Eksportet kanë vijuar rënien për të pestin muaj radhazi edhe në korrik, ndonëse ritmet e rënies janë ngadalësuar ndjeshëm në krahasim me muajt e mëparshëm, si rrjedhojë e rritjes së fortë të grupit “minerale, lëndë djegëse, energji”.
Tekstilet e këpucët si dhe materialet e ndërtimit e metalet kanë ndikuar në këtë rënie në korrik, ndërsa me nivele më të ulëta janë tkurrur makineritë e pajisjet. Grupi i ushqimeve, pijeve e duhanit vijon të ketë rritje të qëndrueshme.
Sipas INSTAT, në Korrik 2023 eksportet e mallrave arritën vlerën 38 mld lekë, duke u ulur me -4,0 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me -0,6 %, në krahasim me Qershor 2023.
Sipas INSTAT, gjatë muajit Korrik 2023, në uljen e eksporteve prej -4,0 %, kanë ndikuar grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -8,7 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -1,8 pikë përqindje, “Prodhime druri dhe letre” me -1,1 pikë përqindje, etj. Ndërsa pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +6,9 pikë përqindje dhe “Ushqime, pije, duhan” me +2,0 pikë përqindje.
Në këtë shtatëmujor, sipas INSTAT eksportet e mallrave arritën vlerën 272 mld lekë, duke u ulur me -7,0 %, krahasuar me një vit më parë. Gjatë muajit Korrik 2023, në uljen e eksporteve prej -4,0 %, kanë ndikuar grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -8,7 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -1,8 pikë përqindje, “Prodhime druri dhe letre” me -1,1 pikë përqindje, etj. Ndërsa pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +6,9 pikë përqindje dhe “Ushqime, pije, duhan” me +2,0 pikë përqindje.
Viti nisi mbarë. Në janar shitjet jashtë vendit u zgjeruan me 20.2% me bazë vjetore, ndërsa në shkurt u zgjeruan me vetëm 2.8%. Rënia nisi në mars, me 11.7%, u thellua në prill me 19.3% dhe vijoi tendencën negative në maj me -11.7%. Në qershor tkurrja u thellua sërish në 17.3%, për t’u ngadalësuar në korrik në -4%.
Fasoni bie për të dytin muaj radhazi në korrik
Pas një përmirësimi në maj, eksportet e “Tekstile dhe këpucë”, iu rikthyen rënies me bazë vjetore me 8.5% në qershor. E njëjta tendencë vijoi dhe në korrik. Sipas INSTAT, eksportet e këtij grupi u tkurrën me 6% në korrik, duke zbritur në 11.4 miliardë lekë.
Sipas eksportuesve, arsyeja kryesore lidhet me rënien e ndjeshme të euros që ul të ardhurat e eksportuesve kur konvertohen në lekë. Faktorë të tjerë që kanë ndikuar janë rritja e pagës minimale që ka shtuar kostot e punës, tkurrja e kërkesës nga jashtë sidomos për këpucë (nga ndryshimi i motit, shitësit e pakicës kanë krijuar stoqe të mëdha), kriza ekonomike në Europë që ka ulur kërkesën si dhe zhvendosja e prodhuesve në Indi e vende të tjera të Azisë për shkak të kostove më të ulëta.
Për 7 mujorin, rënia e eksporteve u thellua në 1.27%, nga 0.45% që ishte reduktimi për 6 mujorin. “Tekstilet e këpucët” mbeten grupi më i madh në vend, me 29% të totalit.
Mineralet e lëndët djegëse e marrin veten
“Mineralet dhe lëndët djegëse” u rritën ndjeshëm me 39% në korrik, me bazë vjetore, duke ndikuar dukshëm në amortizimin e tkurrjes së grupeve të tjera. Burime nga Bankers Petroleum, eksportuesi më i madh i këtij grupi, që shet naftë të përpunuar pohuan se në korrik janë arritur që të dërgohen më shumë anije.
Për 7 mujorin, tkurrja është reduktuar ndjeshëm në 4.5% (nga 10% për 6 mujorin). Ky grup vijon të mbetet i dyti më i madh në vend me 22.3% të totalit për 7 mujorin.
Materialet e ndërtimit dhe metalet vijojnë me tkurrjen e ndjeshme
Materialet e ndërtimit dhe metalet vijuan me tkurrjen e ndjeshme dhe në korrik, me -39.4%, duke pasur ecurinë më negative nga të gjitha grupet. Sipas burimeve nga Kurum, një ndër eksportuesit më të mëdhenj në vend, tendenca lidhet me disa faktorë, si rënia e çmimeve, por dhe frenimi i kërkesës.
