Ish-ministri i Financave Arben Malaj përmes një komunikimi të drejtpërdrejtë në studion e News24 ka komentuar situatën ekonomike në vend pas zhvillimeve të fundit.
Malaj komentoi luhatjet jo normale të këmbimit valutor përgjatë muajve të verës, duke thënë se një rritje e euros pritej pas periudhës së gjatë të humbjes së vlerës.
Sipas tij rritja e turizmit, remitancave dhe investimeve të huaja janë tri nga faktorët që kanë ndikuar më shumë në vlerësimin e lekut ndaj monedhës evropiane.
Ai shtoi se euro po rritet sepse nuk ka të njëjtin fluks shpenzimi në euro si më parë dhe se do ketë sërish rritje, por me hapa të vogla.
Sa i përket koncesioneve, Malaj u shpreh se institucionet ndërkombëtare financiare si Banka Botërore kanë thënë se Shqipëria nuk ka kapacitetet ligjore për të formuluar kontrata ku mbrohet taksapaguesi dhe konsumatori.
“Shpresat ishin shuar për ndërhyrjen e qeverisë, por pritej një rritje e euros. Periudha e humbjeve megjithatë ka qenë shumë e zgjatur për tregtarët. Ajo që uli çmimin e euros ishte oferta e madhe në Shqipëri. Rritja e turizmit, remitancave dhe investimet e huaja janë tri faktorë. Megjithatë duket se ka edhe faktorë të tjerë informalë. Fuqizimi i lekut ndaj euros ishte i pamundur në këto nivele.
Humbësit më të mëdhenj kanë qenë eksportuesit shqiptarë dhe ata që kanë kredi në lek. E njëjta ndodh me ata që kanë paga në euro, por shpenzime në lekë. Këto grupe duhet të orientohen si të menaxhojnë paratë në raste të tilla. Këshilla që jap është të mos veprojnë në panik. Kur shohin ulje të euros nuk duhet ta shesin nga frika, pasi kjo rrit ofertën dhe e ul edhe më shumë çmimin.
Importuesit kanë arritur të sjellin më shumë mallra me fuqizimin e lekut për shkak të uljes së lekut. Banka e Shqipërisë ndihmohet me inflacionin po ashtu, qeveria mund të shlyejë borxhin publik më lirë pasi një pjesë e madhe është në euro. Pushuesit po ashtu janë ndihmuar për pushimet jashtë vendit. Ulja e lartë ka qenë nga faktorë jo realë, por rritja është një proces i natyrshëm. Euro po rritet sepse nuk ka të njëjtin fluks shpenzimi në euro si më parë. Do ketë sërish rritje, por me hapa të vogla.
Sterilizimi është një rast nën hetim. Koncesionet dhe PPP nuk kanë filluar me PS-në dhe nuk janë risi në Shqipëri. Kanë filluar me PD-në me karburantet dhe doganat. PPP patën shpërthim gjatë qeverisjes së PS, por asnjë institucion që asiston Shqipërinë nuk kanë thënë se Shqipëria aplikon koncesionet, por kanë qenë kritike se nuk kemi pasur kapacitetet ligjore për kontrata të mira ku mbrohet taksapaguesi dhe konsumatori. Aty lindin shqetësimet.
Duhet të ketë kujdes me kostot e koncesioneve. Ka nevojë për ndryshime ligjore rreth koncesioneve. E pamundur të marrësh një koncesion dhe të kesh fitim 30-40% pasi po përfiton nga një status i veçantë. Pastaj abuzimet me operacionet janë gjëra që duhen parë me kujdes”, u shpreh ai.