Vokshi: Raporti i KLSH tregon se shëndeti i shqiptarëve është në rrezik nga Rama-Manastirliu!

DEKLARATA E DEPUTETES SË PD-së, ALBANA VOKSHI

Edi Rama dhe Ogerta Manastirlliu u shfaqën dje në Spitalin ‘Shefqet Ndroqi’ për të mbrojtur inceneratorin e shëndetësisë-Koncesionin e Sterilizimit, duke i çuar në të njëjtën kohë, mesazh SPAK-ut që të mos e preknin këtë koncesion.

E ndërkohë që Rama jepte shfaqjen e propagandës mbushur me mashtrime në lidhje me uljen e infeksionit, apo uljen e ditë-qëndrimeve në spitale prej zbatimit të koncesionit, dhjetëra të sëmurë me tumor përsëri nuk e morën dot shërbimin mjekësor (një e drejtë e tyre kushtetuese) nuk siguruan dot ilaccin, kurën e tyre dhe nuk kryen dot seancën e kimioterapisë.

Prej kohësh kemi marrë dhe denoncuar nga pacientët dhe familjarët e tyre mesazhe denoncuese që të lodhur, të dëshpëruar, të zemëruar, nga kalvari i gjatë që duhet të ndjekin për të afërmit e tyre, nuk marrin dot shërbimin të onkologjikut për shkak të mungesa të vazhdueshme të ilaçeve, kurave, shtretërve, etj.

E dje, në të njëjtën kohë me shfaqjen e shëmtuar të Edi Ramës dhe Ogerta Manastirliut, Kontrolli i Lartë i Shtetit publikoi një raport rrëqethës të Auditimit të performancës «për trajtimin e sëmundjeve tumorale», nëse politikat qeveritare shëndetësore, sistemet e kujdesit të shëndetit publik janë të mjaftueshme, nëse shërbimet dhe trajtimi janë profesionale, nëse institucionet kanë marrë masat e nevojshme dhe kanë përdorur me efikasitet buxhetin e shtetit për të siguruar shërbimet e nevojshme për të sëmurët me tumor.

Objekti i auditit ka qenë:

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale

Qendra Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ Tiranë.

Spitalet rajonale.

Gjetjet e raportit të KLSH janë tronditëse. Raporti hedh dritë në atë çka opozita, shoqatat e shëndetësisë, pacientë e familjarë kanë denoncuar prej vitesh tashme në mënyrë të vazhdueshme.

Raporti vërteton edhe një herë faktin që pacienti nuk ka qenë në asnjë rast në qendër të vëmendjes apo prioritet i kësaj qeverie. Prioriteti i vetëm i së cilës ka qenë fitimi, përfitimi nëpërmjet koncesioneve që monopolizuan pothuajse të gjitha shërbimet në shëndetësi.

Mangësitë janë që nga ato strategjike, financiare, operacionale, rregullatore. Të gjitha me nivel shumë ta lartë të riskut. Kryesisht ardhur pjesa më e madhe prej mungesës së kontrollit të duhur menaxherial nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, pra përgjegjësi direkte e Ministres Ogerta Manastirlliu.

E nisimi nga buxheti:

Raporti: ‘shpenzimet për trajtimin e sëmundjeve tumorale zënë një peshë të vogël në shpenzimet buxhetore që kryen QSUT ‘Nënë Tereza’. Gjithashtu duhet vënë në dukje se shpenzimet buxhetore nuk kanë ndjekur prirje të rritjes së tyre krahasuar me buxhetin e përgjithshëm të QSUT ndër vite në autitim. Përkundrazi kemi një rënie të konsiderueshme nga 11.7% në 2020, 7.4% në 2021 dhe 7.9% në 2022. Ndërkohë që numri i pacientëve të diagnostikuar me sëmundje tumorale është ne rritje.

Pyetja që lind është: ku kanë vajtur fondet e shëndetësisë? Pse kjo ulje e konsiderueshme në këtë shërbim??

