Nga Anila HOXHA
Ai ishte një biznesmen i fuqishëm, vetëm 49 vjeç, që mjafton të dëshironte dhe do ta kishte çfarë synonte. Lidhjet e tij ishin të forta dhe këtë e provoi më pas hetimi i SPAK që konstatoi se shefa policie dhe prokurorë i bindeshin.
Por në të kaluarën, gjyqtarë e prokurorë i kishin thënë ‘po’ për një betejë tokash në zonën e Velipojës duke ndikuar që fuqia e tij të rritej, e ai të kthehej i pandalshëm. Edhe kur bëhej fjalë për persona me të cilët kishte lidhje familjare, por që pronësia e tokës kishte dalë përmbi ta.
Gjyqtarë, prokurorë, shefa policie dhe jo vetëm, listës së ndihmësve i shtohen të tjerë persona me pushtet ende nën verifikim nga SPAK, sepse siç dyshohet në një dosje voluminoze, Pëllumb Gjoka kishte njerëzit e duhur në momentin e duhur. Deri ditën kur përmes postës elektronike, SPAK u njoftua nga një grua dhe i biri se biznesmeni ju kishte rrëmbyer hektarë të tërë me tokë të trashëguar.
Toka me sipërfaqe 39 hektarë që Lulë Zefi dhe i biri, Donaldi, kushërinj të biznesmenit, akuzuan se iu ishte rrëmbyer nga një grup kriminal, ishte kallëzuar më herët në prokurorinë e Shkodrës për dyshimet e falsifikimit të dokumenteve. Ata kishin insistuar për një kohë të gjatë se nuk pati asnjë akt dhurimi toke nga e moshuara Drande Hotaj, e cila rezultonte prej 1938 si pronare e tokës. Por hetimet nuk rrodhën në drejtimin e duhur.
Dy prokurorë në këtë qytet vlerësuan se çështja ishte parashkruar e duhej pushuar. Por familja Zefi, që kishte provuar shtetin dhe gjyqësorin ndër vite me një seri gjyqtarësh që nuk iu dhanë të drejtë, e provuan sërish edhe në Gjykatën e Lartë. Sipas një vendimi, rezulton se Lulë Zefi përfundoi në Gjykatën e Lartë duke kundërshtuar aktin e dhurimit të tokave nga e ëma, e ndjera Drande Hotaj, duke kërkuar pavlefshmëri absolute. Në këtë vendim ata akuzojnë për kërcënime dhe përmendin emrin e Pëllumb Gjokës.
“Kontrata e dhurimit nr. 6583 rep., nr. 2481 kol., datë 29.08.2017, mes nënës Drande Hotaj dhe shtetasit Kolë Gjoka, është e pavlefshme pasi është lidhur në kushtet e mungesës së vullnetit nga nëna shtetësia Drande Hotaj, e cila është 86 vjec, e moshuar, nuk di të shkruajë as të lexojë, se ne momentin e nënshkrimit të saj ka qenë e pandërgjegjshme për rëndësinë e veprimeve të saj edhe pse nuk i është hequr zotësia për të vepruar. Gjithashtu Drande Hotaj e ka kryer veprimin juridik për shkak të kanosjes së ushtruar nga shtetasi Pëllumb Gjoka, i biri i Kolë Gjokës,” shkruhet në vendimin e Gjykatës së Lartë, datë 21 shkurt 2022. Por familja humbi sërish dhe denoncimi i tyre në SPAK ishte nën verifikim kur Europol përcolli informacione për 7 shtetas shqiptarë që përdornin SKY.
Çelësi që hapi Kutinë e Pandorës iu dha SPAK nga francezët gjatë një hetimi për trafikun e kokainës nga Amerikane e Jugut drejt porteve kryesore evropiane. Pikërisht ky rrjet ndërvepronte sakaq për tjetërsimin e një sipërfaqeje toke në bregdet duke falsifikuar dokumente shtetërore- thotë prokuroria kundër krimit të organizuar në Tiranë. Emrat që kishte përballë Lulë Zefi, një grua e panjohur nga Kurbini që në 2017 ishte sulmuar me armë dhe i kishte shpëtuar një atentati (ngjarje për të cilën autori u dënua për kanosje dhe armëmbajtje) , ishin të paprekshëm.
Sky në këtë rast ishte “filli i Arianës” që nxori nga labirinthi drejtësinë e cila ka në duar deri më tani skenarë krimesh të ndodhura nga vrasës me pagesë shqiptarë dhe të huaj, krime makabre të kryera duke prerë në besë miqtë, hakmarrje të përgjakshme, një polici të dështuar që nuk gjurmonte të kërkuarit, vrasës të egër, të korruptuar prokurorë e zyrtarë policie që funksiononin për njerëz të botës së krimit si Behar Bajri e Ervis Martini.
Prokurori mëson njerëzit që sa për sy e faqe i heton se duhet ta shtyjnë gjyqin, por që në SKY me kodin MHSE7L, ai prokurori i lë takim behar Bajrit të takohen nga darka tek shtëpia. Të tjerë gjyqtarë e prokurorë dhe zyrtarë policie dyshohet se janë aty. Shërbëtorë të krimit dhe aspak të qytetarit të pambrojtur që kërcënohet, i rrëmbehet çdo gjë me vetëm një “alo…”