Një shpërthim me lëndë plasëse ka ndodhur mesnatën e së mërkurës në Krujë. Sipas informacioneve, mësohet se objektiv i këtij sulmi ka qenë dyqani me materiale ndërtimi në pronësi të shtetasit Ilir Suta.
Mësohet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:00 të mëngjesit të sotëm, në afërsi te lagjes Zim Zenel të këtij qyteti. Shpërthimi ka ndodhur në aksin Fushë Krujë- Krujë.
Fatmirësisht nuk ka të lënduar, vetëm dëme materiale. Raportohet se si pasojë e shpërthimit janë thyer xhamat e vitrinat e disa banesave e bizneseve aty pranë. Ende nuk dihet se cili ka qenë objektiv i sulmit pasi sasia e lëndës plasëse ka shpërthyer në mes të rrugës.
Pronari i dyqanit është shprehur se, nuk ka pasur konflikte me askënd ndaj nuk ka asnjë emër të dyshuar.
Ndërkohë nga shpërthimi janë dëmtuar edhe disa njësi të tjera tregtare, me thyerje xhamash. Pritet që të merren në pyetje edhe pronarët e lokaleve aty pranë.
Njoftimi i policisë
Krujë/ Informacion paraprak
Më datë 03.08.2023, rreth orës 02:25, në rrugën “Zim Zeneli” (në asfalt) dyshohet se ka shpërthyer një sasi lënde plasëse dhe si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar xhamat e katër bizneseve përreth. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.