Media dhe politika në shërbim të krimit

Nga Redin HAFIZI

Nga Shqipëria shpesh më vijnë mesazhe me pamje të hoteleve në Shqipëri. Shpesh miq të mij që punojnë në zyrat e shtetit m’i dërgojnë duke treguar se sa e bukur është bërë Shqipëria. Unë do të preferoja më pak të bukur dhe më shumë të jetueshme për njerëzit e ndershëm që duan të jetojnë të lirë. Ndërkohë kur arsyetoj në këtë mënyrë më vjen pyetja: “Ku e ke lexuar këtë?”. Pra këta individë janë pjesë e propagandës që bën pushteti dhe në këtë mision mbështetet nga media dhe krimi.

Pushtetet kanë tendencën të manipulojnë apo të heshtin zërin e qytetarëve. Në Shqipëri kjo është shumë e thjeshtë kur punëdhënësi më i madh është shteti dhe njerëzit nuk mund të luajnë me bukën e gojës. Pra diku me hir e diku me pahir qeverria ka bartësit e opinionit pozitiv të cilët shpesh detyrohen ta shpërndajnë me të tjerë. Megjithatë kaq nuk mjafton, pasi lajmet për të bërë lavazhin e trurit duhet të dalin nga media dhe mundësisht ato më të mëdhatë. Këtu pushteti përdor paratë e krimit në shumicën e rasteve për të mbështetur mediat që janë të gatëshme të mbushin opinionin me lajme që kërkojnë mbështetësit e pushtetit. Shpesh këto media japin të vërteta të pjesëshme për qëllim reklamash si në rastin e turizmit, apo edhe për të luftuar kundërshtarë politikë të një familje konkurrente mafioze. Ndërkohë që çdo media që tenton të japë të vërtetën e plotë denigrohet deri në izolim me direktivë nga pushteti apo përmes kërcënimeve të krimit. Në këtë rrugë çdo media është e destinuar të mbetet periferike apo të mbyllet.

Raste të të vërtetave të pjesëshme kemi shpesh në reklamat për hotele të ndryshme turistike që dallohen për çmime të larta. Një sistem konkurrues tregu duhet të sjellë uljen e çmimeve pasi vetëm kështu biznesi ecën. Ndërkohë shumë hotele janë ndërtuar për pastrim parash të organizatave të ndryshme kriminale dhe në këtë rast biznesi nuk ka shumë rëndësi, por vetëm dukja. Kjo është edhe arsyeja se përse mediat shpesh nyjerrin kartolinën dhe jo mënyrën se si erdhëm tek kartolina. Arrestimi për bashkëpunim në grupe kriminale i një prej biznesmenëve në fushën e turizmit është dëshmi e fortë.

Një tjetër rast i të vërtetave të pjesëshme është edhe suksesi i Zamir Manes që në një emision ka deklaruar se ka transportuar paratë greke me kuti bananesh kur u nis për Austri. A ka pyetur njeri se të kujt ishin ato para? Sa ishte shuma? Çfarë bëri Zamiri në Austri me kutitë e bananeve që më pas na erdhi si njeriu më i pasur i vendit? A ka ndonjë media që të mendojë se çdo gjë ka arritur Zamir Mane ka nisur me një akt të jashtëligjshëm që të çon në pastrimin e parave dhe që është krim? Në këtë mënyrë njeriu i ndershëm që kërkon të punojë me bankë e sheh veten të pafuqishëm përballë miliarderëve që përdorin kuti bananesh. Për median ky është zhvillimi dhe suksesi i qeverrisë, ndërkohë që nëse del ndonjë zë dhe bën pyetjet e mësipërme për ta plotësuar të vërtetën, mbështetësit e pushtetit hidhen në fyt duke deklaruar se zërave të tillë u ka ngelur ora në 1990, atëherë kur kërkonim drejtësi.

Ndërko më aktuale si gjysëm e vërtetë është paraqitja në media e thirrjes së Bashës për vettingun e politikanëve. Ky mendon se pasi ka fituar gjyqin në Strasbourg për pallatin e shkatërruar nga shteti, paratë e tij janë të ligjshme. Ndërkohë ai nuk sqaron se për të nisur punimet në momentin e parë ai dhe vjehërri i tij ka thyer ligjin dhe gjithçka tjetër ka lindur nga një veprim i jashtëligjshëm. Ndërkohë Basha ka edhe një tjetër pikë të errët e të pasqaruar dhe media kurrë nuk e ka përmendur, por që rastësisht u përmend në shkrimin për Tom Doshin në mediat Australiane.

