Përgjimet e vrasjeve/ Behar Bajri – Pëllumb Gjokës: U kry, tani presim atë tëndin…

Dosja e “Metamorfozës” ku përfshihen drejtues policie, prokurorw e biznesmenw, tregon se si një pjesë e mirë e komisariatit të Shkodrës me shefa e drejtues ishte vënë në funksion të krimit të organizuar. Madje segmente të caktuara të saj ishin ndarë sa me njërin grup me tjetrin. Një nga komunikimet e Behar Bajrit me biznesmenin Pëllumb Gjoka tregon se një i burgosur me emrin “Luli” i sapodalë nga burgu, i kishte thënë se, nëndrejtorin dhe shefin e komisariatit të Shkodrës i kishte të vetët, ndërsa Pëllumbi i thotë Beharit se edhe ata kishin të vetët.

Pëllumb Gjoka: “Ato kanë nëndrejtorin dhe shefin e Komisariatit, ndërsa ne kemi shefin e Krimit të Organizuar dhe e kemi informacionin 10, që ata nuk e dinë, dhe ti mos i thuaj”.

Deklarimi sipas SPAK provohet me episodin e radhës të zbardhur nga transkriptimet mes Bajrit dhe Gjokës, dhe që flitet për shefin e krimeve Ardit Hasanbegajn.

Behar Bajri: “Ma pyet atë shokun (Ardit Hasanbegajn) për “Braçen” (Ibrahim Licin) nëse është në kërkim, sepse më tha dikush që është në kërkim. E kam të ndame dhe se du me e “hek”, por kam qef ta heq jashtë Shkodre”.

Biseda mes Bajrit e Gjokës vijon me tej për plane të tjera e emra të tjerë, si një shtetas që e përmendin me emrin Bardhok, për të cilin mendohet të jetë Bardhok Pllanaj, dikë tjetër si Blerti, si dhe për Ibrahim Licin, për të cilin Bajri i tregon biznesmenit se qenka në kërkim. Lidhur me këtë të fundit, imlpikohen në biseda sërish drejtues policie.

Pëllumb Gjoka: “Sot do të takoj këtë shokun e policisë në Shkodër dhe t’i them për ndonjë info për “Brahimin”.

Behar Bajri: “Nëse e merr vesh, premtoi sa lekë të dojë veç të thotë shtëpinë edhe sa lekë don hap gojën kudo që të jetë hyj dhe e vras. Marr njerëz boll dhe i organizoj, vetëm tek shtëpia e vet mos të jetë. Ke besim tek ky polici?”

Pëllumb Gjoka: “Po, kam besim do të flas me të dhe do të të them”.

Në një tjetër komunikim, Behar Bajri e pyet Pëllumb Gjokën sërish për takimin e planifikuar me shefin e krimit të organizuar.

Behar Bajri: “Në çfarë ore e ke lënë me taku nëndrejtorin?”

Pëllumb Gjoka: “Më vonë, ku***. Thuaj pse keni nis shkresë me ardhë grupet e vëzhgimit me kap me blind dhe me armë djalin e axhës, mbasi ka dalë një ditë me ba xhiro. Pyete për llogari të kujt e ke bërë”

Behar Bajri: “Nuk dua ta bëj shok, do ta pyes, do ta rëndoj dhe ta fus në borxh me ku**** Do ja shaj dhe ato ku****”

Pëllumb Gjoka: “Shaja fort sepse ai i din për të fortë ato. Ai duhet me ik nga Shkodra sepse është futur thellë me Bardhokun. Pyete se kush të ka thënë me i lënë furgonat në krye të rrugës së Licve?”

Behar Bajri: “Po vëlla”.

Pëllumb Gjoka: “Edhe diçka tjetër, thuaj kushdo që të jetë përzi me më fut në burg dhe me ndihmu kundërshtarët është hasmi im. Sepse kanë dashtë me më gropos në të gjitha krahët. Nuk ka dyshim një gjujts me lekë me një që të çon letrat me më fut në burg”.

Behar Bajri: “Po vëlla do ia them të gjitha”.

Pra në bisedën e mësipërme, ndodh e kundërta, pjesëtarë të grupeve kriminale i kërkojnë informacion nëndrejtorit të Policisë së Shkodrës, madje i çojnë paralajmërimin, se letrat në dëm të tyre të autoritetit shtetëror janë njësoj me dikë që iu drejton armën për t’i vrarë. Emri i ish-shefit të krimeve Ardit Hasanbegaj del kudo. Më 27 korrik të vitit 2020, Pëllumb Gjoka komunikon me shoferin e tij Edmond Prekën ku mesazhi i këtij të fundit dëshmon se drejtuesi i policisë ishte ushtar besnik i tyre:

Edmond Preka: “Takova Arditin (Ardit Hasanbegajn) më tha me ithënë “Beharit” që mos dil me blind se kanë ardhur dy grupe RENEA dhe Operacionale”.

4 ditë më vonë, Behar Bajri i shkruan Pëllumb Gjokës pasi dyshon se 3 të rinjë të dyshimtë kanë hyrë në zonë të ndaluar, e nëse nuk janë policë, duhen hequr prej aty:

Behar Bajri: “A po e pyet atë shokun tënd (Ardit Hasanbegaj), se kam informacion për nja 3 veta që kanë marrë një hyrje tek pallati i Senadit në katin e 5. Por kam frikë me ju hy se mos dalin që janë policë, sepse nëse nuk janë shtet, do t’ju plasem brenda në shtëpi”.

Pëllumb Gjoka komunikon me shoferin e tij dhe i kërkon t’i çojë telefonin “Zeqos” që rezulton të jetë drejtues në komisariatin e Shkodrës. Pas disa minutash, në telefonin e Ndrekës i del personi me emrin “Zeqo”, dhe biseda mes tyre ka të bëjë me shqetësimin e Behar Bajrit.

Pëllumb Gjoka: “O vlla a keni ndonjë grup vëzhgimi në Dobraç, nja 3 çuna rreth të 30-tave?

“Zeqo”: “Vëlla, në dijeni time jo, vetëm nëse i kanë lënë pa më thënë mua”.

Pëllumb Gjoka: “A ke mundësi me pyet?”

“Zeqo”: “Po, kam pyet vëlla dhe më kanë thënë kemi ik. 99% nuk janë tanët, se kanë ik pardje. RENEA ka ikur sot”.

Pëllumb Gjoka: “I bie të jenë gjujtësa”.

“Zeqo”: “Pastaj këta tanët vetëm në kushte të jashtëzakonshme veprojnë natën. Në vazhdimësi ju shkruan, o vëlla, bjeru, se i kontrolloj unë nesër nëse kanë dokumenta me vete. Mund të jenë edhe për hesap të vet, por nuk besoj të vijnë pa më thënë mua”.

Në kuadër të dosjes “Metamorfoza janë lëshuar 15 urdhëra arresti, ndërsa janë arrestuar vetëm 6 persona, nga të cilët, drejtuesi i Prokurorisë së Kukësit, Xhevahir Lita, drejtori i Forcës Operacionale Oltion Bistri, ish-shefi i krimeve Ardit Hasanbegaj, biznesmeni Pëllumb Gjoka, truproja i tij Edmond Kodra dhe Astmer Bilali.

About Redaksia

Check Also

Si deputetët e “Vetëvendosjes” injoruan fjalimin e Ramës në Parlamentin e Kosovës

Kryeministri Edi Rama shfrytëzoi fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës ku po mbahet një …

Leave a Reply