Për çdo shqiptar është e qartë që Rama-Beqaj-Manastirlliu i kanë orientuar fondet e shëndetit drejt koncesioneve check up (paratë i shkojnë mikes, sponsores së tij Vilma, te Sterilizimi – paratë i shkojnë mikut të Beqes, Ilir Rrapaj, të laboratorët i shkojnë Janit e në mënyrë indirekte mbushin llogaritë e qeveritarëve.

Ndaj pacientë e familjarë vuajnë kalvarin e gjatë për gjetjen e një shtati, për gjetjen e një ilaçi (para dy ditësh kam denoncuar mungesën e ilaçit velkade që shërben për seancat e kimios.  KLSH ka vërenjtur mungesën e aparaturave të nevojshme që siç raporti i KLSH evidenton kanë riskuar jetën e qindra pacientëve e qindra grave të prekura me kancerin e gjirit.

Në Spitalin Onkologjik të Qendrës Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ në Tiranë, struktura më e rëndësishme për trajtimin e tumoreve, ka mungesë stafi:

– Ndaj ka radhë shumë të gjata pacientësh që detyrohen të rrinë në pritje edhe në këmbë për shërbime të specializuara.

Mungesë stafi

Stafi mjekësor prej 24 mjekë onkologë në ditë përballon 108 vizita konsulta, trajton 75-80 pacientë me kimioterapi dhe 22 pacientë me radioterapi (këtu nuk janë përfshirë ndërhyrjet kirurgjikale, urgjenca dhe mjekët roje në çdo ditë).

Pra volumi i punës së mjekëve është shumë i lartë, për shkak të numrit të lartë të pacientëve.

Sipas strukturës administrativo-mjekësore të Spitalit Onkologjik në QSUNT, konstatohen 9 mungesa me burime njerëzore. Sipas KLSH-së, ‘riskut për përballimin e trajtimit të fluksit të pacientëve me sëmundje tumorale i shtohet edhe mungesa e stafit me burime njerëzore në ndihme të mjekëve onkologë’.

Ndërkohë që në një ditë numri i pacientëve të regjistruar e që ju nevojiten shërbimet për seancat e kimioterapisë është 75-80, vetëm 19 është numri i poltronave prej vitesh. Kjo do të thotë që në një ditë 56-61 pacientë nuk e marrin dot këtë shërbim.

Mangësi në shtretërit e kimioterapisë

Përgjatë periudhës 2020-2022, e cila ka qenë objekt i auditimit nga KLSH-ja, rezulton se janë trajtuar me kimioterapi ditore, në total 3,877 pacientë, ose e shprehur në 51,845 numër rastesh (një pacient kryen disa seanca), duke shfrytëzuar vetëm 19 poltrona, ndonëse aktiviteti spitalor rezultoi në rritje nga viti në vit për trajtim me kimioterapi ditore.

Spitali Onkologjik ka kërkuar në mënyrë të vazhdueshme nga drejtoria e QSUT-së shtimin e të paktën 10 shtretërve/poltronave, pasi sasia që kanë në dispozicion është i pamjaftueshëm për trajtimin në kohë dhe me cilësi për personat në nevojë.

Deri në mbylljen e raportit të KLSH-së, numri i poltronave të kimio-terapisë nuk kishte ndryshuar.

Vetëm 22 shtretër

Spitali Onkologjik i QSUT-së e ka të pamundur të krijojë kushte shtrimi për të gjithë pacientët që kanë nevojë për trajtim me radioterapi. KLSH-ja ka konstatuar se vetëm 9 përqind e pacientëve janë hospitalizuar, ndërsa shumica absolute e pacientëve, plot 91 përqind, janë larguar pas përfundimit të seancave të trajtimit.

Pavioni i radioterapisë tek Onkologjiku ka vetëm 22 shtretër. Stafi spitalor mundohet që të pranojë në pavion pacientët që janë në kushte ekonomike të vështira apo që nuk ka mundësi të shoqërohen nga familjarë të tjerë.

Ndërkohë, pjesa tjetër e pacientëve, e atyre që nuk hospitalizohen, duhet të përballojnë kostot e udhëtimit, akomodimit apo edhe shëndetësore.

Në 2020 Shoqata ‘Together for life’ ka bërë kostimin e kostove ditore të një familje për një seance trajtimi në QSUT.

