DEKLARATË PËR MEDIA E KRYETARIT TË FRPD, BESART XHAFERRI
Një ditë pasi raporti i DASH skanoi kriminalizimin e ekonomisë, duke theksuar se Shqipëria nuk është një vend miqësor për investime të huaja, për shkak të korrupsionit qeveritar dhe krimit të organizuar, kupola e Autoritetit Portual Durrës së bashku me Policinë e Shtetit nisi mësymjen ndaj kompanisë gjermane EMS, që operon në Portin e Durrësit. Kompania gjermane EMS ka fituar për 35 vjet koncensionin për menaxhimin e kalatës lindore të Portit të Durrësit, por qeveria shqiptare kërkon të zhbëjë në mënyrë të njëanshme këtë koncension, për llogari të projektit të Alabbar, duke rrezikuar një tjetër faturë miliona euroshe në arbitrazh, që do paguhet nga taksat e qytetarëve më të varfër të Evropës.
Në kuadër të këtij skenari Portin e Durrësit një ditë para mësymjes ndaj EMS e vizitoi edhe Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili dha direktivat e fundit, kuptohet jo për sasitë e kokainës që kalojnë transit, sipas DASH, në këtë port, por për metodat se si duhet të ushtrohet shantazh ndaj kompanisë gjermane EMS, e çertifikuar ndërkombtarisht në fushën që ushtron aktivitetin.
Porti i Durrësit prej një dekade është kthyer në çerdhe korrupsioni dhe sipas raportit të fundit të OKB për drogërat, ky port është ndër pikat e tranzitit për sasitë e kokainës që vijnë nga Amerika Latine në Evropë dhe për sasitë e heroinës që vijnë nga Turqia me objektiv final tregun evropian. Qeveria Rama prej një dekade Drejtorin e Autoritetit Portual në Durrës, nuk e emëron pa marrë bekimin e bandave, e përballë kësaj panorame, sulmi ndaj një kompanie ndërkombëtare si EMS është një standard i zi i vendosur nga kjo qeveri.
Ky agresion i hapur ndaj kompanisë EMS dhe sipërmarrjes së huaj janë një këmbanë alarmi dhe për procecin e integrimit, e këtë e konfirmoi, qartë dhe pa nota diplomacie, zv/Ambasadori gjerman në Shqipëri, Thilo Schroeter, njëkohësisht dhe Referent i Ekonomisë në këtë ambasadë.
Schroeter i bëri me dije Tiranës zyrtare se kushtet e drejta dhe ligjore për investitorët e huaj janë thelbësore për perspektivën e Shqipërisë si vend për të bërë biznes dhe të ardhmen e saj si pjesë e tregut të brendshëm europian.
Ky paralajmërim i bën të qartë Edi Ramës, se Bashkimi Evropian nuk funksionon si nismat e autokratëve ballkanikë të modelit “Ballkan i Hapur’, ku sipërmarrja është në mëshirë të korrupsionit të qeverisë dhe krimit të organizuar.
SPAK duhet të nisë një hetim për këtë rast, pasi kupola e kompanisë gjermane EMS po përballet me agresionin e krimit të organizuar, dhe në kuadër të këtij hetimi duhet kërkuar ndihmë edhe nga autoritetet ligjzbatuese në Gjermani.
E inkurajojmë SPAK që të hapë dosjet e Portit të Durrësit dhe, me siguri, do të ketë edhe ndihmën e pakursyer të agjencive lizgjbatuese gjermane e të tjera.