Dosja/ Lidhjet e Beqajt me Rrapajn dhe udhëtimet në Itali e Vjenë për konçesionin e sterilizimit

Udhëtime dhe njohje të mëparshme deri në dhënien e një koncesioni me vlerë 100 milionë euro janë në brendësi të dosjes së Prokurorisë së Posaçme për koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale.

Në dosjen e siguruar nga “BalkanWeb” thuhet se, Ilir Beqaj, atë kohë ministër i Shëndetësisë dhe biznesmeni Ilir Rrapaj, si dhe administratori i shoqërisë koncesionare Sani Service kanë kryer udhëtime së bashku. Ashtu siç zbulohen edhe udhëtimet e ish-zv.ministrit të Shëndetësisë Klodian Rjepaj me biznesmenin Rrapaj.

Gjatë hetimeve paraprake, më datë 15 nëntor 2021 është bërë këqyrje e sistemit TIMS për të dhënat e shtetasve Ilir Rrapaj, administrator i Investal, Klodian Rjepaj, kryetar i Komisionit të procedurës së komisionit të dhënies së Koncesionit, Umbro Staccini, shtetas italian, administrator i Tecnosanimed dhe një nga aktorët kryesorë të Koncesionarit Sani Service, Ilir Beqaj, titullari i Autoritetit kontraktor dhe Admir Daca, administrator i Sani Service. Nga procesverbali, u vërejtën edhe hyrjet dhe daljet e këtyre personave nga territori i Republikës së Shqipërisë ku rezultoi se:

DOSJA

Më 2 nëntor 2021 në Universitetin e Mjekësisë është kryer këqyrja e dokumenteve të mbajtura për ndjekjen e studimeve nga shtetasi Klodian Rjepaj në këtë Universitet. Nga këqyrja rezultoi se shtetasi Klodian Rjepaj ka ndjekur vitet akademike në vitet 1990-1998, të ndara në dy periudha. Në vitet 1990-1994 dhe më pas në vitin 1994-1995 nuk ka frekuentuar studimet, për vitin 1995-1996 ka dhe shënimin “përsërit vitin”. Edhe për vitin 1996-1997 nuk ka shënime në regjistër. Më pas rezulton se ku shtetas ka kryer studimet në vazhdim në vitet akademike 1996-1997, 1997-1998 kur dhe është diplomuar.

Në këto regjistra vërehet se ka ndjekur studimet akademike në mjekësi edhe shtetasi Ilir Rrapaj.

Në regjistrin 8 Mjekësi, ku ndodhet emri i shtetasit Klodian Rjepaj, dy rreshta mbi të është i shënuar emri i shtetasi Ilir Rrapaj, të cilët për vitet akademike 1991-1992, 1992- 1993, 1993-1994, kanë ndjekur bashkë vitet akademike. Për vitin akademik 1994-1995 ashtu si Klodian Rjepaj, edhe shtetasi Ilir Rrapaj nuk ka frekuentuar studimet. Për vitin akademik 1995-1996 ashtu si Klodian Rjepaj edhe shtetasi Ilir Rrapaj ka shënimin “Përsërit vitin”. Edhe për vitin akademik 1996-1997 nuk ka shënime në regjistër. Gjithashtu, në të njëjtin regjistër në “regjistrin 7”, ku ndodhet emri i shtetasit Ilir Rrapaj, vërehet emri i shtetasi A.LL. i cili ka përfunduar studimet në vitin akademik 1994-1995.

Shtetasi A.LL. rezulton të jetë Drejtor në kompaninë Koncesionare Sani Service që nga krijimi i saj. Gjithashtu, ai është administrator i kompanisë “Gamaservice”, kompani e cila ka transaksione në shitjet e kryera nga Koncesionari Sani Service për periudhën Prill 2020-dhjetor 2021 në vlerën 116 966 534 lekë (referuar informacionit të marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve). Nga përmbajtja e këtyre akteve rezulton se Ilir Rrapaj dhe Klodian Rjepaj kanë ndjekur bashkë studimet e larta në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë në vitet 1991-1994 (1995-1996 të dy nuk kanë frekuentuar studimet). Gjithashtu, këta të fundit kanë përfunduar studimet me shtetasin A. Ll.

Gjithashtu më 22 dhjetor 2021 është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale shtetasja D. N., e cila kur është pyetur lidhur me faktin nëse ka njohje me shtetasit Ilir Rrapaj dhe Klodian Rjepaj ka deklaruar se: “Klodianin e kam pasur shok gjatë kohës së ndjekjes së studimeve universitare në Universitetin e Mjekësisë në vitet 1990-1992. Më pas unë jam larguar nga Shqipëria dhe kam vazhduar studimet në vitin 1995. Në dijeninë time edhe Klodiani është larguar një vit në Greqi dhe ka lënë studimet e i është rikthyer përsëri më vonë. Gjithashtu kam punuar me Klodianin në Institutin e Shëndetit Publik në vitet 2008-2013, ku Klodiani ka qenë menaxher i programit kombëtar të HIV-AIDS.

Sa i përket njohjes me biznesmenin, D.N. ka deklaruar: Po e njoh Ilir Rrapajn pasi është nga Vlora dhe kemi qenë studentë bashkë në fakultet, Iliri ka qenë në një brez me mua dhe Klodianin.

Gjithshtu në dosje thuhet se një muaj pasi biznesmeni Rrapaj udhëtoi me Beqjan dhe Rjepaj, krijoi në Prishtinë kompaninë e tij përmes së cilës fitoi 40 për qind të koncesionit.

“Ilir Rapaj përfaqësuesi i subjektit “Investital LLC dhe Umbro Staccini përfaqësues i subjektit Tecnosanimed srl dhe U.Jet SRL, që krijuan kompaninë koncesionare Saniservice kanë njohje personale me të dyshuarin Klodian Rjepaj, zv.ministër i Shëndetësisë dhe z.Ilir Beqaj ministër i Shëndetësisë në kohën e përgatitjes dhe përfundimit të procedurës së koncesionit.

Njohja fillon prej muajit nëntor 2013, përpara procedurës së koncesionit. Kështu Ilir Rrapaj, Ilir Beqaj, Klodian Rjepaj kanë hyrë në Shqipëri në Pikën e Kalimit Kufitar në Rinas me linjën Ajrore Alitalia Rome në datën 15 qershor 2014:, thuhet në dosjen e SPAK.

Më tej thuhet se: “Në dokumentacionin për kapacitetin ligjor të investital LLC rezulton se ky subjekt është regjistruar në datën 17 korrik 2014 në Prishtinë me kapital 1 mijë euro nga Ilir Rrapaj, vetëm një muaj pas udhëtimit së bashku me avion me shtetasit Ilir Beqaj dhe Klodian Rjepaj. Ilir Rrapaj krijon kompaninë Investital LLC pjesë e kompanive që hyri në garë për koncesionin me 40 për qind.

Kjo kompani është krijuar vetëm një muaj përpara se të dilte urdhri i ministrit të Shëndetësisë me datë 18 gusht 2014 për ngritjen e komisionit të dhënies se koncesionit. Kompania kishte vetëm një të punësuar, krijuesin e saj Ilir Rrapaj”, thuhet në dosjen e prokurorisë së posaçme.

About Redaksia

Check Also

KLSH: Agjencia e Prokurimeve nuk zhvilloi asnjë hetim për tenderat në dy vjet

Agjencia e Prokurimit Publik (APP) ka të drejtë që të zhvillojë hetime administrative për kontratat …

Leave a Reply