Rikthehet koncesioni 256 milionë euro për 17 km rrugë

Qeveria do të rihapë brenda vjeshtës së këtij viti tenderin për dhënien me koncesion për ndërtimin e rrugës Milot-Balldren. Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, përmes një postimi në profilin e saj në facebook.

Segmenti Milot-Balldren është pjesë e autostradës e Korridorit Blu. Qeveria ka dhënë ndërkohë me koncesion disa segmente të këtij koncesioni, ku më i avancuari është segmenti Thumanë-Kashar, që po ndërtohet nga kompania Gener 2.

Sipas Ballukut, në këtë segment është duke u punuar me ritme të shpejta dhe deri tani është kryer 40 për qind e volumit të punimeve. Ndërkohë, janë tenderuar gjithashtu dhe tre segmentet e tjera, Milot-Thumanë, Kashar-Lekaj dhe Lekaj Fier, për të cilat Balluku njoftoi se po lidhen kontratat për të nisur menjëherë nga puna.

Rihapja e Milot-Balldrenë

Kjo është hera e dytë që qeveria tenton të koncesionojë rrugën Milot-Balldrenë. Katër vjet më parë, ky segment iu dha me koncesion kompanisë ANK, sipas një formule që parashikonte ndërtimin e rrugës me paratë e kompanisë dhe shlyerjen e saj nga buxheti për 13 vjet.

Projekti PPP për ndërtimin e segmentit Milot -Balldren u iniciua pas një propozimi të pakërkuar të kompanisë shqiptare A.N.K dhe në tetor 2018, kompania A.N.K fitoi procedurën konkurruese për dhënien me koncesion/PPP të ndërtimit dhe mirëmbajtjes së rrugës Milot –Balldren, me vlerë ndërtimi dhe mirëmbajtje gjithsej 161.5 milionë euro. Pas një rinegocimi pa garë të interesave, vlera e kontratës u rrit në 213 mln euro pa TVSH, ose 256 mln euro me TVSH, për një gjatësi prej 17.2 km.

Debate lindën edhe për faktin se kompania fituese A.N.K nuk kishte kapacitetin për të ndërtuar një rrugë të përmasave të tilla. Ndërsa A.N.K premtoi të financojë 52 milionë euro nga kapitali i vet, rezultoi se kompania nuk arriti të sigurojë financimet e nevojshme.

Tashmë qeveria shqiptare do të rihapë sërish tenderin për ndërtimin e autostradës me koncesion, por këtë herë me një formulë tjetër, pa mbështetje buxhetore, njësoj si segmentet e tjera. Kompania do të ndërtojë rrugën me paratë e veta dhe do të fitojë të ardhura nga tarifa e kalimit, pasi rruga do të jetë me pagesë.

About Redaksia

Check Also

Çmimet e produkteve bazë rriten deri në 9 herë më shumë se inflacioni

Rritja e çmimeve të produkteve bujqësore, deri në 9 herë më shumë se inflacioni, është …

Leave a Reply