Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, zgjedhjet që vidhen, nuk fitohen, por ne duhet t’i themi demokratëve se votën e mbrojtëm, ja ku janë faktet. Berisha tha se, nëse zgjedhjet duhet të jenë të drejta, të drejta janë vetëm kur janë të barabarta.
“Dokumenti që ju merrni, është dokumenti më i plotë i hartuar ndonjëherë dhe dëshmon me faktet më flagrante dhunimin e këtij procesi në çdo hallkë. Por ku jemi ne? Çfarë ndodh me shoqërinë shqiptare? Mund t’ua them se ndodh një fatalitet.
Sot, të majtë dhe të djathtë dhe të ndërmjetëm, që të gjithë po t’i pyesësh, Edi Rama i vjedh zgjedhjet. Por fatkeqësia e madhe është se në tërësi shprehen: ai i vjedh, po i fiton zgjedhjet.
Zgjedhjet që vidhen, nuk fitohen.
Prandaj them se kjo është shtyllë kryesore. Unë për ty si qytetar që thua se Rama i fitoi zgjedhjet, kam një pyetje: Si mund të thuash fitore, kur ai shumëzoi me zero, ligjin zgjedhor.
Çfarë garancie ka një proces zgjedhor, përveç ligjit zgjedhor? Kur qeveria e shumëzon me zero, kush e paguan faturën e kësaj? Të tjerët, që marrin pjesë në garë.
Nuk mund të pranojmë që vjedhjen ta bëjmë pjesë të moralit tonë politik. Kjo është e tmerrshme.
Të pyesim çdo qytetar, çfarë ndikimi kanë, sa vota i japin qeverisë 683 mijë zarfa me 50 mijë lekë për çdo pensionist? Të ndaluara me ligj këto. Sa vota kthejnë këto? Njeri ta thotë me saktësi, nuk ka. Por njeri që ta mohojë se ky zarf kthehet në votë, këtë nuk ka njeri që mund ta mohojë. Që ka logjikën e shëndetshme.
Po sa vota vodhi ky me rritjen e rrogave të 183 mijë votuesve?
Ne duhet të ulemi me çdo qytetar. Nëse zgjedhjet duhet të jenë të drejta, të drejta janë vetëm kur janë të barabarta.
Atëherë të shndërrojmë pyetjen- se nuk po marrim të nëndheshmet- sa vota është diferenca kur ti 12 kandidatëve të Lul Pengut u jep 1.2 milionë euro për fushatë, kandidatve të tu u jep 4 milionë euro për fushatë, kurse 61 kandidatëve të forcës kryesore opozitare u jep zero financim nga paratë publike?
Sa vota mori Lul Pengu duke marrë logon dhe voton e PD në mënyrën më banditeske? Por logoja është instinkti i votuesve.
Sa vota humbi forca kryesore opozitare kur kryetari i koalicionit u caktua nga qeveria? Po marrim vetëm këto legalet, por të bëra haptas.
Sa vota humbi forca kryesore opozitare kur në gjysmën e qendrave të numërimit në Shqipëri nuk kishte asnjë përfaqësues?
Ne duhet ta bëjmë këtë me çdo demokrat, për t’u thënë se ne votën e mbrojtëm, ja ku janë faktet. Dhe e dyta, se me këtë njeri nuk ka votime, por vetëm farsë.
Sa vota vodhi Edi Rama, duke regjistruar 13 mijë pensionistë pa kontribute shoqërore? Duke regjistruar 20 mijë persona në ndihmë ekonomike vetëm për qëllime elektorale? Duke firmosur me dhjetëra mijëra legalizime dhe leje ndërtimi në katër anët e Shqipërisë? Duke shpërndarë në zonat e dëmtuara nga tërmeti me dhjetëra milionë euro? Duke blerë haptas vota”, u shpreh Berisha.
Check Also
Berisha: PD do të bëjë gjithçka për të garantuar votën e diasporës!
Lideri i opozitës, Sali Berisha u shpreh gjatë konferencës për shtyp se, Partia Demokratike do …