Të papërsëritshmit e futbollit “pushtojnë” Amerikën dhe Arabinë

Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi konsiderohen si dy prej lojtarëve më të mirë në histori të futbollit.

Ata e kanë dominuar botën e futbollit në 15 vitet e fundit duke fituar gjithçka që është e mundshme, si në nivelin ekipor, ashtu edhe në atë individual.

Por, çdo gjë në këtë jetë e ka fillimin dhe fundin e tij. Edhe dy mega yjet e futbollit botëror e mbyllën këtë vit eksperiencën në futbollin evropian, aty ku ky sport luhet në nivelet më të larta.

Në janar, Ronaldo përfundoi në Lindjen e Mesme, respektivisht në Arabinë Saudite.

Kurse, Messi pak javë më parë përfundoi përtej Atlantikut, përkatësisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Me më pak presion dhe me nivel shumë më të ulët të futbollit, dy yjet po ndihen më të relaksuar dhe po e shfaqin potencialin e tyre të padiskutueshëm.

Ata nisën të lënë gjurmë menjëherë në ekipet përkatëse.

Ronaldo u bë ylli i parë i klasit botëror që përfundoi në ligën e Arabisë Saudite.

Të gjithë e kritikuan për vendimin e tij, i cili natyrisht se lidhej kryekëput me aspekt financiar.

38 vjeçari paguhet 200 milionë euro në vit. Por, ylli portugez e ngrehu këmbën zhag dhe pas tij në Saudi Pro League përfunduan shumë futbollistë të mëdhenj dhe të njohur, mbi të gjitha nga futbolli evropian.

“CR7” nuk arriti ta fitonte ligën arabe pasi ekipi i tij, Al Nassr përfundoi në vendin e dytë në edicionin e kaluar, shkruan “Gazeta Express”.

Por, ish-futbollisti i Sporting Lisbonës, Manchester Unitedit, Real Madridit dhe Juventusit, e kompletoi misionin e tij vetëm pak ditë më parë.

Në fakt, përfaqësuesi portugez ia doli ta fitonte Kupën e Kampionëve të Klubeve Arabe, një trofe mjaft i çmuar dhe i pari në histori të ekipit të tij.

Ronaldo madje shkëlqeu në finalen dramatike duke i realizuar dy gola.

Nassr’s Portuguese forward #07 Cristiano Ronaldo poses with the top goalscorer trophy after winning the 2023 Arab Club Champions Cup after their final football match between Saudi Arabia’s Al-Hilal and Al-Nassr at the King Fahd Stadium in Taif on August 12, 2023. (Photo by AFP) (Photo by -/AFP via Getty Images)

Në total, ai i shënoi gjashtë gola në këtë garë duke e fituar njëherësh edhe Këpucën e Artë.

Por, lojtari dhe të gjithë të tjerët u befasuan kur atij s’iu dha edhe Topi i Artë i këtij kompeticioni, pasi lojtari më i mirë u zgjodh dikush tjetër.

Sidoqoftë, Ronaldo la gjurmë në këtë turne dhe tash është gati për sezonin e ri të Saudi Pro League, ku synon ta fitojë titullin e kampionit në Arabinë Saudite.

Pesë herë fituesi i Ligës së Kampionëve dhe po aq i Topit të Artë, njëherësh edhe kampion i Evropës me Portugalinë, është njeriu më i pëlqyer në planet në rrjetin social, Instagram.

Ronaldo ndiqet nga 600 milionë followers. Pra, fama e tij vazhdon të jetë e njëjtë, përkundër faktit se po shkon drejt përfundimit të karrierës.

Ndërkohë, edhe Leo Messi e ka nisur në mënyrë të përsosur eksperiencën amerikane.

36 vjeçari u nda me Paris Saint-Germainin, ku i kaloi dy vitet e fundit për të përfunduar në ligën MLS.

Ndonëse kishte oferta marramendëse nga klubet arabe, Messi megjithatë e zgjodhi Inter Miamin për të ardhmen e tij.

E njëjtë si rivali i tij i përhershëm, Messi e ka nisur me këmbë të mbarë aventurën e re.

Ai është veç një ndeshje larg për t’ia siguruar trofeun e parë dhe historik ekipit të tij.

Së fundmi, Inter Miami e mposhti ekipin Philadelphia Union me rezultat 4:1.

Dhe me këtë rast, ky ekip u kualifikua në finale të Kupës së Ligës.

Njëjtë si në këtë ndeshje, Messi ishte protagonist edhe në secilin takim tjetër prej se ka zbarkuar në Amerikë.

Shtatë herë fituesi i Topit të Artë i ka realizuar plot 9 gola në 6 ndeshje me Inter Miamin.

Pra, më shumë gola se ndeshje për kampionin e botës me Argjentinën.

Sidoqoftë, ai s’ka mbaruar ende punë pasi i nevojitet edhe një fitore në finale për ta ngritur lart trofeun e më të mirit në këtë garë.

Më pas, mision i Messit do të jetë që ta ngrisë Inter Miamin në renditje pasi ky ekip e mbylli pjesën e parë të sezonit në vendin e fundit në tabelë.

Pra, epoka e Ronaldos dhe e Messit në Evropë ka përfunduar, por ne na mbetet t’i shijojmë edhe vitet e tyre të fundit të karrierës.

Leo e kishte fatin që ta kishte talentin si dhunti, kurse Cristiano arriti gjithçka me punë jashtëzakonisht të madhe.

Ata kanë thyer rekorde të shumta në karrierat e lavdishme që i kishin. Të dy janë vërtetë të papërsëritshëm…

 

About Redaksia

Check Also

Ish-“ylli” i Atalantës: Mbappe s’është Ronaldo!

Josip Iličić, i cili gati sa nuk i dha fund karrierës për shkak të depresionit, …

Leave a Reply