Po t’u qëndrosh vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara mbi popullsinë botërore, në prillin e këtij viti India është bërë vendi me popullsi më të madhe të botës. Disa demografë kanë fiksuar deri një datë: 14 prilli. Sipas kalkulimeve të tjera, si ato të World Population Review dhe të Macrotrends, kalimi duhej të kishte ndodhur më parë dhe India në prill ka pasur tashmë rreth 5 milion banorë më shumë sesa Kina. Në një rast apo në një tjetër, India, me të arritur objektivin e 1 miliard e 460 milion banorëve, mund të konsiderohet vendi me popullsi më të madhe në botë.
Megjithëse duke marrë vëmendjen më të madhe nga ana e mediave, nuk bëhet fjalë për një fakt që Nju Delhit i pëlqen të mburret. Llogaritjet zyrtare të qeverisë indiane bazohen akoma mbi censimentin e vitit 2011, pasi ai i mëpasmi është shtyrë për shkak të pandemisë së Covid 19 dhe ka mundësi, duke kaluar pjesën më të madhe të gjysmës së fundit të shekullit duke kërkuar ta kontrollojë rritjen e popullsisë, qeveria nuk i sheh këto rezultate në terma shumë pozitive.
Nuk është e gabuar të pohohet se numra të tillë mund t’i ofrojnë Indisë një “dividend demografik”, sidomos tani që pjesa më e madhe vendeve të zhvilluara dhe në rrugën e zhvillimit kanë filluar të plaken me shpejtësi. Në letër kjo me siguri që është e vërtetë: në rast se merret në konsideratë përqindja e popullsisë në moshë pune (midis 20 e 59 vjeçëve), India ka tejkaluar 50% në 2010 dhe do të vazhdojë të rritet deri në vitin 2041, kur do të arrijë pikun e 64%. Me pak fjalë, pakashumë se 1/5 e hyrjeve të reja në tregun botëror të punës, në këtë hapësirë kohore, do të jetë indiane.
Sfidat e cilësisë. Në një ekonomi moderne megjithatë cilësia ka të njëjtën rëndësi sa sasia. Për Indinë, sfida qëndron në faktin se vala e madhe e të rinjve në ardhje do të gjenerojë një dividend vetëm nëse do të jetë e formuar siç duhet dhe e përdorur në mënyrë produktive. Me 12 milion vende pune të kërkuara çdo vit dhe megjithëse një prej koeficentëve të rritjes ekonomike më të lartët në botë, India mezi arrin të bëjë të disponueshme shkolla dhe universitete për të gjithë. Edhe pse përqindjet e alfabetizimit, që vërtiten në rreth 75%, janë arësyetueshmërisht të larta dhe përqindja midis të rinjve është ende e lartë, pika e dobët janë nivelet e kompetencës. India Skills Report 2023 thotë se për momentin vetëm rreth 50.3% të popullsisë në moshë pune është e përdorshme.
Me pak fjalë, India synon që ta ruajë hapin me valën e të rinjve të saj dhe kjo nuk habit. Kohët e fundit ka njoftuar një politikë të re arsimore kombëtare, e studiuar për të tërhequr investime dhe bashkëpunime private në sektorin e arsimit të lartë. Për të përgatitur punëtorët për sektorët e rinj ekonomikë, ka nënshkruar marrëveshje formimi dhe profesionalizimi me një gjysmë dyzine shtetesh. Ajo më e vonshmja, me Taivanin, synon që të formojë teknikë indianë në artin e prodhimit të gjysmëpërçuesve. Megjithatë, duke pasur parasysh numrat për të cilat po flasim dhe kapacitetet e kufizuara të shtetit indian, këtë masa do të shkalafisin vetëm sipërfaqen e nevojave reale. Sot indianët që janë më pak se 25 vjeç janë një sasi mbresëlënëse: 700 milion. Në konfrontim, Banka Botërore ka llogaritur se e gjithë popullsia botërore e studentëve të regjistruar nëpër universitete vërtitet përreth 220 milionëve. Të rinjtë indianë do të kërkojnë zgjidhje alternative, sidomos në formimin online.
