Mbërrijnë në Shqipëri eshtrat e Qazim Mulletit, pritje me ceremoni

Eshtrat e Qazim Mulleti, prefektit të Tiranës të viteve 1942-1944, kanë mbërritur sot në Shqipëri nga Italia nëpërmjet portit të Durrësit.

Kthimi i eshtrave të tij nga Roma, ku ishte varrosur, për t’u prehur pranë bashkëshortes së tij Hajrie Mulleti, që u persekutua nga diktatura bashkë me të birin, ka qënë një sipërmarrje e gjatë dhe e vështirë e familjes së tij, e shoqatave patriotike, e studiuesve dhe historianëve jo vetëm nga Tirana.

Familja Mulleti e ka shpjeguar në një letër të hapur të gjithë procesin dhe natyrshëm, edhe falënderimet dhe mirënjohjen për të gjithë kontribuuesit:

“Në emër të familjes sonë, dëshiroj t’ju njoftoj që pas përpjekjeve të vazhdueshme, u bë e mundur sjellja në atdhe e eshtrave të z. Qazim Mulleti. Ndihemi të lehtësuar shpirtërisht, pasi jo vetëm sollëm në vend amanetin e vetë djalit të tij të vetëm z. Reshit Mulleti, por realizuam edhe një dëshirë të kahershme të familjes, si dhe të të gjithë qytetarëve të Tiranës e më gjerë që e nderuan dhe respektuan figurën e Qazim Mulletit ndër vite, madje edhe gjatë regjimit diktatorial komunist.

Detajet e ceremonisë së varrimit, e cila përkon edhe me 67-vjetorin e vdekjes së Qazim Mulletit në Rocca di Papa/Romë, janë si më poshtë:

E hënë, 28 gusht 2023

09:00-12:30: Homazhet dhe vizitat në Shtëpinë Funerale “ALBA 2000”

Adresa: Rruga e Dibrës, nr. 302, Tiranë

13:00: Kryerja e riteve fetare në xhaminë e “Kokonozit”, Pazari i ri, Tiranë

14:00: Ceremonia e varrimit në varrezat e Shish-Tufinës.

Më në fund, Qazim Mulleti do të prehet në Tironën e tij të dashur, pranë bashkëshortes zj. Hajrie Mulleti (Kusi) dhe djalit të tij, me të cilët kaloi aq pak vite në jetën e përkohshme të kësaj bote për shkak të angazhimit të tij politik dhe qytetar për një Shqipëri etnike, republikane dhe me orientim qartësisht perëndimor.

Një falenderim i veçantë shkon për drejtuesit e Shtëpisë Funerale “ALBA 2000” Sherbime Funerale Alba 2000 Tirane që bënë të mundur ndjekjen dhe finalizimin e procedurave tekniko-ligjore për riatdhesimin e eshtrave nga varrezat e Rocca di Papa në Romë, i cili për hir të së vërtetës, nuk ishte një proces i lehtë.

Shprehim gjithashtu mirënjohjen për shoqatat Shoqata Tirana, Shoqata “Tirona Intellectum” dhe Shoqnia Tirona Autoktone, si dhe çdo mbështetës, për të gjithë angazhimin dhe aktivitetin e tyre ndër vite në nderim të figurës dhe veprës së Qazim Mulletit.

Së fundmi, por jo për nga rëndësia, shprehim falenderimet për finalizimin e këtij procesi dhe organizimin e ceremonive të rastit të gjithë kontribuesit si Akademia e Studimeve Shqiptare, historianë, diplomatë, klerikë, politikanë, artistë etj., duke veçuar ndër ta, juristin e njohur dhe intelektualin tironas, z. Shkëlqim Hajdari, për koordinimin e punës në realizimin e këtij procesi të gjatë.

Me respekt,

Familja Mulleti

About Redaksia

Check Also

KAYO dhe Guna Tactical, 17 milionë euro kontrata nga shteti për uniforma, mjete dhe pajisje ushtarake

Dy kompanitë me kapital shtetëror në ushtri, Guna Tactical dhe KAYO kanë marrë deri më …

Leave a Reply