Për 6 mujorin, ky grup u tkurr me 30%, duke dhënë ndikimin më negativ në ecurinë e eksporteve. Ky grup është i treti më i madh për 7 mujorin, me 17.3% të totalit.
Ushqimet, pijet dhe duhani, me rritjen më të qëndrueshme
“Ushqimet, pijet dhe duhani” janë sektori që kanë pasur ecurinë më të qëndrueshme të eksporteve këtë vit. Në korrik ky grup i rriti eksportet me gati 20%. Përfaqësuesit e sektorit thonë se janë ndikuar nga moti i favorshëm që ka rritur prodhimin dhe kërkesa e lartë në tregjet ndërkombëtare.
Për 7 mujorin, ky grup është zgjeruar me 20.6%, duke pasur ecurinë më të mirë, ndërsa mbetet i katërti më i madh me 13% të totalit, nga 10% në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Industria automotive me rënie në korrik
Eksportet e Makineri, pajisje, pjesë këmbimi ishin deri në muajin mars grupi që po shënonte ecurinë më të mirë të eksporteve si rrjedhojë e zgjerimit të fabrikave që punojnë në industrinë mbështetëse automotive. Por, në prill, edhe ky grup shënoi rënie të eksporteve me 5.9% me bazë vjetore. Megjithatë në maj, grupi iu rikthye rritjes, duke u zgjeruar me 10.5%. por, në qershor grupi shënoi sërish rënie, me 4.8%. Tkurrja vijoi dhe në korrik me -3%. Sipas përfaqësuesve të kompanive, ecuria negative lidhet me pasojat që po jep zhvlerësimi i euros në aktivitetin e fabrikave që prodhojnë ose montojnë pjesë këmbimit për industrinë automotive.
Për 7 mujorin grupi është rritur me 8%, teksa përbën 8.9% të totalit të eksporteve.
Ulet deficiti tregtar në korrik
Sipas INSTAT, Në Korrik 2023 eksportet e mallrave arritën vlerën 38 mld lekë, duke u ulur me -4,0 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me -0,6 %, në krahasim me Qershor 2023. Importet e mallrave arritën vlerën 71 mld lekë, duke u ulur me -13,6 %, në krahasim me një vit më parë dhe me -6,0 %, në krahasim me Qershor 2023. Defiçiti tregtar i këtij muaji është 33 mld lekë, duke u ulur me -22,6 %, krahasuar me Korrik 2022 dhe me -11,6 %, në krahasim me Qershor 2023.
Në këtë shtatëmujor eksportet e mallrave arritën vlerën 272 mld lekë, duke u ulur me -7,0 %, krahasuar me një vit më parë, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 509 mld lekë, duke u ulur me -3,5 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 237 mld lekë, duke u rritur me 0,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2022.
Eksportet bien me Italinë, rriten me Kosovën
Në muajin Korrik 2023, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur ulje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Korrik 2022 janë: Italia (10,6 %), Austri (78,4 %), SHBA (63,4 %), etj. Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur rritje më të madhe, janë: Kosova (24,3 %), Greqia (12,2 %), Mbretëria e Bashkuar (1.632,8 %), etj.
Gjatë këtij shtatëmujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur ulje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (10,6 %), Gjermania (23,8 %), Kina (32,7 %), etj. Ndërsa vendet me të cilin eksportet kanë pasur rritjen më të madhe, është: Kosova (7,7 %), Greqia (15,6 %), Spanja (57,9 %), etj.
Në muajin Korrik 2023, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur uljen më të madhe të importeve, janë: Italia (7,4 %), Turqia (16,3 %), Greqia (29,8 %), etj. Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur rritjen më të madhe të importeve, në krahasim me Korrik 2022 janë: Kina (10,1 %), Gjermania (6,5 %), SHBA (28,2 %), etj.
Gjatë këtij shtatëmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur uljen më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Turqia (18,2 %), Greqia (14,9 %), Italia (4,3 %), etj. Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur rritjen më të madhe janë: Kina (34,5 %), Zvicra (79,5 %), SHBA (45,6 %), etj.
Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 59,2 %, të gjithë tregtisë. Në Korrik 2023, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 75,6 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 50,9 % të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (31,2 %), Kina (7,8 %), Gjermania (6,6 %) dhe Greqia (6,5 %).
Shkëmbimet tregtare, për shtatëmujorin e parë 2023, me vendet e BE-së zënë 59,5 % të gjithë tregtisë. Në periudhën Janar – Korrik 2023, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 73,8 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 51,8 % të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (30,4 %), Kina (7,6 %), Turqia (6,8 %) dhe Greqia (6,7 %)./MONITOR