Një karakteristikë e rritjes së popullsisë indiane janë diferencat në nivel rajonal. Rritja e popullsisëe shteteve të jugut, më të pasur dhe më mirë të arësimuar, prej disa vitesh vendoset nën nivelin e zëvendësimit. Edhe në shtetet lindore dhe perëndimore, përqindja e rritjes është për më tepër e qëndrueshme. Kjo nënkupton se gjatë muajve të ardhshme do të jenë shtetet veriore dhe qendrore ato që do të kontribuojnë në mënyrë joproporcionale ndaj krahut të punës, pavarësisht se janë ato me treguesit më të këqinj të zhvillimit njerëzor dhe kanë punëtorët më pak të kualifikuarit e vendit. Edhe johomgjeniteti etnik i rajoneve nuk ndihmon: banorët e jugut të Indisë frikësohen në fakt se pasoja e dividendit demografik do të jetë marxhinalizimi politik dhe transferimi i pasurisë drejt veriut. Për ta thënë në një mënyrë tjetër, pabarazia midis veriut të varfër dhe jugut të pasur në termat e të ardhurës dhe kapitalit social është pakashumë më pak ekuivalent me atë që ekziston midis Afrikës dhe Europës.
Një fenomen me efekte globale. Këto fenomene do të kenë reperkusione edhe në nivel global, pasi do të asistojnë në një rritje të emigrimit indian përtejdetit. India nuk ka qenë kurrë një burim i madh për emigrantë. Për një pjesë të mirë të historisë së saj përtej pavarësisë, emigracioni neto, domethënë numri i emigrantëve për çdo 100000 persona, nuk ka shkuar kurrë përtej numrit 7. Nga fillimi i mijëvjeçarit e këtej është rritur në fakt të tejkalohet kuota 26 dhe vazhdon të rritet. Diaspora indiane midis viteve 1990 e 2020 thuajse është trifishuar, duke kaluar nga 6.6 milion persona në rreth 18 milion të tillë. Kjo i detyrohet në pjesën më të madhe një sasie mbresëlënëse të rinjsh, por reflekton edhe imazhin pozitiv që emigrantët indianë kanë fituar në vende të caktuara, sidomos në Shtetet e Bashkuara, për aftësitë e tyre teknologjike dhe biznesore. Marrëveshjet tregëtare të nënshkruara kohët e fundit me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Australinë. Nju Delhi po kërkon edhe të nënshkruajë marrëveshje pastërtisht emigrimi, për shembull me Italinë, seli e diasporës më të madhe indiane në Europë.
Nëse India do të jetë në gjendje ta forcojë një përqindje të mirë të popullsisë, nga pikëpamja ekonomike, rezultatet do të jenë fenomenale. Vendi mund të aspirojë dhe t’i afrohet sukseseve të epokës mesjetare, kur përfaqësonte rreth 25% të pasurisë botërore, dhe të bëhet një konkurrente e Kinës moderne. Nëse në fakt nuk do të arrijë të investojë mbi popullsinë, do të bëhet një version gjigant i Meksikës apo i Filipineve, të ngërthyer në kurthin e një klase të mesme me një krah pune pak produktiv dhe një rritje mediokre të të ardhurave për frymë.
Qeveria e Narendra Modi nuk ka hezituar të ndjekë politika kontrolli demografik të miratuara nga paraardhëset. Pjesërisht e influencuar nga preokupimet e mbështetësve të saj për domensionet e supozuara më të mëdha të familjeve që i përkasin pakicave fetare, ka folur në shumë raste për të imponuar metoda të rrepta kontrolli të lindjeve. Qeveritë e disa shteve vazhdojnë të kufizojnë benefitet administrative dhe të welfare për familjet që kanë më shumë se 2 fëmijë. Megjithatë, këto diskutime tashmë e kanë humbur kontaktin me realitetin demografik indian.
