Spitali Memorial Fier është kthyer në një karrem që kap paratë e Shëndetësisë. Shpesh ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, firmos tenderë të majmë që shpenzohen në emër të spitalit, por shkojnë në xhepat e oligarkëve.
Këtë herë ajo ka parashikuar një tjetër vlerë të lartë që do të shkojë për akomodimin e mjekëve turq, të cilët punojnë në spitalin e ndërtuar nga presidenti turk, Erdogan. Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Sherbim akomodimi personeli turk”, i cili është publikuar më datë 4 gusht në listën e projekteve të parashikuara në APP.
Për këtë shërbim janë lënë në dispozicion rreth 400 milionë lekë dhe pritet që gara të mbyllet në shtator. Kontrata përfshin fjetjen plus vaktin e mëngjesit të mjekëve turq.
Këto plane Manastirliu i bën tani që është me pushime, ndërsa në shtator do të nis shpërndajren e lekëve dhe kontratave tek miqtë e saj.
Vlen të kujtojmë se në mars të këtij viti Manastirliu kishte parashikuar një tjetër tender për të akomoduar në hotele me 5 yje. Tenderi është publikuar në mars të këtij viti dhe kishte vlerën 1.2 milionë euro. Sigurisht kjo kontratë u kritikua mjaft dhe Manastirliu nuk ka bërë më publik hapat e marra për këtë procedurë.
Por, sapo kaloi pak vëmendja, tani vetëm 5 muaj më vonë, hapi tenderin tjetër. Presim që të paktën këtë tender ta bëjë publik dhe sipas rregullave, ashtu sikur e kërkon ligji.
Në vitin e shkuar Manastirliu shpenzoi 322 milionë lekë për dhomat e hotelit ku u akomoduan mjekët turq. Ai tender u mbyll në qershor të vitit 2022 dhe iu dha ”HAXHI SHAHU”, pa garë.
Duket se turqit vijnë në vend për të bërë tip pushimesh luksoze e për të marrë paga të majme nga paratë e popullit, plus pak propagandë nëpër televizionin e qeverisë, vetëm për të punuar jo. Sepse Spitali Memorial Fier vazhdon të ketë mangësi në disa shërbime. Ndërsa mjekët tanë largohen nga vendi sepse marrin paga minimale.