Eshtrat e Qazim Mulletit do të prehen në Tiranë në varrezat e Tufinës më daten 28 gusht 2023 në oren 14 pasi ti kryhen ritet fetare në Xhaminë e Kokonozëve
Ku gjenden aktualisht eshtrat?
Eshtrat e ish-prefektit te Tiranes Qazim Mulleti gjenden ne nje province te Romes,me ekzaktesi ne Rocca di Pappa.Trondites eshte fakti qe eshtrat e tij nuk ndodhen ne mes varreve të zakonshme, por te futur në një arkë alumini, në një nga depot e ”Cimitero Comunale San Sebastiano Martire!!!
-Kush ishte Qazim Mulleti?
Qazim Mulleti lindi në vitin 1895, në një nga familjet e mëdha tiranase. Familja e tij është pasardhëse e themeluesit të kryeqytetit, Sulejman Pashës. Qazim Mulleti kishte mbaruar shkollën e Zosimesë në Janinë, studimet e larta i kreu në Gallatasaraj (Turqi). Ai ka shoqëruar patriotët e njohur në ngritjen e flamurit në Tiranë më 1912-të, ndërsa pak kohë më vonë u vu në krye të rinisë fanoliste. Qazim Mulleti ka qenë një ndër katër adjutantët e princ Vidit. Në vitin 1924-1925 emërohet si prefekt i Matit. Pas revolucionit të qershorit dhe rimarrjes së pushtetit nga Zogu, Qazim Mulleti ikën në Vjenë. Në vitin 1931, bashkë me Ndokë Gjeloshin dhe Aziz Çamin, i bëjnë atentat mbretit Zog në operën e Vjenës. Në muajin korrik të vitit 1939, disa muaj pas largimit të mbretit Zog, Qazim Mulleti kthehet nga emigrimi dhe merr postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Pas ardhjes në pushtet të komunistëve në vitin 1944, Qazim Mulleti largohet jashtë shtetit. Ai vdes në vitin 1956 në Itali. Qazim Mulleti ka qenë njohës i 9 gjuhëve të huaja.
Thuajse të gjithë qytetarët e kryeqytetit e pranuan me dëshirë zgjedhjen e një tiranasi në postin e kryetarit të bashkisë. Sekretar personal i tij ishte Mehmet Rushiti, ndërsa nënkryetar Halil Mëniku, që drejtoi më pas kryeqytetin përkatësisht në vitet 1943-1944. Shumë plane të nisura në kohën e Zogut, si godina e korpusit universitar, kolonadat apo sot Muzeu i Arkeologjisë, Akademia e Arteve, ku në atë kohë u vendos edhe opera, Kryeministria dhe hotel “Dajti” morën drejtim në kohën e kryebashkiakut Mulleti. Por reliktet e punës së tij, të cilat ekzistojnë edhe sot, janë banjat publike nën tokë. Sipas nipit të Qazim Mulletit, Tanush Mulleti, me të marrë postin e drejtuesit të Tiranës, nisi vendosjen e çezmave publike në rrugica, si dhe ndërtimin e banjave publike në disa pika të rëndësishme të qytetit, duke zgjidhur njëkohësisht problemin e kanalizimeve nëntokësore. Një tjetër sipërmarrje e vështirë e kryebashkiakut ka qenë heqja e varrezave brenda qytetit. Për të zgjidhur këtë situatë të vështirë, ai e nisi nga vetja. “Ne kena pas afër xhamisë te Pazari i Ri varrezat e shtëpisë. Por duke dashur me bo i reformë e me i çu varrezat mo larg qendrës, Qazimi e nisi nga vorrezat tona e në ven të tyne ma pas u ndërtu markata e Pazarit të Ri”, rrëfen Tanush Mulleti. Karrocat me kuaj që në atë kohë mbizotëronin, nuk u lejuan të shkelnin në qendër të Tiranës, duke i dhënë kështu qytetit të viteve ’40 një pamje më të pranueshme. Në kohën kur Bashkia drejtohej nga Qazim Mulleti, u ndërtuan dhe furrat e para elektrike të bukës në kryeqytet.