq të krijonte pas themelimit të lëvizjes berishjane, tanimë e di se as edhe kjo nuk është më e mundur.

As partia e dy – tre mandateve të florinjta në zgjedhjet e ardhshme nuk qëndron si opsion i vlershëm, pasi në luftën me këtë regjim ato nuk i duhen askujt nga opozita.

Po për ç’dreq arsye të dobishme për ata demokratë të thjeshtë që ende besojnë në përrallën e tij të rimëkëmbjes, duhet mbajtur ky kongres?

A duan të humbasin përsëri, kur e kuptuan shumë mirë se ajo vulë-siglë e një partie inekzistente që Basha mbajti e përdori në zgjedhje, ka humbur 10-15 % votues?

Duhet të ikë me të mirë në pensionin e tij të praruar politik, se ka dhe pension moral, publik e qytetar dhe shumë më keq, për të.

About Redaksia

Check Also

Pse e vërteta e asaj që kërkon opozita me protesta po e tmerron regjimin

Nga Ndriçim KULLA Pardje narkodiktatura u duk qartësisht  shumë më e alarmuar në  represionin e saj  …

Leave a Reply