Pesha e “Kinindisë”. Kontrasti me Kinën, që ka qenë qendra e popullsisë botërore pakashumë qysh nga fillimi i historisë, nuk mund të jetë më i madh. Falë dekadave të politikës së fëmijës së vetëm, e aplikuar me rreptësi dhe nganjëherë deri brutalisht deri në braktisjen e saj (2015), popullsia kineze është reduktuar dhe do të vazhdojë të reduktohet me një ritëm pazakonshmërisht të shpejtë. Duke supozuar se pjesëmarrja e krahut të punës do të qëndrojë konstante në nivelet e vitit 2010, midis viteve 2022 e 2100 krahu i punës kinez do të reduktohet me 56%, duke zbritur në 348 milion. Popullsia kineze në vitin 2100 do të jetë me rreth 800 milion, thuajse gjysma e 1 miliard e gjysmës së Indisë, e cila atëheredo ta ketë tejkaluar prej 3 dekadash pikun e 1.6 miliardëve. Një statistikë mbresëlënëse që ka të bëjë me martesat. India celebron rreth 10 milion martesa në vit, thuajse ¼ e totalit botëror. Kina celebron më shumë se 8 milion në vit, në reduktim drastik.
Kjo nuk do të thotë se Kina do të ndeshet me kolapsin ekonomik. Gjatë 20 apo 30 viteve të ardhshme krahu i punës së saj do të reduktohet me vetëm prej 8% në vit. Pekini mund t’i kompensojë këto shifra, duke e rritur moshën e daljes në pension, duke anulluar kufizimet e vjetra të spostimeve nga fshatrave e qyteteve dhe duke investuar më shumë në automatizim. Referimet e përsëritura të qeverisë kineze ndaj një “rritjeje me cilësi të lartë” dhe në një “ekonomi me qarkullim të dyfishtë” tregojnë një strategji ruajtje të rritjes nëpërmjet ngritjespërgjatë shkallës teknologjike dhe promovimin e konsumit të brendshëm. Edhe kështu, shumë ekonomistë parashikojnë se Kina do të asistojë në një rritje prej 3% apo 4% në vit, një e dhënë shumë larg mga numrat dyshifrorë që kanë transformuar vendin. Përvoja e Japonisë, që lufton prej dekadash me të dhëna demografike të disfavorshme, nuk duhet harruar. Pavarësisht investimeve të mëdha në teknologji, Japonia nuk ka qenë në gjendje ta shmangë rënien e popullsisë. Brenda vitit 2050, kombinimi i plakjes, reduktimit të krahut të paunës dhe kufizimet ndaj emigracionit nga jashtë do do të bëhen për Kinën një peshë strukturore e pakalueshme.
Në terma demografikë, ky është një moment jashtëzakonisht interesant. Pavarësisht rënies, Kina dhe India, në rritje, përbëjnë në terma numerikë tregun e konsumatorëve më të madh të botës, ndoshta më i madhi që do të shikojmë ndonjëherë. “Kindia” sot përfaqëson 1/3 e popullsisë botërore, 1/3 e konsumatorëve botërorë dhe rreth 25% e shpenzimeve për konsume globale, e konsideruar me barazi në fuqi blerëse.
Brenda vitit 2030 të dy vendet do të arrijnë rreth gjysmë miliardi konsumatorë, mbo gjysma e rritjes së përgjithshme botërore, dhe do të përfaqësojnë 42% e shpenzimit global për konsumet. Konsumatorët kinezë do të jenë më të pasur, më të moshuar dhe më urbanë. Ata indianë do të jenë shumë më të rinj, por ende të lidhur me fshatin. Asnjë vend në botë nuk mund t’i lejojë vetes që të mos i llogarisë këta gjigantë.
(nga Aspenia Institute)
Përgatiti
ARMIN TIRANA