Në këtë shkrim citohet raportimi i një diplomati Amerikan që deklaron se Tom Doshi është një deputet me lidhje të forta me krimin. Ky është raportimi që Ambasadori Ëithers ka bërë për DASH me titull: “Kriminelët bëjnë ligjet në parlament”. Ky dokument mban datën 13 Gusht 2009 dhe në të janë edhe emrat e Lefter Kokës, Paulin Sterkajt, të ndjerit Sokol Olldashi, Lulzim Bashës dhe Gramoz Ruçit. Megjithatë pas këtij raporti Lefter Koka u bë ministër, Lulzim Basha kryetar i PD dhe Gramoz Ruçi u bë kryetar parlamenti dhe “de facto” sot është njeriu që mban balancën në grupet kriminale që ndikojnë sektorët e ndryshëm të pushtetit. Vetë aktualiteti ku mbledhja e qeverrisë zhvillohet në Tepelenë është dëshmi e gjallë.

Nëse Tom Doshi ka arritur marrëveshjen me pushtetin për të drejtuar në hije dhe Lefter Kokës në fund i erdhi koha të shkojë atje ku e ka vendin dhe i ndjeri Olldashi ka bërë gjyqin e vërtetë përballë Zotit, nuk kuptohet pse u mbajt e fshehtë “non grata” për Gramoz Ruçin dhe përse media nuk e përmend këtë rast tani që Basha po del si një ndër pro Amerikanët më të mëdhenj.

LULZIM BASHA: “Sipas një burimi në PS, ministri i jashtëm Basha, që përfaqëson elektoratin në Elbasan, është përfshirë në lehtësimin e proçedurës së lirimit për një kriminel me zë në zonën e Elbasanit dhe në këmbim Baaha do të merrte mbështetje në zgjedhjet e përgjithshme nga familja e kriminelit. Familjarë të kriminelit premtuan se do të organizojnë qytetarë të Elbasanit për të mvështetur Bashën. Krimineli u lirua në 29 Qershor, një ditë pas zgjedhjeve”. Ky është informacioni për Lulzim Bashën, i njëjti informacion ku plrmendej edhe Tom Doshi. Në një histori të tillë nuk ka shembull më të saktë të lidhjeve të politikës me krimin që fshihet në mënyrë perfekte nga media.

GRAMOZ RUÇI: “Deputeti i PS dhe sekretari i përgjithshëm, Ruçi ka lidhje për kohë të gjatë me trafikantë narkotikësh dhe krimin e organizuar. Ruçit gjithashtu i është ndaluar hyrja në SHBA që në vitin 2005 për shkak të një problemi ligjor me një vizë permanente”. Pra të ndalohet hyrja në SHBA është koncepti teknik i atij proçesi që pas 2017 u shndërrua më shumë politik. Megjithatë kjo nuk e pengoi Ruçin të zgjidhet kryetar parlamenti, pasi është ai që kontrollon grupet kriminale. Kjo ka qenë arsyeja se përse kurrë media nuk e ka përmendur një fakt të tillë.

Media në Shqipëri nuk është e ndarë mes pozitës dhe opozitës në mbështetje, por ndahen shpesh në mbështetës së grupit më të fortë dhe më të dobët në politikë por patjetër me mbështetje të krimit të organizuar. Duket që edhe Amerikanët nuk besojnë më në premtimet se lëvizjet e drejta politike do të sjellin edhe ndihmën ndaj drejtësisë në luftë kundër krimit dhe korrupsionit. Në këtë linjë ishte edhe raporti më i fundit i DASH ku për herë të parë fajësohet edhe media si pjesë e makinerisë së madhe që krimi i organizuar përdor për të kthyer Shqipërinë në një vend të papërshtatshëm për biznes apo konkurrencë të lirë. Një fushë e fuqishme e biznesit është edhe turizmi ku politika, krimi dhe media bëhen bashkë me kartolina.

Për këtë arsye DASH shkon edhe më tej duke këshilluar qytetarët Amerikanë që të bëjnë kujdes në Shqipëri për shkak të rritjes së kriminalitetit dhe pafuqishmërisë së policisë për të mbrojtur. Vetëm në këto dy deklarata nuk ka rënë vetëm shteti juridik, por ka marrë fund edhe morali i shoqërisë dhe këtu media luan një rol kryesor. Vetëm një shoqëri pa moral mund të mbështesë krimin në politikë, mund të mbështesë një strukturë qeverrisëse në formën e strukturës kontrolluese të PS që falë shefit të fundit të sigurimit të shtetit, Gramoz Ruçi, ngjason me një strukturë të “Cosa Nostra”. Një teserë partie është fletë pune në Shqipëri dhe për sa kohë që kjo teserë të jetë më e rëndësishme se shteti atëherë lufta kundër krimit të organizuar do të jetë e pamundur. Për këtë arsye Shqiptarët e ndershëm po ikin nga sytë këmbët dhe DASH kërkon që qytetarët Amerikanë të kenë kujdes në Shqipëri.

About Redaksia

Check Also

Patriot shqiptar?!

Nga Redin HAFIZI Në Shqipëri edhe patriotizmi ka ndryshuar thelbin dhe është kthyer nga ndjenjë …

Leave a Reply