Shtatori si muaj beteje për drejtësi nga opozita në këshillat bashkiakë

Nga Genc POLLO

1-Parlamentarizëm për të qarë e për të qeshur

Në 20 qershor u mblodh për herë të parë Këshilli Bashkiak Tiranë i porsazgjedhur për të miratuar një akt rutinë për ndihmën sociale. Këshilltarët e opozitës kërkuan të merrnin fjalën për pyetje e diskutime brenda rendit të ditës. Apo mbase edhe jashtë tij. Kryetari i këshillit, znj. R. K. nuk e pa të nevojshme: “Nuk ju jap fjalën se populli nuk ju dha votën!”.

Kryetari i Këshillit Bashkiak Tiranë nuk ishte shumë origjinal. Edhe një kryetar komisioni në Kuvendin e Republikës e kishte penguar një deputet opozitar të merrte përgjigje nga një zyrtar i qeverisë duke i kujtuar ndër të tjera edhe vitet e gjata jashtë pushtetit.

Sa më lart janë shembuj anekdotike për të qarë e për të qeshur. Për të kuptuar se si mazhoranca po redukton vazhdimisht hapësirën politike të opozitës institucionale (edhe Parlamenti Europian e theksonte këtë shqetësim në rezolutën për Shqipërinë të 11 korrikut). Por edhe për të qenë të ndërgjegjshëm se mbas aventurës lulzimbashiane të djegies se mandateve në qendër e në bazë, kemi prani opozitare edhe në këshillat bashkiakë. Nuk mund të themi se kemi normalitet demokratik por të paktën nuk mungon premisa bazë për ta arritur atë.

2-Problemi u mundësua në këshillin bashkiak monist

Veliaj e falsifikoi vullnetin e Këshillit të Qarkut Tiranë dhe të këshillave bashkiake përbërëse të tij kur konfirmoi në emër të tyre se do e paguante inceneratorin sado që të kushtonte. Vetëm mbas shtatë muajsh, kur mbas bojkotit këshilli u bë monopartiak, mori një vendim post-factum në Këshillin Bashkiak Tiranë. Histori të ngjashme ka edhe në bashki të tjera. Por edhe në këshillat bashkiakë ku vendimmarrja për inceneratorët formalisht mund të ketë qenë në rregull, përsëri kemi të bëjmë me një akt korruptiv në shërbim të një megaprojekti kriminal.

Edhe sot, pasi SPAK e Gjykata e vunë kompaninë e inceneratorit Tiranë nën sekuestro preventive, taksapaguesi përsëri do të derdhë çdo muaj afro një milion euro. 58% e kësaj shume është mbi koston reale të depozitimit të mbetjeve në landfill. Ndryshimi është se këto taksaparà nuk do të menaxhohen nga klodët e qeverisë, por nga administratorët e emëruar po nga kjo qeveri. Po kështu është gjendja edhe në Elbasan e Fier. Baza e këtyre pagesave janë vendimet e këshillave bashkiakë monistë të votuara nga këshilltarë socialistë; ata ishin ose injorantë ose pa ndërgjegje publike. Sot këta këshilltarë nuk mund të pretendojnë se janë injorantë por kanë shans të provojnë se janë persona me ndërgjegje publike. Por këtë shans lipset t’u a japin kolegët opozitarë.

3-Zgjidhja mund të vijë nga këshilli bashkiak pluralist

Këshilltarë opozitarë në qarkun e Tiranës, por edhe në atë të Durrësit, Elbasanit e Fierit kanë një përgjegjësi madhore të veçantë krahas detyrave bashkiake rutinë. Opozita e ka denoncuar që herët skandalin e inceneratorëve dhe e bëri ketë efektivisht sidomos me komisionin hetimor parlamentar (përmes opinionit të pakicës). Tashti është momenti përsëri për aksion institucional. Këshilltarët bashkiakë opozitarë lipset të iniciojnë mocione për anulimin e çdo vendimi të mëparshëm në favor të inceneratorëve. Këto mocione duhet të shoqërohen me debate në sallën e këshillit por edhe me tubime e fjalime jashtë saj. Edhe në rastin më të keq kur këshilltarët socialistë në mazhorancë do të bllokojnë nismën duke u dëshmuar qenie asociale beteja në vetvete ia vlen më shumë se çdo tjetër.

Shtator të mbarë!

About Redaksia

Check Also

Kriza e progresizmit

Ajo që po shohim është rezultati i përplasjes mes dy formave të brendshme të teknokapitalizmit. …

Leave a Reply