Kostot financiare për një pacient që shoqërohet nga një person i familjes, shkon në 19 mijë lekë në ditë. Nëse do të llogaritim edhe ilaccet shkon në 75 mijë lekë, plus edhe koston e udhëtimit rreth 13 mijë lekë, shkon në 1 mln lekë.

Pajisjet jashtë funksionit

Mungesës së financimit, stafit dhe infrastrukturës tek Onkologjiku, i shtohen edhe mungesa e funksionimit për kohë të ndryshme të aparaturave mjekësore. Për tumoret që prekin organet riprodhuese tek gratë nevojitet radioterapi me pajisjen Brakiterapi.

Tek Onkologjiku i QSUT-së për këtë trajtim kanë nevojë më së paku 200 pacientë në vit.

KLSH konstaton se trajtimi me Brakiterapi nuk ka qenë funksional për periudhën e auditimit (2020-2022) për shkak të mungesës së burimit radioaktiv Iridium.

‘Mungesa e Brankiterapisë, për periudhën e auditimit, ka sjellë mos trajtimin e 200 pacienteve në vit ose 600 gra paciente nuk e kanë marrë këtë shërbim me radioterapi, duke përbërë faktor risku për shëndetin e tyre’, thuhet në raportin e KLSH-së.

Një tjetër pajisje mjekësore që nuk është funksionale prej nëntorit të vitit 2022 është prishur aparati i Ortovoltazhi, për shkak të një defekti serioz që nuk lejon trajtimin e pacientëve që vuajnë nga tumoret e lëkurës.

‘Mungesa e aparatit të Ortovoltazhit ka sjellë mostrajtimin 200 pacientëve, të cilët nuk e kanë marrë këtë shërbim me radioterapi, duke përbërë faktor risku për shëndetin e tyre’, konstaton Kontrolli i Lartë i Shtetit

Në raportin e KLSH-së evidentohet fakti që stafi mjekësor i Onkologjikut ka pasur angazhim maksimal i, si për trajtimin e pacientëve, ashtu edhe për kërkesa të vazhdueshme për drejtorinë e QSUT-së dhe Ministrinë e Shëndetësisë për të siguruar pajisjet e nevojshme që u duhen për t’u ardhur në ndihmë pacientëve.

E përkundër kësaj, KLSH evidenton edhe ‘shkëlqimin’ e propagandës së Ministrisë së Shëndetësisë për trajtimin e sëmundjeve tumorale, me plane, projekte, strategji e konferenca, të cilat, në fund të fundit, as nuk kanë rritur buxhetin për pacientët me sëmundje tumorale dhe as nuk kanë vënë në funksion pajisjet e nevojshme për trajtimin e tyre, të cilat në pjesën më të madhe të kohës janë jashtë funksionit.

Është pikërisht orientimi i fondeve drejt koncesioneve korruptive në shëndetësi-inceneratorëve të shëndetësisë që kanë privuar qindra pacientë nga shërbimi shëndetësor në onkologji (një e drejtë kushtetuese).

Nuk ka asgjë që e mbron dhe e justifikon dot Edi Ramën dhe Ogerta Manastirlliun që kanë privuar rreth 600 gra paciente me CA gjinekologjik nga shërbimi me radioterapi

Nuk ka asgjë që i mbron Rama-Manastirlliun nga mostrajtimi i 200 pacientëve me radioterapi, që vuajnë nga tumoret e lëkurës.

Ky është krim, që duhet ndëshkuar!!!

Jeta dhe shëndeti i shqiptarëve nuk kanë asnjë vlerë për Rama-Manastirlliun.

SPAK duhet të dëgjojë denoncimet e pacientëve dhe familjarëve të tyre.

Drejtësia duhet të veprojë menjëherë ndaj përgjegjësve të këtij krimi me kosto jo vetëm financiare por edhe humane sic është shëndeti dhe jeta e qytetarëve.

 

 

 

 

 

 

About Redaksia

Check Also

Rama merr në mbrojtje Veliajn pasi e degdisi në azil

Pasi e nisi në ekzil, Rama lan duart si Ponc Pilati me Veliaj dhe e …

Leave a Reply